PS: Lidershipi i pozitës mban peng gjyqësorin
Tiranë- Ngjarje të paprecedentë dhe me pasoja të rrezikshme për funksionimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në vend, e ka cilësuar dje Partia Socialiste anashkalimin e dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Gjatë një deklarate për shtyp, deputeti Fatmir Xhafaj ka deklaruar se lidershipi politik i maxhorancës ka marrë peng gjyqësorin shqiptar.
“Është bllokuar veprimtaria normale e Gjykatës së Lartë. Një e drejtë e ligjshme, një e drejtë kushtetuese e mohuar për një shkak të thjeshtë, por të paprecedentë : Legjislativi ka bllokuar emërimin e gjyqtarëve për Gjykatën e Lartë, Lidershipi politik i maxhorancës aktuale ka marrë peng gjyqsorin shqiptar në një ripërpjekje të re për të vendosur nën kontrollin e tij politik pushtetin gjyqsor”- tha Xhafaj, duke bërë me faj për këtë lidershipin politik të maxhorancës.
Sipas tij, është e drejta ligjore e Presidentit që në përzgjedhjen e kandidatëve të vlerësojë kriteret kushtetuese dhe kriteret e tjera që kanë të bëjnë me profesionalizmin dhe moralitetin e kandidatëve, siç është dhe përgjegjësia e tij, politike dhe morale, për cilësinë e tyre.
Ndërkohë për PS-në, është gjithashtu e drejtë e Kuvendit të debatojë rreth kandidaturave dhe në respektim të procedurave të shprehura dhe tashmë të konsoliduara në praktika të mëparshme të vendosë vetëm me votim, lidhur me dekretet duke votuar secilin prej tyre më vete dhe me votim të fshehtë.
Ai ka theksuar se PS-ja kërkon futjen urgjent në rendin e ditës të dekreteve presidencialë. “Partia Socialiste as nuk shprehet për cilësinë e votës së saj dhe as nuk bëhet palë e konfliktit absurd të krijuar ndërmjet lidershipit politik të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ me Presidentin e Republikës, pushtete e funksione kushtetuese, të cilat kanë buruar nga vetë PD-ja”- përfundoi ai, duke e quajtur gjithë sa po ndodh edhe rrezik serioz në angazhimet për në NATO.