Himçi: Si do arrestoja Nanon e Berishën
Ish/ zv/prokurori dhe zv/ministri tregon marrëveshjen sekrete për ngjarjet e shtatorit 98', çështjen "e të gjashtëve" dhe tentativat për të vënë nën akuzë dy shkaktarët e kaosit në Shqipëri
Për herë të parë, pas shtatë vitesh heshtjeje ish- zv/prokurori i përgjithshëm dhe zv/ministri i Rendit, i dënuar për skandalin e parë të pasaportave, Bujar Himçi, akuzon Nanon dhe Berishën si shkaktarë të dramës së tij. Ai akuzon dy politikanët se janë hakmarrë sepse kishte kërkuar arrestimin e tyre për abuzimet që kishin bërë në Shqipëri. "Nuk do të më "falnin" që për të dy, kur isha prokuror, kam kërkuar vendosjen e tyre nën akuzë penale. Berisha, si organizator i kryengritjes së armatosur në shtator 1998, Nano për braktisje detyre",- thotë Himçi. Juristi i vjetër analizon dhe koncesionin e letërnjoftimeve dhe pasaportave të reja dhe e konsideron atë si një super-skandal. Në një intervistë të gjatë, të parën mbas një heshtjeje shumë vjeçare, Himçi nuk ka mllef por flet qetë për të shkuarën e tij, për raportet e vështira me politikën që ndërhynte në profesionin e dhënies së drejtësisë, për Berishën dhe Nanon, për vitin 1997 dhe grushtin e shtetit të një viti më pas, për arrestimin e të gjashtëve të PD-së në gusht 1998, flet dhe për inkurajimin që i ka dhënë e njëjta "ikonë" e shpresës demokratike në Shqipëri, SHBA-ja.
Keni punuar gjatë në Prokurorinë e Përgjithshme, një detyrë të cilën e nisët pas vitit 1997. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Sot më duket sikur ka kaluar një shekull. Jo në kuptimin e asaj çfarë ka ndodhur me mua, por me atë që rëndoi mbi të gjithë këtë popull. Ndonjëherë më ngjan si një ëndërr e keqe ai vit i marrëzisë kolektive, por fatkeqësisht një ëndërr që e jetuam të zgjuar në ankthe dhe makthe, pasojat e cilave do t´i vuajmë shumë më gjatë sesa mendojmë. E gjithë struktura e shtetit kishte rënë, nuk kishim polici e ushtri, nuk kishim gjykata dhe prokurori. Ishim ndoshta i vetmi vend në botë që nuk kishim as të burgosur të cilët kishin "rifituar" vetë lirinë, por kishim pothuaj një milion automatikë në duart e popullatës dhe shumë urrejtje mes njëri-tjetrit, kishim dhjetëra e qindra banditë që bënin ligjin në tokën ku ligji ishte në agoni. Atë kohë mora detyrën e shefit të zyrës së luftës kundër krimit të organizuar. Duhen ditë net për të treguar se çfarë sakrificash janë bërë atëherë për rilindjen e shtetit. Edhe një fëmijë, vjen në jetë mes dhembjesh të paimagjinueshme; mendoni sesi duhet të jetë kjo dhembje kur lind nga gërmadhat një shtet. Po ju tregoj vetëm një episod: Atëherë nuk kishim as dhoma izolimi për kriminelët që mund të arrestonim. Në mungesë të tyre, në bashkëpunim me fqinjët tanë italianë nxorëm dhe publikuam listat e personave më të kërkuar mes të shumëkërkuarve. Të trembur nga ky fakt, ata u arratisën në Itali ku ranë në rrjetën e policisë italiane që i arrestonte për llogari të shtetit shqiptar.
Por shumë shpejt, në harkun e një viti, Shqipëria ndeshet me situata gjithashtu shumë të rënda. Në gusht 1998 arrestohen "të gjashtët e PD-së", vrasja e Azem Hajdarit në 12 shtator dhe grushti i shtetit dy ditë më pas. Shumë, për një vend të traumatizuar? Në atë situatë kaosi, ndërsa përballeshim me krimin e rrugës, ne duhej të hetonim edhe për ngjarjet e marsit 1997. Isha prokuror në grupin hetimor. Sot pakkush, kur bën retrospektivë, kujton se kishim një denoncim dhe një vendim të Kuvendit që miratonte konkluzionet e Komisionit hetimor parlamentar për ato ngjarje. Në këto konkluzione implikoheshin shumë politikanë të opozitës së asaj kohe, një pjesë e të cilëve, madje edhe deputetë. Para këtij fakti të kryer, ne na mbetej vetëm të hetonim legalisht atë që ishte një parahetim politik. Mbas tre-katër muajsh pune intensive, mbas grumbullimit të materialeve - dua të them se vetëm Ministria e Mbrojtjes i përgjigjej atëherë kërkesave tona dhe asnjë institucion tjetër - arritëm në dilemën: të vazhdonim hetimin ndaj personave që i konsideronim të inkriminuar apo të kërkonim heqjen e imunitetit të deputetëve të përfshirë në një mënyrë apo një tjetër në atë histori të zezë. Zgjodhëm variantin e parë, u arrestuan gjashtë të parët, të gjithë pranë Partisë Demokratike. Bëmë detyrën, pa ditur se shkopinjtë e parë nën rrota dhe në lëkurë i morëm po nga politika. Deklarata e parë e dhënë nga Maqedonia prej ish-kryeministrit Nano ishte se ai nuk kishte dijeni për atë çfarë kishte ndodhur dhe për më shumë, çuditërisht kërkonte "ngrirjen e procesit të të gjashtëve". Gjatë kësaj kohe opozita reagoi shumë ashpër dhe më pas ngjarjet precipituan shumë rrezikshëm për gjithë Shqipërinë dhe fatin e demokracisë, vrasja e deputetit Hajdari dhe sulmi ndaj institucioneve e pushtimi i tyre me armë e tanke. Më besoni, në ato kohë pothuaj e vetmja shpresë për rikthimin e legjitimitetit, na ka ardhur nga SHBA-ja, qeveria e së cilës deklaroi se nuk "...do të njihte asnjë qeveri të ardhur në pushtet me rrugën e dhunës...".
