Pranga dy trafikantëve të kurdëve në Tiranë
Shqiptaro-maqedonasi Ademi dhe turku Ozal, janë dënuar me nga 7 vite burg dhe 5.3 milionë lekë gjobë
Një turk dhe një shqiptar nga Maqedonia, të dënuar me burg dhe gjobë për kontrabandim të klandestinëve, janë arrestuar nga policia e Tiranës. Ata ishin në kërkim sipas policisë për dhënie të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Ali Ademi, 52-vjeç, lindur në Shkup e banues në Tiranë si dhe Yasin Ozal, 29-vjeç, me kombësi turke, janë vënë në pranga ditën e djeshme sepse Gjykata për Krimet e Rënda i ka shpallur ata fajtorë për veprën penale të "dhënies së ndihmës së paligjshme të kufirit". Ata janë kapur dje pas një operacioni të policisë së kryeqytetit, pasi 52-vjeçari Ali Ademi është dënuar nga gjykata me 6 vite e 10 muaj burg, si dhe 5.3 milionë lekë të reja gjobë, ndërsa bashkëpunëtori i tij turk Yasin Ozal, është dënuar me 7 vite burgim dhe 5.3 milionë lekë të reja gjobë. Ademi dhe Ozal në bashkëpunim dhe me persona të tjerë gjatë vitit 2005 kanë ndihmuar disa shtetas kurdë të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme nëpërmjet Shqipërisë. Sipas vendimit, shqiptaro- maqedonasi Ademi dhe turku Ozal, në bashkëpunim me njëri tjetrin kalonin kurdë në drejtim të Shqipërisë, Kosovës, Sllovenisë dhe Italisë. Klandestinët, strehoheshin disa ditë në Shqipëri, e më pas kalonin në drejtim të Kosovës, ku pajiseshin me dokumente false sllovene dhe kroate. Klandestinët niseshin nga Stambolli, e udhëtonin me linjën ajrore "Turkish Airlines" drejt Shqipërisë ku priteshin nga 29-vjeçari Yasin Ozel, Ali Ademi. Pasi qëndronin për disa ditë në Tiranë klandestinët niseshin me taksi në drejtim të Kosovës, kundrejt 3 mijë eurove secili. Pas identifikimit të trafikantëve policia i shpalli në kërkim ata ndërsa u gjykuan në mungesë. Ndërkohë që ditën e djeshme u arrestuan dy prej trafikantëve Ali Ademi dhe Yasin Ozal, nga policia e kryeqytetit, pasi në vitin 2008 gjykata e Krimeve të Rënda i shpalli ata fajtorë për veprën penale të "dhënies së ndihmës së paligjshme të kufirit" më shumë se një herë.
K. Kotorri