Ish-të përndjekurit, FRD kërkon seancë të jashtëzakonshme

Partia “Fryma e Re Demokratike” ka kërkuar sot seancë të jashtëzakonshme parlamentare për ish-të përndjekurit politik.
Ndërsa i është referuar gjendjes së rënduar të ish-të burgosurve politikë të cilët ndodhen në grevë urie, deputeti Gazmend Oketa ka theksuar se Parlamenti duhet t`i kërkojë qeverisë të zgjidhë situatën e ish-të përndjekurve politikë.
“Greva e urisë e ish-të përndjekurve politik është një akuzë në drejtim të qeverisë për frymën e saj diskriminuese. Duhet të gjendet një zgjidhje e menjëhershme e kësaj situate. Kuvendi duhet të zbatojë ligjet që janë miratuar prej tij dhe të dëmshpërblejë financiarisht ish-të përndjekurit” tha Oketa.
Ai gjithashtu ka kërkuar ndërhyrjen e Parlamentit për zgjidhjen e kësaj situate duke vendosur urat e dialogut mes ish-të burgosurve politik dhe institucioneve shtetërore.
Ndërkohë më herët, ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca i cili ndodhej në grevë urie i ka vënë flakën vetes në tentativë për t`u vetëflijuar.
Ai është dërguar me urgjencë në QSUT ku po merr edhe ndihmën mjekësore pas djegieve që ka pësuar në trup.
Në një prononcim për mediat, mjeku Ilir Nezha ka theksuar se përgjigjja e saktë për gjendjen shëndetësore e Gjergj Ndrecës do të jepet pas 48 orësh pasi ai tashmë ndodhet në terapi intensive. Sipas mjekut, Ndreca ka djegie në 40 % të trupit dhe në fytyrë dhe djegia i ka prekur rrugët respiratore.