E Shtunë, 31 Tetor 2026

TË KORRAT E URISË*

 

Mungesa e ushqimeve rrallë është shkak që njerëzit të vuajnë urie. Madje, tani në botë ka sasi të mjaftueshme ushqimesh, duke patur parasysh të korrat e mëdha këtë vit, por gjithsesi njerëzit nuk mund të blejnë dot ushqimet që u duhen. Rrugëdalja nga kjo krizë në rritje ishte qëllimi i Konferencës Botërore për Sigurinë Ushqimore, më 3-5 Qershor në Romë.

Madje, deri para ngritjes së fundit të çmimeve afër një miliardë njerëz kanë vuajtur nga uria kronike, por edhe dy miliardë njerëz janë të kequshqyer, duke e çuar numrin e përgjithshëm të njerëzve që rrezikohen nga uria deri në tre miliardë, pothuajse gjysma e popullsisë së botës. Si rezultat i pasojave të drejtpërdrejta, ose të tërthorta, çdo ditë vdesin afro 18 mijë fëmijë. Del në pah se rritja e fundit e çmimeve të ushqimeve rrit edhe më tepër numrin e njerëzve të kequshqyer.

Tani është nevojë e ngutshme financimi i programeve ekzistuese të ndihmës ushqimore për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje për ushqime, për të parandaluar trazirat e mëtejshme sociale, si dhe për të siguruar ndihma për fermerët para sezonit tjetër të mbjelljeve. Por në procesin e zgjidhjes së katastrofës aktuale humanitare si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve, nuk ka pse të harrohen problemet më afatgjata, që kanë minuar sigurinë ushqimore dhjetëvjeçarët e fundit. Është e qartë se duhet urgjentisht një “new deal” për sigurinë ushqimore.

Rritja e rëndësishme e prodhimit ushqimor ka të bëjë me Revolucionin e Gjelbër të viteve 1960 - me mbështetje të konsiderueshme qeveritare dhe ndërkombëtare jofitimprurëse - gjë që u hapi rrugë prioriteteve të reja në politikë në vitet 1980. Duke qenë se u ngadalësua rritja e furnizimeve ushqimore, kërkesa për to vazhdoi të rritej, por që nuk kushtëzohej vetëm nga rritja e popullsisë. Me një nivel më të lartë të ardhurash, rritja e konsumit të mishit kërkon më shumë drithëra për ushqimin e bagëtive.

Që nga vitet 1980 qeveritë e vunë theksin në nxitjen e eksporteve për të paguar valutën e huaj dhe ushqimet e importuara. Por ushqimi nuk mund të trajtohet vetëm si një nga llojet e mallrave dhe qeveritë duhet të zhvillojnë politika përkatëse, infrastrukturë dhe institucione për garantimin e sigurisë ushqimore (gjë që nuk duhet ngatërruar me vetëmjaftueshmërinë e plotë) në nivel kombëtar ose rajonal.

Problemi është se, duke shpërfillur sigurinë ushqimore dhe sektorët prodhues të ekonomive të tyre për disa dhjetëvjeçarë, tani shumë vende në zhvillim kanë mungesë kapaciteti fiskal për shtim shpenzimesh publike për të rritur prodhimin ushqimor dhe rendimentin bujqësor. Për më tepër, urbanizimi në rritje dhe përdorimi tjetër jobujqësor i tokës pakësoi sipërfaqen e tokave, të përshtatshme për prodhim ushqimesh, ndërkohë që gjithmonë e më tepër tokat po jepen për prodhimin e artikujve të tjerë joushqimorë, si për shembull, të biokarburanteve.

Por nuk duhet të nxitohemi në heqjen dorë nga biokarburantet, pavarësisht politikave padyshim mediokre vitet e fundit. Disa lloje biokarburantesh janë dukshëm më të efektshme në kosto dhe më eficiente nga ana energjitike se të tjerat, gjithashtu stoqe të ndryshme biokarburantesh kanë kosto oportune tejet të ndryshme për prodhimin agro-ushqimor (çmimi i sheqerit nuk ka ndryshuar fort kohën e fundit).

