E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të pastrehët rrezikojnë të humbasin shtëpitë

Korçë, 300 vetë janë hedhur në protesta pasi nuk kanë mundësi që të paguajnë këstin mujor për shtëpinë

KORÇË- Ish-të pastrehët në Korçë rrezikojnë të humbin sërish shtëpitë e tyre për shkak të kësteve të larta që duhet të paguajnë. Ata janë hedhur dje në një protestë duke kërkuar nga shteti uljen e këstit që është rreth 15 mijë lekë të reja në muaj. Bëhet fjalë për banorët e dy pallateve me nga 40 apartamente secili që ndodhen përgjatë unazës së Korçës. Shumica e banorëve që kishin përfituar statusin e të pastrehut këtë mundësi të banimit e kanë përjetuar fillimisht si një mrekulli por gëzimi i tyre mori fund kur u përballën me vlerën që duhet të paguanin për shlyerjen e banesës së tyre. Një vleftë shumë e lartë e cila shpesh kalonte vlerën reale të ndërtimit të banesës së tyre. Edhe pse do ta shlyejnë me këste, shuma që duhet të paguajnë çdo muaj është tepër e lartë. Kjo është arsyeja pse shumë prej banorëve kanë muaj të tërë që nuk kanë shlyer asnjë këst. Madje sipas pohimeve të tyre ka shumë familje që prej një viti nuk kanë derdhur asgjë pranë Entit të Banesave në Korçë ku paguajnë detyrimin rreth 15 mijë lekë. "Jemi pa punë, vetëm me një asistencë. Nuk kemi me se të hamë bukë e jo më të paguajmë këstin", -është shprehur Lytfie Dano, një prej banoreve. Situata duke e rëndë, ndërsa 300 banorët ndihen të kërcënuar pasi do të mbeten sërish pa çati, pasi mundësia për të paguar çdo muaj këstin e vendosur nga shteti nuk ekziston. Gati pjesa më e madhe e këtyre familjeve vjen nga një shtresë e ulët me probleme të theksuara sociale, ndërsa papunësia duket se mbretëron tek të gjitha këto familje. Ndërkaq pranë Entit të Banesave në Korçë, ku ish- të pastrehët duhet të paguajnë detyrimin mujor, mësohet se ka shumë familje që për më tepër se një vit nuk kanë paguar asnjë detyrim. Kjo zyrë ka nisur dërgimin e lajmërimeve paralajmëruese të shlyerjes në kohë të borxhit, ose në të kundërt do t'iu duhet të kthehen sërish në gjendjen e tyre të mëparshme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›