E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, OSSH e “Taçi Oil” fajësojnë stadiumin

 Leonard KarajOperatori i Sistemit të Shpërndarjes së energjisë (OSSH) dhe kompania “Taçi Oil” fajësojnë Drejtorinë e stadiumit për skandalin e black-out, mbrëmjen e së mërkurës. OSSH është shfajësuar nga ana e saj duke i hedhur plotësisht fajin për ndërprerjen e energjisë në stadium vetë drejtorisë së këtij institucioni sportiv. “Ne shprehim keqardhje për situatën e vështirë që ndodhi në stadium gjatë një prej aktiviteteve më të veçanta sportive në Shqipëri. Ndërprerja e energjisë elektrike sigurisht që pengoi zhvillimin e suksesshëm të këtij aktiviteti. Megjithatë OSSH nuk mban përgjegjësi për problemin e shkaktuar pasi ajo nuk ka kontroll mbi shpërndarjen e brendshme të tensionit të lartë brenda stadiumit “Qemal Stafa”, qark i cili bën të mundur furnizimin e projektorëve ndriçues të stadiumit. OSSH-ja nuk ka një kontratë që përcakton sigurimin me gjenerator të klientit të vet. Defekti gjatë ndeshjes ka ndodhur në nënstacionin që është në përgjegjësinë e menaxherëve të stadiumit”, thuhet në deklaratën për shtyp shpërndarë dje për mediat nga ana e OSSH-së.Sipas përfaqësuesve të kësaj kompanie, tre ditë më parë i është drejtuar Drejtorisë së Stadiumit një shkresë zyrtare, ku i kërkohej që në rast nevoje, OSSH t’i ofronte një gjenerator rezervë. Por nuk ka pasur asnjë përgjigje nga pala e stadiumit. Duke qenë se OSSH-ja është tashmë një kompani private, çdo shërbim ekstra që ajo ofron, si në rastin konkret gjeneratori, do të bëhej me pagesë, por mesa duket stadiumi nuk ka dashur të hedhë para. “Më 20 janar, OSSH me iniciativën e saj u ka dërguar një letër, e cila është e protokolluar nga administrata e stadiumit, ku shpjegohet se nëse do të kërkohej sigurimi i një gjeneratori nga OSSH-ja, duhej nisur një kërkesë nga menaxheret e stadiumit dhe ky shërbim mund të plotësohej në këmbim të një pagese. OSSH i kishte ofruar stadiumit edhe listën e punonjësve të vet, të cilët do të ishin ne gatishmëri për ndonjë defekt të mundshëm në rrjet. Nga menaxhimi i stadiumit ne nuk morëm asnjë përgjigje për sinjalizimet tona”, thuhet në deklaratë.Ndërkaq edhe kompania “Taçi Oli” pohon se ka bërë thuajse të njëjtën gjë me drejtorinë e stadiumit ku i ka kërkuar në mënyrë zyrtare marrjen e masave për ndriçimin e impiantit nga ora 17:00 deri më 21:00 të mbrëmjes së mërkurë. Letra i është drejtuar ish-drejtorit të stadiumit Perikli Dhales, i cili nga ana e tij nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Gjithsesi edhe nga kjo kompani dje janë marrë në pyetje disa punonjës të cilët ishin të angazhuar në mbarëvajtjen e gjithçkaje në ambientet e stadiumit. Kundër OSSH-së ka dalë MTKRS-ja si dhe ish-drejtori i stadiumit Perikli Dhales. Ky i fundit, në një prononcim për gazetën “Panorama” ka theksuar se nuk është ai shkaktari dhe fajtori i skandalit të “Qemal Stafës”. Dhales ka pohuar se do të lërë gjithçka në dorë të organeve kompetente për të zbardhur çështjen në fjalë. “Di t’ju them se nuk jam unë as fajtori dhe as shkaktari i asaj që ndodhi në mbrëmjen e së mërkurë në stadiumin “Qemal Stafa”. Momentalisht nuk mund të flas shumë por di të them se nuk është detyra ime ajo që ndodhi aty sepse është e tjetërkujt dhe për këtë duhet të përgjigjet ai që e ka për detyrë. Do të pres që për këtë gjë të shprehen organet kompetente që po merren aktualisht me këtë çështje. Nga ata pres që të gjejnë fajtorët realë dhe ngarkimin e  përgjegjësive të gjithsecilit, në