Grupi i Ben Çamit në gjyq për trafik droge
Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka përfunduar hetimin ndaj 6 personave të përfshirë në një linjë droge
Hetuesit thonë se kanë bërë transportimin e drogës në disa raste ku ishte zbuluar se droga nisej nga Lutfi Shabani
TIRANË- Grupi i Ben Çamit, siç njihet ndryshe Lutfi Shabani, mbërrin në Gjykatën e Krimeve të Rënda për hetim gjyqësor, me 6 persona të akuzuar për trafikimin të lëndëve narkotike. Prokuroria përfundoi hetimin e dosjes penale ndaj 6 të pandehurve të akuzuar për "trafik droge" nga Maqedonia në Shqipëri me destinacion Italinë. Lajmi pohohet nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës, sipas të cilës në rolin e organizatorit, është Lutfi Shabani, i njohur ndryshe si Ben Çami. Ai u rikthye në qeli vitin e kaluar vetëm pak muaj pasi kishte përfunduar një tjetër dënim, për të njëjtën vepër penale.
Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurorët Adnan Xholi e Edvin Kondili, mësohet se 6 të pandehurit, të drejtuar nga Lutfi Shabani, i njohur gjithashtu edhe me emrin Arben Shalaj, kanë sjellë së bashku në kohë të ndryshme, nga Maqedonia në Shqipëri rreth 54 kg heroinë. Kjo sasi droge, mësohet se është sekuestruar nga autoritetet e policisë shqiptare në dy raste, në muajin korrik dhe shtator të vitit 2008. Në këto dy raste, janë arrestuar të pandehurit Lutfi Shabani, Isein Nasufi, Dritan Gjura, Madrit Istrefi, Françesk Shkambi dhe Arif Kurti.
Ata po transportonin nga Maqedonia në Shqipëri rreth 20 kg heroinë. Në dy raste të tjera, goditja është kryer nga autoritetet italiane, pasi në muajin maj të vitit 2004, janë sekuestruar 34 kg heroinë që po transportoheshin nga 5 korrierët, Nevruz Shabani, Elton Nikocaj, Feti Ramadani, Bashkim Hiseni dhe Ilirjan Çipo, të cilët janë arrestuar dhe gjykuar në Milano të Italisë. Sipas kërkesës për gjykim, një pjesë e dosjes me dy episodet e sekuestrimit të 34 kg heroinë ka ardhur nga shteti fqinj, ku është provuar se pronar i kësaj sasie droge ishte Ben Çami.
Dosja tjetër penale me dy rastet e sekuestrimit të rreth 20 kg heroinë, është proceduar nga vetë Prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët kanë faktuar se edhe në këtë rast pronari i mallit ishte i pandehuri Lutfi Shabani i njohur edhe me emrin Arben Shalaj apo pseudonimin Ben Çami. Tashmë pritet caktimi i datës së nisjes së procesit, me 6 të akuzuar.
Episodi I
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se më 11 maj 2004, një sasi prej 15 kg heroinë ishte dërguar nga i pandehuri Lutfi Shabani, nga Shqipëria në drejtim të Italisë me ndihmën e korrierit Nevruz Shabanaj. Kjo sasi droge ishte fshehur në bagazhin mjetit të tij "Fiat Croma" me targa sllovene KR-K7581, që do t'i dorëzohej në Milano Elton Nikocajt, i njohur si Alban Nuraj, të dy këta tashmë janë të arrestuar. Pesë ditë më pas, më 17 maj 2004, Lutfi Shabani nisi ngarkesën e dytë me 19 kg heroinë nëpërmjet dy shqiptaro-maqedonasve, Feti Ramadani dhe Bashkim Hiseni. Droga ishte fshehur në makinën e dy "udhëtarëve", "Opel Corsa" me targa sllovene LJ J0-57U, e do t'i dorëzohej Ilirjan Cipos. Të pestë këta persona, sipas prokurorisë, janë arrestuar dhe gjykuar nga gjykata e Milanos.
Episodi II
Më datë 24 korrik 2008, vetëm pak ditë pasi kishte dalë nga burgu, Lutfi Shabani arrestohet nga policia pasi në mjetin "BMW" me targa DR 3545 E, me të cilin po udhëtonte, iu gjet një sasi prej 15 kg e 528 gram heroinë. Sipas kërkesës, rreth orës 17:45 minuta, në aksin rrugor Golem-Kavajë, në ambientet e jashtme të një Hoteli është ndalur automjeti me targa DR 3545 E, e drejtuar nga Lutfi Shabani. Gjatë kontrollit të policisë, në pjesën e bagazhit, janë sekuestruar 30 pako në formë paralelopipedi, të mbështjella me natriban në ngjyrë kafe dhe me një peshë totale prej 15 kg e 528 heroinë. Të 30 pakot kanë qenë të futura në tri qese ambalazhi plastike, me ngjyrë rozë. Në secilën prej qeseve kanë qenë të vendosura nga 10 pako me drogë. Akt- ekspertimi i gjurmëve të gishtërinjve të administruara mbi pakot e sekuestruara, ka zbuluar se gjurmët ishin të Isein Nasufit nga Maqedonia
Episodi III
Me datë 6 shtator 2008, në lagjen numër 13, të Plazhit në Durrës, është sekuestruar sasia prej 4 kg e 196 gram heroinë, e fshehur në makinën tip "Volkswagen, Golf IV", me ngjyrë vishnje me targa OH 444 IG, e drejtuar nga i pandehurit Isein Nasufi. Së bashku me të, policia arrestoi edhe të pandehurit Dritan Gjura e Madrit Istrefi, të cilët e kishin shoqëruar Nasufin nga Maqedonia dhe kishin dijeni për drogën. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se bashkëpunëtor me këta persona, ka qenë edhe i pandehuri shqiptaro-amerikan Françesk Shkambi. Pjesëmarrja e tij, është provuar nga akti i ekspertimit daktiloskopik vlerësues të gjurmës së gishtave të gjetur në pakot e drogës. Pas këtij akt- ekspertimi, policia ka arrestuar të pandehurin Françesk Shkambi dhe shokun e tij, Arif Kurti. Kurti, sipas policisë, përveç shoqërisë me të pandehurin kishte dijeni për gjithë veprimtarinë e paligjshëm të të pandehurit Shkambi në trafikun e drogës.