Ligjet, Kuvendi në vështirësi
BLEDAR HOTI
Maxhoranca vihet në vështirësi në miratimin e projektligjeve të paraqitura nga qeveria. Mungesa e opozitës në Kuvend po sjell jo pak anomali në punën e përditshme parlamentare, duke bërë që të mos ketë projektligje gati për t’u miratuar nga ana e Kuvendit. Prej dy ditësh komisioni parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese nuk po arrin të kalojë projektligjet për shkak të mungesës së deputetëve. Kështu mos prania e dy deputetëve Bedri Hoxha i PD-së dhe Dashamir Tahiri të PDU-së solli mos votimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit “Për Autoritetin Rrugor”. Kryekomisioneri Jemin Gjana ka pritur për mbi 20 minuta që dy deputetët të ishin prezentë në mbledhje, por dy deputetët nuk erdhën në komision. Kjo bëri që Gjana, në mungesë të kuorumit të nevojshëm të ndërpresë për të dytën ditë radhazi mbledhjen. Ndërsa komisioni parlamentar i Shëndetësisë, edhe pse me mungesë të numrit të deputetëve të opozitës, po vazhdon mbledhjen e tij, duke miratuar projektligje të ndryshme. Te Komisioni i Ligjeve, mungesa e kryekomisionerit Ilir Rusmalit ka sjellë që të mos zhvillohet mbledhjet, pasi nuk ekziston kuorumi i nevojshëm i deputetëve. Deputeti i PD-së, Rusmali ndodhet në Strasburg ku merr pjesë në punimet e Parlamentit të KE-së, si përfaqësuesi kryesor i Shqipërisë. Komisioni i Ligjeve, pa opozitën, ka 11 deputetë të maxhorancës, por nëse një deputet mungon e bën të mundur kalimin e projektligjeve të paraqitura për shqyrtim dhe miratim. Kuvendi ndërkohë ka anuluar seancën e ditës së sotme, të së enjtes, për shkak se komisionet nuk kanë miratuar ende projektligjet. Në axhendën e datës 1 tetor janë planifikuar votimi i disa projektligjeve, të cilat janë votuar në seancën e së hënës së kaluar që kanë të bëjnë me paketën fiskale. Kështu në rendin e ditës sipas kalendarit të punimeve ishin parashikuar që të shqyrtoheshin projektligjet “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”,
“Për përgjimin e telekomunikacioneve”, “”Për taksat kombëtare””. Përveç “Përgjimit të telekomunikacioneve”, projektligjet e tjera janë shqyrtuar dhe miratuar në seancën e së hënës. Komisioni parlamentar i Sigurisë, ende nuk e ka rimarrë në shqyrtim një projektligj të tillë. Nisur nga kjo situatë, Kuvendi ka vendosur që sot të mos ketë seancë, por të mblidhen komisionet parlamentare për të shqyrtuar projektligjet. Në ditën e sotme pritet të mblidhen katër komisionet parlamentare të Ekonomisë, të Ligjeve, i Jashtëm dhe i Veprimtarisë Prodhuese.