Braçe: Rezultati jo në rregull, ODIHR vëzhgon, nuk heton
Partia Socialiste kundërshtoi dje deklaratën e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, për rezultatin e zgjedhjeve. Deputeti socialist Erion Braçe tha se, “rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk është në rregull!”. Ai ripërsëriti kërkesën e PS-së për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit si një detyrim që e jep dhe Kushtetuta e vendit, por që mbështetet dhe nga raporti i OSBE/ODIHR-it. “Raporti i ODIHR-it është një raport vëzhgimi, nuk është një raport hetimi. Ai ka sjellë fakte të forta për sjelljen e ‘Wild dog-ut’ qeveritar, shfaqur gjatë zgjedhjeve! Faktet e raportit të ODIHR-it janë indicie të forta që forcojnë kërkesën për hetim! Hetim që do të prodhojë një të vërtetë reale, të thelluar e faktuar mbi zgjedhjet! Çereku i të vërtetës mbi votat, të numëruara keq dhe shumë keq - konstatuar në raportin e ODIHR-it, duke përdoruar mundësitë e pakta të kufizuara deri këtu nga Berisha, ka nisur të dalë në dritë, duke filluar nga kryeqendra e manipulimit të votave, Shkodra, territori elektoral i dhunuar nga numri 2 i shtetit formal, Jozefina Topalli! E vërteta duhet të dalë në dritë plotësisht edhe në Tiranë, edhe në Berat, kudo ku vota është vjedhur, përmes hetimit dhe një raporti hetimi! Ky nuk është asnjëherë vendimi që ndryshon rezultatin në tavolinë”, deklaroi Braçe. Deputeti socialist e konsideroi situatën në të cilën po kalon vendi si krizë shumëplanëshe. “Sot jemi përballë një krimi të përsëritur - manipulimit të zgjedhjeve, një keqbërësi përsëritës - Sali Berishës dhe të njëjtës krizë si 13 vite më parë, asaj të paszgjedhjeve të 26 majit 1996. Duke abuzuar ekstremisht me fjali formale të ‘watch dog’-ut ndërkombëtar, Sali Berisha po vë përballë kërkesave kushtetuese të opozitës së vjedhur, jo vetëm të majtë, ‘wild dog’-un qeveritar. PS-ja ka qenë e qartë dhe korrekte, ka të gjithë vullnetin për të zgjidhur këtë krizë”, tha Braçe. Sipas tij, ajo që PS-ja po kërkon është “vënia e procesit zgjedhor nën një dimension legal-të vërtetës ligjore, përmes një instrumenti kushtetues-hetimit, në referencë të një standardi ndërkombëtar-transparencës! Kushtetuta e Republikës ka garantuar në nenin 77/2, hetim pa kufi, si e drejtë-detyruese për Kuvendin e ¼ së deputetëve!”