Fondi për, 2.1 miliardë
TIRANË - Lista e subjekteve fitues e ish-pronarëve, që përfitojnë nga fondi i kompensimit financiar për vitin 2009, pritet të shpallet nga AKKP-ja në fund të muajit shtator.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Çefa, shprehet në një intervistë për gazetën "Shekulli" se pas shpalljes së listës
së fituesve, do të bëhet edhe lëvrimi i shumave përkatëse në numrat e llogarive të secilit subjekt.
Sipas tij, fondi i kompensimit financiar në total për këtë periudhë është 2,1 miliardë lekë, duke përfshirë këtu fondin e vënë në dispozicion të AKKP-së nga qeveria për vitin 2009, që është në shumën 600 milionë lekëve.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, prej një viti ka ndërprerë dhënien e vendimeve me qëllim njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës, si rezultat i nenit 24 të ligjit "Për njohjen, kthimin e kompensimin e pronave".
Pse nuk është ndërmarrë ende asnjë veprim në këtë drejtim? Në legjislaturën e ardhshme, a do të propozohet shtyrje e afatit, dhe nëse po, sa konkretisht? (Shoqata e ish-pronarëve ka kërkuar që procesit për njohjen dhe kompensimin e pronës të mos i vendoset fare afat).
Në fakt, do të më lejoni t'ju them se kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Kjo dëshmohet më së miri nga shifrat e vendimmarrjes së AKKP-së, që vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2009 janë rreth 1.700 vendime të dhëna nga 12 zyrat rajonale në qarqe.
Procesi nuk ka përfunduar dhe nga strukturat e AKKP-së do të vazhdojnë të shqyrtohen të gjitha kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të depozituara brenda afatit ligjor.
Është fakt që ligji nr. 9235 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", ka parashikuar që në datën 31 dhjetor 2008 ka përfunduar procesi i pranimit të kërkesave të reja drejtuar AKKP-së nga subjektet e shpronësuara për njohje/kthim/kompensim të pronës.
Nëse ky afat do të shtyhet në legjislaturën e ardhshme, këtë nuk më përket mua ta them, për arsye se institucioni që unë drejtoj është një institucion administrativ, ekzekutiv i politikës qeveritare në këtë fushë.
A mund të propozohet ndonjë ndryshim tjetër në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave?
Pra, siç e thashë edhe me lart, kjo është një çështje që nuk i përket AKKP-së, por institucioneve eprore. Përkushtimi i qeverisë shqiptare në drejtim të zgjidhjes së problemit të pronësisë, besoj se është i qartë për gjithkënd.
Për më tepër, dëshiroj t'u referohem deklarimeve të fundit të Kryeministrit që çështja e pronësisë do të jetë një nga reformat më të rëndësishme të katër viteve të ardhshëm. AKKP-ja është "leva", nëpërmjet së cilës do të zbatohen reformat qeveritare. Nëse dikush do të kërkojë një mendim profesional nga ky institucion, ai nuk do të mungojë.
Tashmë është mbyllur procesi i depozitimit të dosjeve për kompensimin financiar për vitin 2009 nga ish-pronarët dhe është kaluar në një fazë të dytë, atë të verifikimit dhe përzgjedhjes së përfituesve.
Deri ku është ky proces, dhe a ka gjasa që ish-pronarët të kompensohen financiarisht në fund të muajit shtator, siç është deklaruar nga AKKP-ja?
(Praktika e viteve të kaluara ka treguar se kjo procedurë ka zgjatur me muaj të tërë, duke siguruar shpërndarjen në limit të parave)
Po, në datë 14 korrik 2009 është përmbyllur me sukses faza e parë e procesit të kompensimit në të holla të subjekteve të shpronësuar nga fondi i vitit 2009, i cili është 600 milionë lekë.
Janë administruar në total 521 kërkesa për kompensim dhe tashmë është kaluar në fazën e dytë të procesit, e cila është në fakt më e rëndësishmja, pasi konsiston në verifikimin dhe konfirmimin e të gjitha të dhënave të paraqitura nga subjektet e shpronësuar aplikues.
Ky verifikim po kryhet sipas të gjithë parashikimeve nga zyrat rajonale të AKKP-së në 12 qarqet e vendit dhe do të përfundojë në fillimet e muajit shtator.
Ju sqaroj se pikërisht kjo është edhe faza më delikate e procesit, për arsye se strukturat e AKKP-së janë të ndërvarura në marrjen e konfirmimeve nga institucione të treta të administratës ,siç janë zyrat e kadastrës në këshillat e qarqeve, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, komunat etj.
