E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-punëtorët e Gërdecit: Na plotësoni kërkesat

 

TIRANE- Ish punëtorët e fabrikës në Gërdec i janë drejtuar edhe një herë qeverisë për mbajtjen e premtimit dhe plotësimin e kërkesave të grevistëve të urisë. Sot, paradite ata protestuan para kryeministrisë, duke hedhur parulla kundër qeverisë.

Ish punëtorët kanë deklaruar se lekët që kanë marrë nuk i dalin as për nevojat më emergjente që ata kanë, ndërkohë theksojnë se janë ndier tërësisht të braktisur nga qeveria. Së bashku me protestuesit para selisë së kryeministrisë janë bashkuar edhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët janë shprehur hapur në mbështetje të tyre.

Protesta ka qenë paqësore dhe nuk ka zgjatur shumë, ndërkohë që punëtorët nuk dinë të thonë, nëse besojnë ende se situata e tyre mund të mdryshojë. “Kërkesat e grevistëve janë krejt ekonomike, për hallet tona dhe të familjeve tona”- thanë ata, duke hedhur poshtë çdo etiketim të mazhorancës si grevë politike e nxitur nga e majta.

Ata kërkojnë pagën e një viti, asistencë, lidhje pensioni për familjet e punëtorëve të vrarë dhe asgjë tjetër që mund të jetë e paarsyeshme, e aq më tepër e parealizueshme. Vetëm pak ditë më parë, deputeti i PD-së, Patozi i cilësoi kërkesat e grevistëve të ekzagjeruara. Ndërkaq, sot greva e 7 punëtorëve hyn në ditën e 8-të dhe shëndeti i tyre sa vjen e rëndohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›