këtë ngjarje të shëmtuar do të thosha”, ka pohuar ish-drejtori i stadiumit “Qemal Stafa”, Perikli Dhales. “Taçi Oil”: Të gjenden përgjegjësitKompania “Taçi Oil” nëpërmjet një deklarate për shtyp ka kërkuar gjetjen sa më për të përgjegjësve që shkaktuar skandalin e errësirës në stadiumin “Qemal Stafa”. Kompania thekson se ka përmbushur të gjitha detyrimet e nevojshme ndaj stadiumit për ndeshjen në fjalë, ndaj kërkon që të gjenden sa më shpejt shkaktarët e atij skandali. “Kompania “Taçi Oil” e konsideron si shumë të suksesshëm turneun e tretë dhe pavarësisht incidentit të shkaktuar është e bindur ka arritur ti përcjellë publikut jo vetëm vlera të padiskutueshme sportive dhe humanitare, por edhe një entuziazëm të jashtëzakonshëm”.Braçe: Dështim nga paaftësiaSocialistët iu referuan skandalit të ndodhur gjatë ndeshjes Real Madrid-Gramozi për të akuzuar mënyrën e funksionimit të shtetit. Sipas deputetit Erjon Brace ky është imazhi i një Shqipërie që funksionon si “Sulltanat”, ku në mes të krizës ekonomike, që sipas tij ka zaptuar të gjithë vendin dhe Shkodrën, e cila është rrënuar plotësisht, shpenzohen për 4 orë 2,5 milionë euro. “Sot u mësua se për prishjen e ahengut të klientit të qeverisë së Sali Berishës, u shkarkua një drejtor, u shoqëruan për t’u pyetur mbi 12 nëpunës, iu nënshtruan hetimit policor po kaq nëpunës! Sot është dita e 25-të që kur Shkodra e Lezha u mbytën, nga i njëjti shtet, por asnjë drejtor nuk është shkarkuar”, u shpreh Braçe.Ministria e Sporteve: OSSH e Dhales, përgjegjësit kryesorëKëshilli Mbikëqyrës i Fushave pranë Ministrisë së Sporteve analizoi skandalin pas incidenteve në “Qemal Stafa”, gjatë takimit miqësor ndërkombëtar Gramozi i Ersekës–Real Madrid, ku për 90 minuta u ndërpre energjia elektrike në katër kullat ndriçuese për shkak të djegies së transformatorit. Sipas Fortuzit, këshilltari i ministrit të Sporteve dhe kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, përgjegjës kryesor është Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH. “Me urdhër të Ministrit (Xhaferri) sot (dje) është ngritur një grup punë me përfaqësues të ministrisë sonë, Ekonomisë, për të marrë në shqyrtim një reformë të thellë në drejtimin e ambienteve sportive, përfshirë stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” dhe pallatit të sportit (“Asllan Rusi”), për të ndryshuar formën e administrimit të këtyre objekteve sportive”, tha Fortuzi në konferencën për shtyp.Fortuzi theksoi se përgjegjës është edhe ish-drejtori i stadiumit, Perikli Dhales, madje duke shtuar se ka dyshime të forta dhe për sabotim. “Shkarkimi i drejtorit Perikli Dhales u bë pasi ai lejoi zhvillimin e ndeshjes, edhe pse nuk kishte marrë masat e parashikuara nga rregullorja dhe masat e vendosura nga UEFA dhe FIFA, të cilat duhet të siguroheshin nga OSSH-ja dhe që lidhen me furnizimin alternativ me energji të stadiumit.Fortuzi, një ish-futbollist i shquar i Tiranës, pohoi se nuk u zbatuan rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s për zhvillimin e ndeshjeve me ndriçim, ndërkohë që OSSH-ja, tashmë e administruar nga një kompani çeke, nuk siguroi furnizim alternativ me energji. Këshilltari i ministrit Xhaferri, tha se ndeshja nuk duhet të fillonte pa qenë i pranishëm gjeneratori në stadiumin “Qemal Stafa”. “Përgjegjësia është e OSSH-së, pasi ajo ka bërë një kontratë me firmën “Taçi Oil” për ta marrë në mbikëqyrje stadiumin e ndeshjes, Nuk e ka respektuar, pasi nuk ka pasur gjenerator në stadium”, ka thënë ai.Hetimet: U dogj