Problem tjetër është se gjithmonë e më pak agrobizneset trans-nacionale tani dominojnë marketingun, prodhimin dhe inputet. Kryesisht, kjo bie mbi shpatullat e fermerëve të vegjël dhe konsumatorëve, veçanërisht në vendet e varfra. Ndërkaq, mungesa e mbështetjes qeveritare, shpesh kredinë rurale e ka shtrenjtuar në mënyrë penguese.

Përveç kësaj, më shumë titullizim (anglisht - securitization - formë financimi me letra me vlerë, proces shndërrimi asetesh financiare jolikuide në instrumente kapitale të tregtueshme, shënim i përkthyesit), transaksione online më të kollajshme, si dhe zhvillimet e tjera në tregjet financiare vitet e fundit kanë lehtësuar dukshëm investimet spekulative në përmasa të mëdha, veçanërisht në tregjet e të ardhshmeve në mallra (anglisht - commodity futures market - treg ku tregtohen mallra me lëvrim të ardhshëm, por me çmim të fiksuar tashmë, kryesisht bëhet fjalë për lëndë të para dhe produkte bujqësore, shënim i përkthyesit) dhe tregje opsionesh (anglisht - options market - në biznesin e investimeve është një kontratë që i jep të drejtën një investitori për të blerë ose shitur aksione me tufa) , ndër të tjera që ndikojnë në produktet ushqimore. Rënia e çmimeve të aseteve në segmente të tjera të tregut, që pasojnë krizën e hipotekave (sub-prime mortgage meltdown) në SHBA, mund të jetë më e rëndësishme për të shpjeguar që rritja e çmimeve për ushqime kohët e fundit mund të jetë shkaktuar më shumë nga kufizimi i furnizimeve ose nga faktorë të tjerë, që qëndrojnë në themel të procesit të ngadalshëm për një kohë të gjatë të rritjes së çmimeve.

Ndërkohë, nuk ka dyshim se subvencionet dhe tarifat bujqësore të vendeve të pasura kanë minuar prodhimin ushqimor në vendet në zhvillim. Megjithatë, heqja e subvencioneve për fermerët do të rrisë çmimet e ushqimeve, ndonëse në etapën fillestare, meqenëse vetëm ulja e tarifave bujqësore domosdo nuk do të çojë në rritjen e prodhimit ushqimor në vendet e varfra, pa një mbështetje shtesë.

Në vend të kësaj, disa ithtarë të sigurisë ushqimore u kanë bërë thirrje vendeve të pasura për të kompensuar pasojat e pafavorshme të subvencioneve të tyre bujqësore dhe proteksionizmit, me anën e ndihmës e huaj shtesë për vendet në zhvillim, të drejtuar në rritjen e produktivitetit në garantimin e sigurisë ushqimore. Bashkësia botërore, për të shmangur katastrofën, duhet të merret urgjentisht me zgjidhjen e krizës së ushqimeve dhe mbjelljes së bimëve, sikurse u përmend më sipër, gjë që nënkupton një buxhet më bujar dhe mbështetje në bilancin e pagesave për vendet importuese të ushqimeve me të ardhura të ulëta.

Së fundi, teksa liderët u mblodhën në Romë, bashkësia ndërkombëtare duhet të kontribuojë dukshëm në mënyrë globale në sigurinë ushqimore, që nuk do ta minonin strategjitë kontradiktore.

* Titulli në origjinal: “Harvests of Hunger”

**Xhomo Kvame (Jomo Kwame) Sundaram është Zëvendëssekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Ekonomik, laureat në vitin 2007 i Çmimit "Vasili Leontiev", nobelist në ekonomi (Wassily Leontief Prize for Advancing the Frontiers of Economic Thought). Përktheu: Vladimir Mustaqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›