E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Papa” i Sislej Xhafas etiketohet blasfemi në Toronto

Boshti i këtij debati qëndron në ngjashmërinë e përballjes së portretit gjigant të “Papës”, me hapësirën ekstra-tokësore dhe vendin ku ai është vendosur, që konsiderohet si i “papërshtatshëm” për ekspozimin e një vepre të tillë

Portreti artistik i Papës, i artistit Sislej Xhafa, ka hapur polemika si në Napoli ashtu edhe në Toronto të Kanadasë, në ekspozitën “The Power Art”. Në fakt, që kur artisti Xhafa ekspozoi për herë të parë veprën e tij “Padre/ Father/ Baba/ Pate Pio” në vitin 2003, në ekspozitën “The Nature of Art”, ngjalli shumë polemika. Që atëherë punimet e artistit shqiptar ishin vendosur në San Lorenzello, së bashku me vepra të tjera nga artistë ndërkombëtarë, si veprat e Enzo Cuchi, Michelangelo Pistoletto, Ettore Spalletti e John Armleder. “Vepra i Sislej Xhafas nuk do të ishte aspak provokuese nëse të ishte një temë tjetër, dhe jo ajo e fesë, që me sa duket e bën çështjen dhe debatin për të dhe publikun akoma më delikat” - komentojnë kritikët e ekspozitës “The Power Art”, e cila është një nga ekspozitat e nivelit më të lartë përsa i përket artit bashkëkohor, që daton që nga vitit 1987. Por edhe në Napoli, ku vepra e tij u ekspozua pak para se të shkonte në Toronto të Kanadasë, hapi polemika dhe debate në shtyp. Edhe në Napoli, boshti i debatit duket se më shumë qëndron në ngjashmërinë e përballjes së portretit gjigant të “Papës”, me hapësirën ekstra-tokësore dhe vendin ku ajo është vendosur, që konsiderohet i “papërshtatshëm” për ekspozimin e një vepre të tillë. Kësisoj, akti blasfemik që kritikët mediatikë i adresojnë artistit Sislej Xhafa, si në Napoli, ashtu dhe në Toronto, është interpretimi që i bën ai “të shenjtëve”, të cilët gjithmonë kanë pasur “një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me realitetin, përmes respektit dhe ndjeshmërisë për vendasit...që i bën njerëzit që ta shohin vendin ku kanë zgjedhur të jetojnë më të bukur”. Një përgjegjësi e madhe kjo për artistin shqiptar, që nuk ka pasur kurrë si qëllim që të ofendonte njerëzit për të cilët ai e bën artin, por përkundrazi qëllimi i tij është t’i bëjë homazh punës së tij artistike e t’i bëjë publikun pjesë të saj. Ky është pikërisht rasti i artistit Sislej Xhafa, i cili ka zgjedhur të ekspozojë nga Napoli në Kanada, e javën që vjen edhe në Amerikë, portretin e Padre Pio-s, shenjtit të Kishës Katolike që ka ndryshuar jetën e shumë njerëzve në botë. Artisti e ka koncpetuar kokën monumentale të Papës si nj mjedis ku publiku mund të hyjë brenda saj falë një porte nga ana e pasme, duke i krijuar kështu mundësinë që ta prekë shenjtërinë fizikisht dhe jo shpirtërisht. E duke shpjeguar veprën e tij, artisti Xhafa ka theksuar gjithmonë se vepra e tij përfaqëson “të gjitha figurat religjoze që kapërcejnë kulturat, besimet fetare dhe etnitë…Padre Pio është veshur me një aureolë mistike, që jo vetëm transmeton mesazhe shpirtërore, por edhe mesazhe social-ekonomike dhe politike”. Zgjedhja e artistit për të ekspozuar në Toronto pikërisht këtë vepër, mund të duket diçka e veçantë, por në fakt ajo vepër përfaqëson vullnetin e vetë artistit, për të mos u prezantuar me një identitet specifik, por me disa identitete, ai është një qytetar i botës në të gjitha kuptimet. Mjafton të kujtojmë këtu prezantimin e tij në Bienalen e Venecias në vitin 1997, ku ai hyri duke protestuar për mungesën e një pavijoni shqiptar në këtë Bineale, i veshur si një futbollist i kombëtares shqiptare, dhe me një flamur shqiptar ftonte njerëzit të hynin brenda e të merrnin pjesë në Bienale. Një performancë ironike ku artisti protestonte në mbrojtje të drejtave e njeriut. E në këtë rast, atij i mohohej e drejta për t’u shprehur përmes artit të tij, në Bienalen e Venecias. Në ekspozitën që është hapur në Toronti marrin pjesë 22 artistë. Të gjithë artistët që janë përzgjedhur për këtë ekspozitë kanë sjellë vizionin e viteve të vështira, gjatë periudhës së Bashkimit Sovjetik, duke portretizuar fytyrat e atyre udhëheqësve që këta artistë kur ishin të rinj i shihnin në lajme. Televizioni ka qenë vendi ku ata kanë parë Gorbaçovin, apo rënien e Murit të Berlinit. I gjithë koncepti i kësaj ekspozite, në të cilën prezantohet edhe Xhafa, ndërtohet mbi bazën e asaj që ndodhi në vitin 1989, që u konsiderua si “fundi i historisë”. Por si e shohin sot këtë fund artistët, të cilët kanë qenë adoleshentë në atë kohë? Si e ruajnë ata, në memorien e tyre? Përmes këtyre dy pyetje dhe shumë të tjerave, paraqiten veprat origjinale të 22 artistëve. Artistët kanë zgjedhur rrugë të ndryshme për të përcjellë mesazhin e tyre artistik video, instalacione, performanca direkte, skulptura dhe piktura. Por më shumë se çdo vepër, ajo që ka hapur debate ka qenë padyshim portreti gjigant i Padre Pio-s, i artistit Xhafa, një ikonë e re, një imazh i ri i Shenjtit më të famshëm në botë, që do të hapë padyshim debate edhe në Amerikë pas pak javësh, ashtu si tani në Kanada, ku koka monumentale e shenjtit qëndron e ekspozuar në mes të një parku të gjelbëruar. A.Tuci

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›