E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta mjeku popullor Arqile Boti

13/07/2010 Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare mjeku popullor, Arqile Boti, i njohur nga të gjithë për përkushtimin e tij ndaj mjekësisë alternative.

Mjeku i talentuar ka mbyllur sytë në banesën e tij, ndërsa vuante prej kohësh nga një sëmundje gjaku, e cila me sa duket ka qenë shkaku kryesor i largimit të tij nga kjo botë.

I lindur në Bularat të Dropullit të Gjirokastrës, ai ka studiuar në gjimnazin "Qemal Stafa" në Tiranë, ndërsa studimet e larta i ka mbaruar për mjekësi në universitetin shtetëror, në degën e mjekësisë së përgjithshme. Gjatë gjithë kohës së ushtrimit të profesionit, ai ka ditur të ndërthurë me mjeshtëri mjekësinë alternative (popullore) me atë shkencore moderne.

Madje për njohjen mjaft të mirë të kësaj të fundit, ai edhe është vlerësuar me medaljen “Mari Kyri” nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive të Kembrixhit.

Ndërkaq, ai është shpallur edhe si Qytetar Nderi i Gjirokastrës nga këshilli bashkiak. Në shkrimet për “Metropol”, ai është i njohur për këshillat në përballimin e epidemive të rënda, si dhe në analizat mbi ndershmërinë politike, zhvillimin e shoqërisë etj. Me këtë rast, gazeta “Metropol” përcjell ngushëllimet më të thella për familjarët e mjekut të mirënjohur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›