Ish-pronarët, buxheti për tre vitet e ardhshme
Ky fond nuk përfshin të ardhurat nga procesi i legalizmit dhe privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore
Fondi për kompensimin e ish-pronarëve do të vijë në rritje në vitet 2010-2012. Në total 36 milionë USD
Fondi për kompensimin e ish-pronarëve do të rritet gradualisht në vitet e ardhshme. Qeveria ka vendosur të shtojë vit pas viti në buxhet shumën për të kompensuar këtë kategori, e cila ndihet e grabitur për më shumë se 60 vite. Gjatë tre viteve të ardhshme, qeveria ka planifikuar që në buxhetin e shtetit të miratojë në total 3.6 miliardë lekë, për kompensimin financiar të ish-pronarëve.
Qeveria ka miratuar kuadrin ekonomik dhe treguesit fiskalë për vitet 2010-2012 dhe në buxhetin e secilit vit, kompensimi i ish-pronarëve do të jetë një zë në rritje. Kështu për vitin e ardhshëm, për ish-pronarët do të vihen në dispozicion për kompensim 700 milionë lekë, ose 100 milionë më shumë sesa janë parashikuar për këtë vit.
Për vitin 2011, fondi i lënë për kompensimin financiar të ish-pronarëve do të jetë 500 milionë lekë më shumë, ose 1.2 miliardë lekë. Për herë të parë në shumë vite, ky fond kalon 1 miliardë lekët. Ndërsa në vitin 2012, qeveria ka vendosur që në buxhetin e shtetit të lërë një shumë prej 1.7 miliardë lekësh, ose rreth 17 milionë dollarë për të kompensuar këtë shtresë. Kjo shumë zë rreth 0.11 për qind të PBB-së.
Kompensimi
Për këtë viti qeveria ka miratuar në buxhet 600 milionë lekë, ose rreth 6 milionë dollarë për kompensimin financiar të ish-pronarëve. Por kësaj shumë pritet t'i shtohen edhe të ardhurat e mbledhura nga ALUIZNI gjatë procesit të legalizimit të objekteve informale.
Gjithashtu zyrtarë të qeverisë kanë deklaruar se 10 për qind e të ardhurave të privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore do të kalojnë për kompensimin financiar të ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve politikë, por deri tani nuk kanë publikuar nëse shumën që do ta kalojnë për këto dy kategori.
Procesi i aplikimit për të përfituar kompensim është mbyllur në mes të muajit korrik dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka deklaruar se janë dorëzuar rreth 540 aplikime. Midis këtyre aplikimeve do të zgjidhen edhe ata të cilët do të përfitojnë nga fondi prej 600 milionë lekësh, që qeveria ka akorduar këtë vit, si dhe nga të ardhurat e përfituara nga procesi i legalizimit.
Pas përmbylljes së fazës së pranimit të aplikimeve të kërkesave për përfitim të kompensimit financiar ka nisur përzgjedhja e përfituesve, ku të parët do të jenë ata ish-pronarë që nuk kanë përfituar nga fondet e mëparshme. Kompensimi finaciar i pronarëve do të bëhet duke u bazuar në çmimet që pasqyrohen në hartën e vlerës së tokës, miratuar nga Këshilli i Ministrave.