transformatoriLeonard KarajDjegia e transformatorit ka sjellë errësirën gjatë ndeshjes Gramozi-Real Madrid në “Qemal Stafa”, ndërkohë që pritet të formulohet akuza për ish-drejtorin e këtij impianti, Perikli Dhales. Në pamje të parë, kjo është ajo çka ka nxjerrë hetimi i nisur dje nga Prokuroria e Tiranës dhe policia. Vetëm dje janë shoqëruar rreth 25 persona, kryesisht punonjës të stadiumit të cilët janë pyetur për incidentin në fjalë. Ndërkaq mësohet se nuk është formuluar ende, ndonjë akuzë për ish-drejtorin Perikli Dhales, i cili pritet të akuzohet për shpërdorim detyre. Prokuroria e Tiranës në bashkëpunim me policinë kanë ngritur grupin hetimor me oficerë të policisë gjyqësore, kriminalistë dhe ekspertë të fushës. Gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar edhe disa punonjës të kompanisë “Taçi Oil”, të cilët janë marrë me organizimin e aktivitetit. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se punonjësit e qendrës sportive kanë pretenduar se kanë respektuar vetëm kontratën, sipas të cilës, kompania organizatore e ndeshjes “Taçi Oil”, nuk kishte të parashikuar sigurimin e një gjeneratori, në rast defekti.Kabina elektrike është kontrolluar imtësisht gjatë ditës së djeshme, por burime jozyrtare pranë prokurorisë bëjnë të ditur se konkluzioni, sipas të dhënave paraprake, do të tregojë se ngjarja e rëndë ka ndodhur si pasojë e djegies së transformatorit, pa të akuzuar dhe fajtorë. Konkluzion ky, që nuk pranohet nga Ministria e Sporteve. Kjo ministri nëpërmjet këshilltarit për sportin Indrit Fortuzi ka akuzuar OSSH-në dhe ish-drejtorin Perikli Dhales. E menjëhershme ka qenë kundërpërgjigjja e OSSH-së e cila ka hedhur poshtë çdo përgjegjësi të vërtetuar me kërkesën zyrtare drejtuar drejtorisë së stadiumit.Gjithsesi prokuroria ka pohuar se pista kryesore e hetimit është ajo e ndërprerjes së energjisë për shkak të një defekti në transformator i ardhur nga mbingarkesa. Vendimi i parë që u mor, menjëherë pas skandalit ishte ai i shkarkimit të drejtorit të stadiumit “Qemal Stafa”, Perikli Dhales. Ky i fundit ishte përgjegjësi direkt për atë çfarë ndodhi, duke qenë se mungonte gjeneratori rezervë, i domosdoshëm në rastet kur një ndeshje luhej natën. Presidenti i Realit Florentino Perez, për çudi ka qenë më i qetë në këtë histori. “Nuk ka asnjë problem, gjëra që ndodhin”, ka përsëritur ai gjatë kohës kur në stadium kishin ikur dritat. Për të nuk ishte hera e parë, pasi Realit i ka ndodhur kjo në vitin 2003, në një ndeshje me Real Sociedad që u ndërpre dhe u riluajt. Ikja e energjisë ndodhi atëherë kur nga tribuna ndeshja po ndiqej nga ministri i Sporteve Ferdinand Xhaferri dhe ministri i Energjetikes Dritan Prifti dhe ndeshja transmetohej live në Shqipëri dhe Spanjë. Ndeshja rifilloi 85 minuta më vonë pasi erdhi një gjenerator tjetër i marrë nga institucione të tjera. Ministri i Sporteve Ferdinand Xhaferri hodhi tezën se ikja e dritave në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” mund të jetë bërë me qëllim. Ai pranoi se nuk ka fakte për momentin, por sipas tij, edhe kjo pistë duhet të hetohet. “Nuk kam fakte, por ka shumë arsye përse mund të jetë bërë kjo. Përveç defektit, mund të ketë pasur sabotim apo një heqje e dritave me qëllim” deklaroi Xhaferri. Edhe Partia Socialiste reagoi mbrëmë ndaj ngjarjes duke fajësuar qeverinë e kryeministrit Berisha për këtë ngjarje e cila e bërë Shqipërinë “gazi i botës”. Ndërsa nuk ka munguar edhe një deklaratë e kompanisë “Taçi Oil”, e cila ka kërkuar hetimin dhe nxjerrjen