E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, 2.5 ton hashash nga Shqipëria në Mal të Zi

Mali i zi, kërkesë autoriteteve shqiptare për verifikimin e 7 shqiptarëve që furnizuan trafikantët me marijuanë

Katër ditë më parë, policia malazeze shoqëroi 38 persona të dyshuar si të përfshirë në trafikun e hashashit nga Shkodra drejt fqinjit verior

TIRANË- "Duam skank të mirë, asi të bjeshkëve se ish i amël ai i funit që prutë". Ky është kodi, që dy shqiptarët e Malit të Zi, ish-efektivë të policisë kufitare të shtetit fqinjë përdornin në komunikimin me disa shkodranë, ndërsa porosisnin hashash për t'ua dërguar matanë kufirit kundrejt pazareve. Ky fakt konfirmohet nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilëve autoritetet e drejtësisë së Malit të Zi, iu kanë kërkuar ndihmë pak ditë më parë për të deshifruar fjalët dialektore, që dy shqiptaro-malazezët dhe shkodranët përdornin në komunikimet e tyre telefonike. Sipas këtyre burimeve, nënvizohet se disa CD-i të regjistruara me përgjime telefonike i janë sjellë policisë shqiptare. Kjo e fundit me ndihmën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i ka ligjëruar këto biseda telefonike dhe shumë shpejt pritet të përdoren si indice të provave të tjera materiale të sekuestruar në Shqipëri dhe atyre të sjella nga Mali i Zi me letër-porosi me qëllim hetimin e mëtejshëm. "Pak muaj më parë, Prokuroria e Podgoricës i ka kërkuar palës shqiptare të verifikonte disa numra telefoni, të dalë pas përgjimeve të disa personave me shtetësi malazeze të arrestuar nga ana e policisë në këtë vend. Pala shqiptare, pas kërkesës së homologëve malazezë, ka kryer një sërë veprimesh procedurale e hetimore për llogari të fqinjëve, si duke verifikuar disa numra telefonësh, ku janë identifikuar përdoruesit, janë kryer kontrolle banesash, fotografi të ndryshme, të cilat i janë dërguar palës malazeze. Pas marrjes së këtyre të dhënave, autoritetet e Podgoricës kanë kryer një operacion të gjerë ku kanë ndaluar 38 persona, nga të cilët vetëm 25 prej tyre janë lënë në qeli me masën e sigurisë "arrest me burg",-thuhet nga burimet e policisë. Sipas tyre, në rrethin e Shkodrës dhe në Bajzë të Malësisë së Madhe janë verifikuar dhe kontrolluar në mënyra të ndryshme 7 persona me shtetësi shqiptare, ndaj të cilëve me të ardhur letër-porosia nga shteti malazez, mund të vendosen në pranga. Të shtatë shtetasit shqiptarë, dyshohet se janë përfshirë në trafikun e hashashit nga Shqipëria në Mal të Zi në katër raste të provuara, duke dërguar rreth 150 kg hashash. Kjo sasi droge, sipas policisë, është e vetmja që është dërguar nga Shqipëria me kërkesë të dy shqiptaro-malazezve që punonin në pikën e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ndërkaq, media vendase në shtetin fqinjë të cilat i janë referuar burimeve zyrtare të policisë së shtetit malazez kanë raportuar se nga Shqipëria në Mal të zi kanë hyrë rreth 2.5 tonë hashash, që për policinë kjo shifër është e ekzagjeruar. Vetëm katër ditë më parë, autoritetet malazeze njoftuan se në një operacion të përbashkët me Policinë e Shtetit në Shqipëri, kishin arrestuar 38 persona, të dyshuar se kryenin "trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike" të llojit marijuanë. Sipas policisë, ky rrjet dyshohet se trafikonte drogën nga Shqipëria nëpërmjet territorit të Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë e më pas në vendet e Evropës Perëndimore. Në momentin e arrestimit policia ka sekuestruar 35 kg hashash në banesat e të arrestuarve dhe një shumë prej 70 mijë euro dhe shtatë automjete.


Pronari i një pike këmbimi valutor denoncoi Fatmir Rexhon se i kishte marrë paratë dy vite më parë

Mashtrim me 150 mijë euro, denoncohet 55- vjeçari

TIRANE- Denoncohet për mashtrim me 147 mijë euro, 55- vjeçari që i mori pronarit të një pike këmbimi valutor sasinë e parave për të ndërtuar një pallat. Dy ditë më parë, Fatmir Rexho, 55 vjeç, banues në Tiranë, është denoncuar për vjedhje nëpërmjet mashtrimit nga një person rreth 45 vjeç banues në pallatet "Agimi", në kryeqytet në bulevardin "Bajram Curri". Policia ka regjistruar kallëzimin e të dëmtuarit, ndërsa referoi hetimin paraprak të saj në Prokurorinë e Tiranës ndaj Rexhos, me akuzën e vjedhjes nëpërmjet mashtrimit. Lajmi është bërë i ditur për mediat nga burime zyrtare të drejtorisë së Policisë së kryeqytetit, sipas të cilëve denoncuesi ka pretenduar se këtu e tri vite të shkuara, ai kishte rënë në ujdi me Rexhon, për t'i dhënë atij një shumë prej rreth 150 mijë eurosh në formë huaje. Kjo pasi debitori, kishte premtuar se do të ndërtonte një pallat në rrugën e Elbasanit. Paratë sipas kontratës do të shlyheshin në një afat shumë të shkurtër dhe për më tepër sipas burimeve të policisë kreditori do të merrte edhe një përqindje të majme nga borxhi që kishte dhënë. Sipas pronarit të pikës së këmbimit valutor, pronari i pikës së këmbimt valutor ishte njohur rastësisht me njeriun të cilit i kishte dhënë paratë ndërsa ishte ulur me të disa herë në kafe ku kanë biseduar kushtet e kontratës mes tyre. Në fund, pasi ishin ulur disa herë në kafe, të dy personat kanë rënë dakord dhe pronari i pikës së këmbimit valuator i ka dorëzuar atij jo pak por 147 mijë euro. Paratë sipas një kontrate dore të lidhur mes tyre duhej të dorëzoheshin, në një afat prej dy vitesh. Por pasi kishin kaluar më tepër se tri vite nga kontrata dhe paratë e paguara, asnjë qindarkë prej tyre nuk i ishte kthyer kreditorit. Ndërkaq, pas regjistrimit të kallëzimit, policia ka thirrur në ambientet e saj, 55- vjeçarin Rexho, për të sqaruar rrethanat e borxhit mes palëve. Pas marrjes së tij në pyetje nga hetuesit e antikrimit ekonomik, ai ka ka pranuar se i kishte marrë shumën e parave prej 147 mijë eurosh, pronarit të pikës së këmbimit valuator, por se nuk kishte paratë për t'ia kthyer, por se do t'ia kthente ato sapo t'i siguronte. Pas marrjes së deklarimit të tij, hetuesit kanë përcjellë materialet në ngarkim të Rexhos në prokurorinë e Tiranës, me akuzën e vjedhjes së shumave të mëdha nëpërmjet mashtrimit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›