Çdo vonesë e shkaktuar nga këto institucione ndikon drejtpërdrejt në përmbylljen e procesit nga AKKP-ja. Pikërisht, nisur nga eksperienca e viteve të mëparshme, në hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për procedurat e kompensimit në të holla për vitin 2009, janë parashikuar lehtësira procedurale, në mënyrë që të evitohen maksimalisht vonesat artificiale të procesit.
Me mbarimin e verifikimeve fillon faza e tretë, e cila konsiston në vlerësimin nga Drejtoria e Kompensimit në AKKP, në qendër, e praktikave të subjekteve të shpronësuar dhe përcaktimi, sipas kritereve ligjore të miratuara e në raport me fondin disponibël, të subjekteve fitues të kompensimit në të holla për vitin 2009.
Pikërisht shpalljen e listës së subjekteve fitues synojmë ta bëjmë në fund të muajit shtator. Pas shpalljes se kësaj liste bëhet edhe lëvrimi i shumave përkatëse në numrat e llogarive të secilit subjekt.
A do të ndiqet e njëjta procedurë për kompensimin financiar të ish-pronarëve, si vitet e tjera?
Sigurisht që në elementet kryesorë të tij, ky proces është i njëjtë me atë të aplikuar në vitet e fundit.
Siç e thashë edhe me lart, në vendimin e Këshillit të Ministrave për procedurat e kompensimit në të holla për vitin 2009, janë parashikuar lehtësira procedurale, në mënyrë që të evitohen maksimalisht vonesat artificiale të procesit dhe të evitohen shpenzime të tepërta nga subjektet aplikuese.
Konkretisht, është parashikuar që vërtetimet apo të dhënat nga zyrat e administrimit dhe mbrojtjes së tokës në këshillat e qarqeve dhe ato të dhëna nga zyrat e regjistrimit të pasurive, të bëhen tashmë nga administrata e AKKP-së dhe pa pagesë.
Fatkeqësisht, sipas informacioneve që kam, konstatoj se në disa nga zyrat e administrimit dhe mbrojtjes së tokës pranë këshillave të qarqeve të caktuar, mungon dëshira për bashkëpunim me strukturat e AKKP-së, çka e vonon procesin.
Drejtues të shoqatës së ish-pronarëve kanë argumentuar se është antikushtetuese që një vendim i një komisioni të kthimit dhe kompensimit të pronës, i cili ka marrë formë të prerë, të mund të shfuqizohet në mënyrë administrative nga kryetari i AKKP-së, të cilin e cilësojnë thjesht një titullar që emërohet nga qeveria. Si kryetar i AKKP-së, a keni një përgjigje për ketë vërejtje, që duket se do të marrë formë ligjore nga ana e ish-pronarëve?
Ka shumë mendime juridike rreth këtij problemi. Por, që të mund të analizojmë saktë këtë të drejtë që ligji i ka dhënë drejtorit të përgjithshëm të AKKP-së, duhet të analizojmë më parë shkaqet dhe arsyet përse lindi e nevojshme implementimi i kësaj dispozite në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës". Tashmë dihet botërisht se me procesin e kthimit të pronës është abuzuar shumë.
Këtë, madje, duhet ta dijë më mirë se unë vetë shoqata e ish-pronarëve. Ka shumë gabime të bëra, me ose pa dashje, në këtë proces. Në punën tonë të përditshme konstatojmë shpeshherë vendime për kthimin e pronës të dhëna ndër vite, të cilat nuk janë bazuar në një dokumentacion të mirëfilltë pronësor hipotekor apo kadastral.
Kjo ka sjellë si pasojë zhvendosjet dhe mbivendosjet në pronat e kthyera e madje edhe në "kthimin" e pronës personave që nuk kanë qenë realisht pronarë. Kjo dukuri, në fakt është e ndeshur shpesh pas vitit 1997, e sidomos në disa zona ku prona ka pasur vlerë të konsiderueshme si, Tirana, Durrësi apo Vlora.
Qeveria, duke pasur si një nga shtyllat kryesore të programit të saj çështjen e pronësisë dhe duke qenë e ndërgjegjshme për këto probleme, me anë të ndërhyrjeve në ligj, ka ndërmarrë, ndër të tjera, nisma të rëndësishme, pikërisht edhe të drejtën e rishikimit nga AKKP-ja të vendimeve të mëparshme të marra në mënyrë të kundërligjshme apo abuzive.
