E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi Berisha merr Shërbimin Informativ Shtetëror

Autori i Lajmit: S. TopiSiç kishte paralajmëruar dhe disa javë më parë kryeministri Sali Berisha prezantoi dje ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit ose i njohur më parë si SHIK.
Në bazë të këtyre ndryshimeve është kufizimi i mandatit të drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror në 5 vjet. Në këtë mënyrë do të bëhet i mundur largimi i Bahri Shaqirit, i cili më 27 janar 2005 është dekretuar si Drejtor i Shërbimit Informativ dhe Ylli Alushit, i cili që prej vitit 2003, është zëvendësdrejtor i SHISH. Një mënyrë e tillë është përdorur për largimin nga posti edhe të Prokurorit të Përgjithshëm, i cili më parë nuk kishte mandat, ndërsa tashmë duhet të ndërrohet çdo pesë vjet. Në projektligj nuk ndryshon mënyra e propozimit dhe emërimit përkatësisht nga Kryeministri dhe Presidenti i drejtuesve të SHISH, por është shtuar një filtër kontrolli që rrit rolin e Parlamentit në zgjedhjen e tyre. Pas propozimit nga Kryeministri, drejtori i SHISH duhet të marrë ok-in e komisionit të Sigurisë Kombëtare. Qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve, që sipas kryeministrit Berisha janë të domosdoshme për Shqipërinë në NATO dhe aspirante për në Bashkimin Evropian, është zgjerimi i objektit të veprimit të SHISH për luftën kundër krimit të organizuar. Por për herë të parë, nëpunësit shtetërorë do të jenë nën lupën e punonjësve të SHISH në emër të luftës kundër korrupsionit.
Berisha
Ndryshimi, sipas kreut të ekzekutivit, synon të vendosë shërbimin informativ në ndihmë të agjencive që merren me luftën ndaj krimit të organizuar, ndërsa i vendoset tashmë një mandat 5-vjeçar me të drejtë riemërimi vetëm një herë drejtorit të përgjithshëm të SHISH. “Ligji përcakton afatin 5-vjeçar të mandatit të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit. Nuk ekziston në asnjë vend të lirë drejtor apo zv.drejtor pa mandat të caktuar, për më tepër kur në disa aspekte ligji e barazon me ministrin”, - u shpreh Berisha. Por vendosja me ligj e një mandati 5-vjeçar për drejtorin e SHISH vendos gjithashtu në pikëpyetje të vazhdimit të detyrës së kreut aktual të SHISH, pasi më 7 shkurt bëhen plot 5 vite që nga emërimi i tij në këtë detyrë, me firmë të ish-presidentit Alfred Moisiu. Ndryshimi parashikon gjithashtu ndihmesën që agjencitë e SHISH do të japin në mbledhjen e informacionit për kontrabandën, pastrimin e parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike. “Në objektin e punës qartësohet më mirë detyra e shërbimit për të ndihmuar agjencitë e zbatimit të ligjit në luftën kundër krimit të organizuar. Shtohet një objektiv i ri, lufta kundër korrupsionit të personave publikë”, - tha Berisha. Sipas Kryeministrit, nuk do të ketë ndryshim në procedurat e emërimit të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit.
Ndryshimet
Pas ndryshimeve të bëra, neni 3 i ligjit “Për Shërbimin Informativ të Shtetit” parashikon se SHISH ka për detyrë të mbrojë sigurinë kombëtare, të mbledhë informacion për prodhimin, trafikimin e armëve e të lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe për krimet kundër mjedisit; të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda; të mbledhë, me miratimin e Kryeministrit, të mbrojë sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve dhe të pasurisë, me mjete të përshtatshme, përfshirë verifikimin dhe kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve; të certifikojë personat, sipas përcaktimeve ligjore dhe të kryejë veprimtari mbështetëse tekniko - administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme. Pas nenit 5 shtohet neni 5/1, me këtë përmbajtje: 1. Me propozimin e Kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare. Drejtori qëndron në detyrë për një mandat 5 - vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›