“Gjykata Administrative - infrastruktura është gati, pengohet nga miratimi i Ligjit për Gjykatën e Lartë”

Flet Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka deklaruar se brenda dhjetorit e gjithë infrastruktura e Gjykatës Administrative do të jetë gati dhe se tashmë ka nisur rekrutimi i trupës gjyqësore në të 6 qarqet si dhe ndërtimi i godinave të reja të kësaj gjykate. “Brenda muajit nëntor, kompanitë që kanë kontraktuar gjykatat kanë premtuar që do të përfundojnë procesin e ndërtimit të këtyre gjykatave. Në qarkun e Tiranës dhe për apelin administrativ që është një për të gjithë Shqipërinë, ndërsa në të gjitha qarqet e tjera infrastruktura është e ngritur sepse gjyqtarët do të akomodohen në godinat ekzistuese të gjykatave. Gjithë ky proces do të përfundojë maksimumi brenda muajit dhjetor, pra do të kemi të ngritur trupën gjyqësore, do të kemi të ngritur infrastrukturën për Gjykatën Administrative dhe sigurisht që do të pritet vetëm çelësi i Gjykatës së Lartë, pra Kolegjit Administrativ në mënyrë që të fillojë funksionimi i këtyre gjykatave”, deklaroi Halimi.
Në një prononcim për media ministri i Drejtësisë Halimi ka theksuese se pa Kolegjin Administrativ, pjesë përbërëse e Gjykatës së Lartë, funksionimi i këtij organi të ri të drejtësisë, është i pamundur. “Është e pamundur që të fillojë funksionimi i Gjykatës Administrative, por sigurisht do të vazhdojë puna me këta gjyqtarë të cilët do të jenë të emëruar, por do të presin pikërisht hapjen e rubinetit nga ata që kanë bllokuar ujin”, theksoi Halimi.
Në 3 maj, Kuvendi miratoi ligjin e Gjykatës Administrative. Kjo hallkë e re e drejtësisë që do të zgjidhë mosmarrëveshjet e biznesit dhe nëpunësve të administratës me shtetin, do të ngrihet fillimisht në Tiranë, Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë dhe Durrës.