Përmendni shpesh politikën, cili ka qenë raporti juaj me dy politikanët më të fuqishëm të kohës, Nano dhe Berisha?
Si prokuror dhe përgjegjës i grupit hetimor kisha shpallur akuzën publike ndaj zotit Berisha, si organizator i kryengritjes së armatosur, një akuzë që ishte përcjellë me kërkesën tonë për heqjen e imunitetit të tij. Por në të njëjtën kohë, kisha shfaqur hapur në instancat përkatëse edhe nevojën për të vënë përpara përgjegjësisë penale ish-kryeministrin Nano nën akuzën për braktisje të detyrës dhe të institucionit të kryeministrit. Në atë kohë, vetë zoti Nano dhe të tjerë pranë tij ishin shprehur: "...askush nuk kishte të drejtë t´i jepte fund jetës së tij (Nanos), kjo ishte anakronike, përveçse e ligë dhe e poshtër...". Si jurist, dje dhe sot, do të thosha se edhe sikur të tentohej një gjë e tillë, do të ishte një akt i pastër terrorist. Por shteti i asaj kohe, e përsëris, i kishte të gjitha mundësitë e mjetet të garantonte jetën e kryeministrit të tij, që në vend se të qëndronte në vend, u largua prej tij. Në ato ditë të frikshme, edhe ndaj familjes sime u bë një atentat me eksploziv, por kjo është tjetër histori, historia e pandryshueshme është që politika edhe një gjë të tillë e konsideroi rutinë dhe mbas kthimit të ish-kryeministrit nga arratia në Maqedoni, zoti Nano "interesohej" në Prokurorinë e Përgjithshme që të zbutej një deklaratë e grupit hetimor ndaj zotit Berisha. Të dy këta politikanë, që flisnin e flasin gjithë ditën për shtetin e të drejtës, nuk iu përgjigjën kurrë thirrjes për të dëshmuar në prokurori e gjykatë duke dëshmuar shembullin e politikanëve të mbrapshtë, të komprometuar në atë konflikt të armatosur me pasoja katastrofike për të djeshmen dhe të sotmen e vendit duke servirur, modelin e keq të mosnjohjes së institucioneve të ligjshme të vendit.
Duke ju rikthyer pas në kohë, çfarë mund të bëhej ndryshe për ndëshkimin e asaj veprimtarie që ju e quani krim, por që shpëtoi nga vënia në bankën e të akuzuarve?
Dua t´ju siguroj dhe njëherë se grupi hetimor në atë kohë punonte me sy të verbër sepse shihte me sytë e ligjit, vepronte me duar të lidhura sepse e kishte penguar politika e mbrapshtë. Në atë kohë ne nuk mund të dinim se, ashtu siç po del qartazi sot, se zoti Nano kishte marrëveshje me homologun e tij zotin Berisha për mos hetimin e ngjarjeve të vitit 1997. Të gjithë ne prokurorët e asaj tragjedie, jemi akuzuar nga zoti Nano si prokurorë të instrumentalizuar nga persona të caktuar brenda të majtës për ta goditur atë direkt. Pesë vjet më pas, mbas marrëveshjes së tyre, kësaj here publike në 2002-shin, ju mund të kujtoni sesi u interpretuan dhe u vlerësuan faktet nga komisioni hetimor parlamentar për SHIK-un dhe se çfarë drejtimi donte t´i jepte ngjarjeve të shtatorit 1998 vetë zoti Nano. Duke shfajësuar fajtorin Berisha, ai fajësoi direkt ish-kreun e SHIK-ut Fatos Klosi. Për ironi të rrethanave, në atë kohë unë isha arrestuar për "skandalin" e pasaportave.
Pse në atë kohë ju nuk kërkuat përfshirjen e Kuvendit në proces, ose duke kthyer materialin e servirur prej tij, ose duke kërkuar heqjen e imunitetit të personave nën dyshim e akuzë?
Ky është një gjykim mbas daljes në dritë të të vërtetave që ju thashë për marrëveshjet periodike Nano-Berisha. Atë hetim e hodhi në erë politika dhe politika u bë avokati që e ndihmoi të kalojë lumin e qelbur të krimit. Me një avokati si ajo që ndodh sot edhe nëpër gjykata, politika ishte sekser për fajtorët që paguanin e paguan në mënyra të ndryshme. Nga ana tjetër, po ju them një tjetër fakt: asnjë nga prokurorët e djeshëm që ishim bashkë në grup, sot nuk është në detyrë. Që atëherë dy prokurorë të përgjithshëm janë shkarkuar nga detyra vetëm sepse kështu diktoi politika.
Marrë me shkurtime nga revista MAPO