E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS nuk njeh ligjin, nuk shesim prona që kemi në administrim”

08-10-2012 / Gazeta 55

Reagon ministria e Mbrojtjes pas akuzave të deputetit Balla: Janë dezinformime

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Socialiste se për shitjen e pronave është anashkaluar Kuvendi. Në një konferencë për shtyp sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri i është kundërpërgjigjur deklaratës së deputetit Taulant Balla duke deklaruar se ministria e Mbrojtjes në shet prona.
“Në përgjigje të serisë të së dielës të fushatës dezinformuese të Partisë Socialiste, Ministria e Mbrojtjes sqaron opinionin publik se nuk shet dhe nuk e ka në tagrin e saj ligjor shitjen e pronave që ka nën administrim. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vlerëson se cilat prona duhet të mbeten në Planin e Përhapjes së Forcave të Armatosura, plan ky i miratuar nga Presidenti i Republikës me dekret. Ministri i Mbrojtjes as nuk vendos e as nuk heq prona nga Plani i Përhapjes”, deklaroi Kulluri.
Ministria e Mbrojtjes informoi  publikun përmes deklaratës zyrtare se pronat që nuk i nevojiten Forcave të Armatosura në plotësimin e misionit të vet kushtetues, i nënshtrohen procedurave ligjore të tjetërsimit sipas disa prioriteteve ligjore.
“Së pari, transferimin e tyre pranë pushtetit lokal ose institucioneve të ndryshme të pushtetit qendror me Vendime të Këshillit të Ministrave, bazuar në kërkesat e tyre, prona këto që përdoren për shkolla, qendra sociale, e shërbim shëndetësor e nevoja të tjera të komunitetit. Numri i  pronave të transferuara nga viti 2003 deri në 2012 është 71. Së dyti, një pjesë e pronave të tepërta i kanë kaluar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensim fizik të pronarëve kur mbi truallin e pronës nuk ka objekte ndërtimore”, informoi sekretari i Përgjithshëm i MM, Edvin Kulluri.
Ndërkohë dikasteri i Mbrojtjes ka sqarua me detaje se pjesa e mbetur, i kalohen Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, e cila është pronare ligjore e pronave shtetërore. “METE është organ përgjegjës për drejtimin dhe mbikëqyrjen e procesit të kalimit të pronës shtetërore në pronë private. Ministria e Financave, nëpërmjet Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike është organi përgjegjës për realizimin e procedurave të shitjes së pronës. Ministria e Financave ka raportuar se deri më tani në total janë shitur vetëm 23 prona që kanë qenë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, nga të cilat 70 për qind e tyre, janë përfituar nga ish pronarët, me të drejtën e parablerjes. Duhet të theksojmë se Ministria e Mbrojtjes nuk vendos çmime për këto prona, por me ligj kjo kompetencë është e Ministrisë së Ekonomisë dhe ekspertëve të licencuar e të pavarura të kontraktuar nga kjo ministri”, sqaroi sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes.
Kësisoj, pretendimi se Ministra e Mbrojtjes shet prona përbën dezinformim publik. “Padituria e një deputeti për ligjin nuk e bën procesin të ndryshëm nga çfarë është. Roli i Parlamentit në këtë proces ka qenë miratimi i ligjit Nr. 9967, datë 24.07.2008, “Për miratimin e Aktit Normativ Nr 4, datë 09.07.2008, për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve dhe objekteve të veçantë, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, vijoi ai.
Megjithatë ministria e Mbrojtjes ka theksuar se, “pronat e Forcave të Armatosura nuk janë nxjerrë jashtë përdorimit gjatë viteve të fundit. Ky është një proces që ka ecur proporcionalisht me reformimin e Forcave të Armatosura, pra zbritjen e numrit të tyre nga 120 mijë efektivë në vitin 1990, në vetëm 11 mijë të tillë në vitin 2012. Për pasojë, që nga vitit 1992 deri në vitin 2012 janë nxjerrë jashtë Planit të Përhapjes të Forcave të Armatosura, pra jashtë përdorimit, 1006 prona. Nga këto prona, që nga viti 2009 deri më sot janë nxjerrë jashtë përdorimit vetëm 68 të tilla, që janë kryesisht depo municionesh dhe materialesh të tepërta, të reduktuara nga procesi i asgjësimit të municioneve dhe procesi i pastrimit të ushtrisë nga këto materiale”.     
Gjithashtu përmes konferencës për shtyp sekretari i MM Kulluri është sqaruar se, “Ministri i Mbrojtjes ka ngritur një bord të posaçëm të kryesuar nga zëvendësministri, i cili është i ngarkuar me detyrën e inventarizimit të plotë të pronave dhe regjistrimit të tyre në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Gjatë tre viteve të fundit, është bërë një punë voluminoze për plotësimin e të gjitha dosjeve të pronave. Prioritet kanë pronat që janë dhe do të mbeten brenda Planit të Përhapjes së Forcave të Armatosura”.
Në përfundim, nënvizoi sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, “në kuadër të politikave të transparencës, Ministria e Mbrojtjes ka publikuar në faqen e saj zyrtare tre vite më parë, të gjitha pronat që janë jashtë përdorimit të saj. Ne po bëjmë gjithçka është e mundur për të krijuar të gjitha lehtësirat e nevojshme për qytetarët dhe institucionet e tjera, brenda detyrimeve tona ligjore. Për sa i përket strehimit të ish-ushtarakëve, ata trajtohen si çdo qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë. Ministria e Mbrojtjes, në bazë të ligjeve të vendit, nuk ka asnjë detyrim. Për sa i përket strehimit të ushtarakëve në detyrë është hartuar një kuadër i gjerë politikash favorizuese”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›