E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-shefi i SHIU: NATO na paralajmëroi për sabotimet

13/07/2010 Hysni Gjergji, skisha dijeni për kompaninë “SAC”

TIRANE- Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Hysni Gjergji, ka përjashtuar në dëshminë e tij dhënë para togave të zeza mundësinë e shpërthimit të fabrikës së Gërdecit, nga ndonjë rast sabotimi apo terrorizmi. Gjergji ka qenë i prerë në deklarimet e tij, duke pohuar se nga analizimi i fakteve dhe hetimit të plotë të ngjarjes nuk është konstatuar asnjë provë që do të faktonte tezën se shpërthimi është kryer nga sabotimi brenda ambienteve të fabrikës apo nga ndonjë shtet tjetër, që është kundër politikës së NATO-s. “Me kërkesë të Kryeministrit, në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, u shtrua si detyrë analizimi i të gjitha të dhënave dhe fakteve për këtë çështje, me qëllim vënien e këtyre të dhënave në dispozicion të hetimit. Nga analiza nuk rezultoi se Gërdeci mund të kishte qenë akt sabotazhi”,- tha para gjykatës ish-shefi i SHIU, Hysni Gjergji. Ndërkohë që për sa i përket pyetjes së prokurorëve se nëse kishte paralajmërime për një gjë të tillë, kreu i SHIU u përgjigj duke thënë se: Në muajin maj të vitit 2007, së bashku me ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediun, kemi zhvilluar një vizitë zyrtare në Bruksel. Gjatë takimit me shtabin e NATO-s na këshilluan se për shkak të arritjeve dhe aspiratave të Shqipërisë në proceset integruese, vendi ynë mund të kthehej në objekt sabotazhi apo terrorizmi nga vende apo organizata që kishin shprehur qëndrimin e tyre kundër Aleancës së Atlantikut të Veriut. Gjithashtu, Gjergji tha se për demontimin e municioneve në Gërdec kishte mësuar gjate disa takimeve informale në Shtabin e Përgjithshëm. Ai dëshmoi se nuk ka ditur asgjë rreth kompanisë që merrej me demontimin. Ndërsa mohoi që ish-drejtori i “MEICO”, Ylli Pinari, ti ketë kërkuar informacion për shoqërinë amerikane “SAC”, që merrej me demontimin e municioneve. Dëshmia e Hysni Gjergjit hedh poshtë pretendimet e të pandehurve të procesit gjyqësor “Gërdeci”, të cilët herë pas herë kanë reaguar në gjykatë duke thënë se fabrika e demontimit nuk ka shpërthyer si pasojë e mungesës së kushteve teknike, por shkak i tragjedisë ka qenë sabotimi. Po ditën e djeshme ka dëshmuar edhe një inxhinier i uzinës së Gramshit, i cili ka sqaruar procesin e demontimit në rrugën teknike. 28 të pandehurit e procesit akuzohen që nga “shpërdorim detyre” e deri te “vrasje masive”. Katër prej të pandehurve janë duke qëndruar në burg, ndërkohë që gjeneralët dhe pjesa tjetër e ushtarakëve gjykohet në gjendje të lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›