E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stop

Elsa Ballauri Shumë shpesh, kur udhëtoj me makinë, kujtoj Olesjën dhe ikjen e saj absurde nga kjo botë: si një dritë që vetëtin aq bukur sa të duket se nuk mund të shuhet kurrë… Përveç lidhjes së afërt që kisha me të, e cila nuk i le dot kujtimet të sfumohen as nga koha, Olesja Basha ka lënë pas një mal me mall ndërsa ikja e saj la pas një re absurde, që më vërtitet në mendje sa herë marr kthesat e forta, apo eci në rrugët e pasigurta të Shqipërisë. Olesja nuk e ndoqi asnjëherë rregullin e STOP-it sepse ishte një e re e pamësuar ende me kufizimet. Po ama, askush nuk i tha se duhej të ndalej. Një pasion për motorin dhe tragjedia që e pasoi, lanë pas saj boshllëkun... Në këto raste, flitet edhe për një mekanizëm që njerëzimi prej shekujsh e ka krijuar, ky quhet shtet i cili ka krijuar ca struktura pa të cilat s’bëhet dot, që quhen struktura të rendit publik. Individi mund edhe të bëjë ç’t’i teket, të harrojë apo të kujtohet se duhen ndjekur rregullat, sistemi i rendit publik nuk harron asnjëherë, ai është një robot që vetëm vëzhgon dhe vepron: i palodhshëm, i kudogjendshëm, i përsosur. Kështu duhej të ndodhte edhe në rastin e Olesjes. Me pak ndryshime, pasojë e kësaj lloj mospjesëmarrje të policisë, është edhe rasti i Dritan Hoxhës, pronari i Top Channel, i cili e pësoi se “përkëdhelej” nga policia rrugore për arsyen pa arsye, meqë ishte një njeri publik. Vetëm shqiptarët mund ta besojnë se të jesh person publik duhet dhe mund të bësh ç’të duash,…se kjo s’ka problem…se edhe Zoti të mbron.Rasti i fundit, i prag vitit të ri me të rinjtë që fluturuan në mes të kryeqytetit, ishte një tragjedi spektakolare dhe e tmerrshme. Mungesa e një STOP-I, i largoi vetëm për pak minuta nga jeta disa të rinj që po ktheheshin nga argëtimi. Ku ishin kontrollet e policisë për pije, që natyrshëm duhej të qëndronin vigjilentë në net të tilla. Në këto raste, policët e trafikut duhej të ishin në një extra tension, me më tepër përgjegjësi për të siguruar jetët e njerëzve. Policia që duhet të jetë e preokupuar të mbajë rendin, shpesh hutohet, s’ka parashikuar kapacitetet, neglizhon, korruptohet.Tashmë dihet se si drejtohen makinat në Shqipëri, për vite me radhë patentat u morën në mënyrë abuzive, ende merren kësisoj. Kemi të bëjmë me qytetarë të parregullt dhe me polici të parregullt. Qytetarët shpesh i dinë rregullat e qarkullimit, por për shkak të disa arsyeve të kulturës së tyre, nuk i zbatojnë ato. Mungesa e gjatë jo vetëm vizuale dhe reale e automjeteve, por mungesa e gjatë e kujtesës dhe dimensionit të personalitetit të njeriut, që mbart me vete përdorimi i një automjeti, i ka bërë shqiptarët që edhe pas dy dekadave të mos “ngopen” akoma me këtë lloj lirie. është e njohur që shqiptarët nuk funksionojnë kudo si qytetarë të çrregullt, kjo është në varësi të vendit ku ata janë. STOP- I, është një nga shenjat magjike të trafikut. Ende nuk e kemi fiksuar as në koshiencë.Kam një eksperiencë të veriut të Amerikës në lidhje me këtë. Një nga shenjat e shumta, që e gjen kudo, është STOP. E shkruar me gërma të mëdha e të bardha, në sfond të