E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish të përndjekurit, Financat: Jo 1000 përfituesve shtesë

Ministria e Financave kundërshton zgjerimin e kategorisë së ish-të përndjekurve politikë që do të përfitojnë dëmshpërblim. Majko shprehet pro nismës së deputetit PD, Astrit Bushati. 

TIRANE- Ministria e Financave kundërshton projektligjin e propozuar nga deputeti demokrat, Astrit Bushati për zgjerimin e kategorisë së ish-të përndjekurve politikë që do të përfitojnë dëmshpërblim. Amendamenti iu mundëson vëllezërve, motrave si edhe nipërve e mbesave të personave të dënuar apo të pushkatuar, që nuk kanë qenë të martuar, për të përfituar nga ky ligj. Ai shtyn deri në 1 korrik 2009, aplikimin për dëmshpërblim, duke i shtuar faturës financiare rreth 1000 përfitues të tjerë, me një kosto mesatare 5-6 milionë lekë secili, që nga ligji ekzistues përjashtoheshin nga skema. Deputetët e opozitës në Komisionin e Ligjeve e mbështetën në parim projektligjin, ndërkohë që ata të maxhorancës nuk preferuan të bëjnë asnjë koment. I vetmi ligjvënës demokrat që u pozicionua në mbështetje të amendamentit “Bushati”, ishte Gjovalin Prenga, njëherësh relator i nismës. Nga ana tjetër, drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi u rreshtua haptazi kundër këtij drafti. Sipas saj, ky projektligj, përveç fryrjes së faturës financiare nga zgjerimi i rrethit të përfituesve, rrezikon të djegë edhe fondin e vitit 2009, prej dy miliardë lekësh i destinuar për dëmshpërblimin e kategorisë së ish-të përndjekurve. “Shqetësimi kryesor i Ministrisë së Financave lidhet me zbatimin e ligjit në fuqi, pasi ne intensivisht kemi filluar punën për vlerësimin e dosjeve dhe të dëmshpërblimit. Kjo iniciativë e ndërpret procesin dhe e shtyn atë, të paktën një vit. Shqetësimi i dytë ka të bëjë me koston suplementare që lidhet me zgjerimin e listës së përfituesve, çka ndryshon koston financiare, gjë që sjell efekte suplementare për buxhetin e shtetit”, - u shpreh Dhëmbi. Por, deputeti socialist, Pandeli Majko i hodhi poshtë këto argumente. Gjatë fjalës së tij, ai tha se ishte “dakord me faktin që të shtohen motrat, vëllezërit, nipërit dhe mbesat, sepse në regjimin komunist, që të merrej një e drejtë studimi duhet të dije edhe gjyshin ku e ke pasur. Mendoj se propozimi është shumë me vend, kështu që në parim dua të shprehem dakord. Se ku do t’i gjejë paratë kjo qeveri apo ajo tjetra, kjo është një histori tjetër, nuk i takon as Ministrisë së Financave, dhe as asaj të Drejtësisë, ne po flasim për të drejtën sot, nuk po flasim për buxhetin”, - vuri në dukje ai.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut demokrat të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili ia ndërpreu fjalën Majkos, me argumentin se ai po diskutonte nen për nen amendamentin e Bushatit, ndërkohë që kjo mbledhje ishte për ta shqyrtuar atë në parim. Me shumicë votash, Komisioni i Ligjeve vendosi që të çojë në qeveri propozimin për të shtyrë afatin për aplikim për ish-të përndjekurit
(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›