Pra, qëllimi i kësaj dispozite është rivendosja në vend e një të drejte kushtetuese të mohuar dhe kthimi i pronës tek pronari i vërtetë i saj. Gjithsesi, nuk është drejtori i përgjithshëm i AKKP-së organi që përcakton kushtetutshmërinë e kësaj dispozite ligjore.
Disa herë është përsëritur nga zyrtarë të lartë të qeverisë se 10 për qind e të ardhurave nga privatizimet e shoqërive të zotëruara nga shteti do të shkojnë për kompensimin e ish-pronarëve. Çfarë është bërë në këtë drejtim?
Për sa i përket kompensimit financiar, tashmë ekziston një vullnet dhe strategji e qartë e qeverisë për shpërblimin financiar të subjekteve të shpronësuara, duke përdorur burime të ndryshme.
Për sa i përket procesit të kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuara, për t'iu përgjigjur konkretisht pyetjes tuaj, ju sqaroj se ky proces ka filluar për herë të parë në vitin 2005.
Fondi i kompensimit financiar në total për këtë periudhë është 2,1 miliardë lekë, duke përfshirë këtu fondin e vënë në dispozicion të AKKP-së nga qeveria për vitin 2009, i cili është në shumën 600 milionë lekë.
Në funksion të rritjes së vazhdueshme të këtij fondi, është parashikuar që një nga burimet kryesore të të ardhurave, për efekt të kompensimit financiar, do të jenë edhe pjesa nga të ardhurat e përfituara nga privatizimet në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Dhe jo vetëm kaq. Është parashikuar gjithashtu që edhe të ardhurat e grumbulluara nga ALUIZNI gjatë procesit të legalizimit të ndërtimeve informale, do të shkojnë për kompensimin financiar të subjekteve të shpronësuar.
Po ashtu, në këtë fond kalojnë edhe të ardhurat e krijuara nga vetë AKKP-ja nga tjetërsimi me kundërshpërblim i sipërfaqeve "oborr në përdorim".
Për këtë arsye është krijuar së fundmi, me vendim të Këshillit të Ministrave, fondi i kompensimit financiar të subjekteve të shpronësuar, fond i cili mbledh të gjitha këto të ardhura dhe administrohet nga AKKP-ja.
Pra, të gjitha këto ndërhyrje në aktet nënligjore, kanë një qëllim: kompensimin financiar të shpejtë dhe të plotë të subjekteve të shpronësuar.
Procesi i verifikimit
Ju sqaroj se pikërisht kjo është edhe faza më delikate e procesit, për arsye se strukturat e AKKP-së janë të ndërvarura në marrjen e konfirmimeve nga institucione të treta të administratës, siç janë zyrat e kadastrës në këshillat e qarqeve, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, komunat etj. Çdo vonesë e shkaktuar nga këto institucione ndikon drejtpërdrejt në përmbylljen e procesit nga AKKP-ja.
Lista e fituesve
Me mbarimin e verifikimeve fillon faza e tretë, e cila konsiston në vlerësimin nga Drejtoria e Kompensimit në AKKP, në qendër, e praktikave të subjekteve të shpronësuara dhe përcaktimi, sipas kritereve ligjore të miratuara e në raport me fondin disponibël, të subjekteve fitues të kompensimit në të holla për vitin 2009. Pikërisht shpalljen e listës së subjekteve fitues synojmë ta bëjmë në fund të muajit shtator.
Fondi për ish-pronarët
Fondi i kompensimit financiar në total për këtë periudhë, është 2,1 miliardë lekë, duke përfshirë këtu fondin e vënë në dispozicion të AKKP-së nga qeveria për vitin 2009, i cili është në shumën 600 milionë lekë.
Në funksion të rritjesë vazhdueshme të këtij fondi, është parashikuar që një nga burimet kryesore të të ardhurave, për efekt të kompensimit financiar, do të jenë edhe pjesa nga të ardhurat e përfituara nga privatizimet në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Përgjigjja për ish-pronarët
Qëllimi i kësaj dispozite është rivendosja në vend e një të drejte kushtetuese të mohuar dhe kthimi i pronës tek pronari i vërtetë i saj. Gjithsesi, nuk është drejtori i përgjithshëm i AKKP-së organi që përcakton kushtetutshmërinë e kësaj dispozite ligjore.