kuq. Përpara disa vitesh, kur isha në Utica, të New Yorkut, miku im Ted Orlin që më kishte dhënë makinën e tij për ta përdorur, më dha vetëm një këshillë: respekto STOP-in, sepse ju në Shqipëri nuk e keni…Duke ngarë makinën, atëherë edhe më vonë, e kuptova se STOP-i nuk është vetëm për ty, por edhe për këmbësorin, edhe për fëmijën dhe plakun që kalon rrugës dhe kuptova se STOP-i është i shenjtë: është një nga shenjat që dënohen më rëndë nëse nuk zbatohet. STOP-i të përqendron vëmendjen dhe vetvetiu të bën të kujdesshëm.Vërtet… në Shqipëri pothuajse nuk e kemi, ose e kemi shumë rrallë dhe shumë pak flasim dhe ndërgjegjësojmë për të. Duke iu rikthyer përsëri veriut të Amerikës, e këtë radhë Torontos së Kanadasë, një qytet i madh me pothuajse të gjithë të ardhur. Emigrantë nga e gjithë bota dhe kryesisht nga vende me shumë probleme politike, ekonomike, të rendit e natyrisht edhe me probleme në mënyrën e respektimit të rregullave, trafikut… E megjithatë, të gjithë janë të qetë në dhënien e makinës, janë të kujdesshëm, të saktë, tmerrësisht të vëmendshëm ndaj STOP-eve, sikur të gjithë të jenë të lindur me gjak anglo sakson. Në fillim, duket e pabesueshme, por po të mendohesh pak kupton se kjo është një nga dimensionet e qeverisjes së mirë. Gjithmonë kur je larg Shqipërisë dhe sheh ndryshime të forta, të vjen keq, por ke edhe ndjenjën, se pse jo, çdo gjë mund të bëhet shumë mirë edhe tek ne, me pak vullnet….Kjo është gjëja më optimiste dhe më pesimiste njëkohësisht: vullneti që e kemi brenda nesh e s’duam ta përdorim. Ky dyzim i bën emigrantët shqiptarë që i binden rreptësisht rregullit në vendet e huaja, që sapo të vijnë në Shqipëri, të hedhin mbeturinat nga dritarja e makinës, apo të mos respektojnë tabelat e shpejtësisë. Por një tjetër problem i madh që e bën edhe punën e policëve rrugorë të vështirë, është mungesa e shenjave të mira gjatë rrugëve. Për fat të keq politika ecën sipas parimit të piramidës, se nëse do duhej më shumë opinion specialistësh, disa gjëra mund të ishin ndryshuar tashmë. Mjafton të ecësh nëpër Qafën e Krrabës dhe ta ndjesh se edhe nëse ke dëshirë të respektosh shenja trafiku, ato s’do t’i gjesh dot. Në këtë rrugë të shkon shumë shpesh ndër mend se sa pa vlerë i konsiderojmë jetët tona…STOP-i është psikologjik. Duhet ta përdorim krahas në mënyrën tonë të jetës: t’i themi vetes Stop për të mos lënduar tjetrin, t’i themi vetes Stop për të mos ta vrarë dhe ofenduar tjetrin, t’i themi vetes Stop për të shfrytëzuar postin e për të marrë ryshfetin e radhës nga makinat që kalojnë, t’i themi vetes Stop që të mos abuzojmë vullnetin e njerëzve që na kanë besuar postin. Nëse shteti do ta krijojë siç duhet strukturën e vet për të kërkuar llogari te qytetari për shkelje pa e tejkaluar veprimin e vet, atëherë pengesa psikologjike e Stop-it do të rrëzohet dhe ai do të marrë vetëm formën e një shenje që duhet ta respektosh se ndryshe nuk respekton dot veten dhe tjetër. …Dhe aq më shumë për të mos larguar më shumë njerëz nga kjo botë fare pa lidhje e për të mos i bërë të tjerët të trishtohen nga humbja e të afërmve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›