sa më shpjet të përgjegjësve para ligjit.Shehi, bisedat me Kasijas dhe DudekPërveç kënaqësisë së veçantë dhe lojës me nivel që tregoi në këtë ndeshje, Orges Shehi do ta kujtojë ndoshta për vite të tëra. Kjo për faktin se në dhomat e zhveshjes ai ka pasur mundësinë të bisedojë port minuta të tëra me dy portierët legjendarë të skuadrës madrilene, Iker Kasijas dhe Xherzi Dudek. “U takova për 5-10 minuta me Iker Kasijas dhe fola me të. I mora bluzën si dhuratë dhe më pyeti thjesht për karrierën time. Më pas fola ca më gjatë me portierin tjetër, Dudek. E pyeta sesi kishte mundur të priste 3 penallti Milanit në finalen e Championsit në 2005-ën kur ai luante për Liverpulin. Më tha se kishte qenë në një formë të shkëlqyer, në një natë pozitive dhe të paharrueshme. Më dha edhe ai bluzën e tij si kujtim”, pohoi Shehi.Xhafa: Ndihem Krenar, aq dhe i turpëruarNjeriu i vetëm që realizoi ëndrrën e tij duke shënuar në portën e Realit të Madridit, Daniel Xhafa, ndihet sa krenar aq edhe i turpëruar për sa ndodhi gjatë atij takimi. Sulmuesi i Besës tregon ankthin dhe trishtimin të mbërthyer edhe me kënaqësinë që i fali pjesa e parë, teksa ndodhej në dhomat e zhveshjes në pritje të fraksionit të dytë të lojës. “Imazhi i Shqipërisë është i shkatërruar. Kur ne nuk arrijmë të sigurojmë as më minimalen në fushat e futbollit, ndriçimin, ç’pret pastaj më shumë nga një vend. Për mua është një skandal i vërtetë për më tepër kur luanin ndaj një skuadre elitare si Reali i Madridit. Më vjen mirë që arrita të shënoj gol edhe ndaj kësaj skuadre, por nga ana tjetër ndihem i turpëruar për çka ndodhi më pas”, ka thënë Xhafa.Sollaku, drejtori i ri i stadiumitKryetari i Këshillit Mbikëqyrës të Stadiumit Qemal Stafa, Indrit Fortuzi ka zyrtarizuar dje në një konferencë për shtyp largimin e Perikli Dhales, si drejtor i stadiumit “Qemal Stafa” dhe emërimin në vend të tij të ish-futbollistit të njohur të Dinamos Gazmend Sollaku. “Shkarkimi i drejtorit aktual bëhet për shkak se ai lejoi fillimin e ndeshjes edhe pse nuk ishin marrë masat e parashikuara në rregulloren, të vendosura nga UEFA dhe FIFA të cilat duhet të siguroheshin nga OSSH-ja dhe që lidhen me furnizimin alternativ me energji elektrike” u shpreh Fortuzi.Devolli: Madrilenët donin të ikninTension, ankth, mërzi dhe dëshirë për t’u larguar sa më parë nga stadiumi e Shqipëria. Kështu paraqitet në pak fjalë gjendja alarmante e futbollistëve të skuadrës së Realit të Madridit nga ana e lojtarëve të Tiranës, Bledar Devolli. Sipas tyre, lojtarët e Realit ishin me valixhe në dorë për t’u larguar, teksa panë se dritat në stadium nuk po ndizeshin. “Në errësirë u bë një kaos i vërtetë. Edhe vetë ne u çuditëm, jo ata (lojtarët e Realit) që nuk janë mësuar me të tilla gjëra. Me sa pashë unë, ata po bënin gati valixhet për t’u larguar nga stadiumi”, është shprehur Devolli.Brazilianët e Gramozit, me bluzat e YjeveMund të thuhet me plot gojë se ata kanë qenë më të favorizuarit nga lojtarët që vishnin fanellën e Gramozit mbrëmjen e së mërkurës në “Qemal Stafa”. Fakt është se duke njohur më së miri gjuhën spanjolle por jo vetëm, duke qenë se një pjesë e mirë e lojtarëve të Realit të Madridit janë brazilianë, si Dos Santos, Olivera dhe Martins nuk e kanë pasur të vështirë të komunikojnë dhe të marrin fanellat e yjeve të kësaj skuadre. Ata kanë marrë bluzat e Raul, Kaka dhe Benzema dhe një ditë më vonë, sapo kanë mbërritur në Ersekë ua kanë dhuruar miqve të tyre në këtë qytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›