Reforma zgjedhore, PS s’është treguar e sinqertë me aleatët e saj

Islami: Ligjet me 3/5, kushtet bazë për integrimin e Shqipërisë
Deputeti Kastriot Islami hedh poshtë alibinë e Edi Ramës se ligjet me 3/5 nuk janë detyra kryesore e Brukselit. Për deputetin e pavarur në Kuvendin e Shqipërisë reformat janë baza e integrimit dhe si të tilla mbeten detyra primare për integrimin në BE. Deputeti Islami i referohet dhe peripecive të opozitës për të bllokuar Kodin Penal, i cili sipas tij do shënonte fundin e konsensusit dhe një tjetër dështim në kursin e integrimit, që vjen si pasojë e rolit destruktiv të opozitës socialiste. “Ligjet me 3/5 janë “detyra” kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërkohë dimë që, PS ka patur një qëndrim ndryshe. Fillimisht la një përshtypje që nuk do ta miratonte Kodin Penal. Partia Socialiste e ka të qartë se ligjet me 3/5 janë kushti për integrimin e vendit. Por, nëse nuk miratohej Kodi Penal, atëherë hidhej në erë konsensusi. Me votimin e ndryshimeve në Kodin Penal, Shqipëria ka dhënë një mesazh pozitiv. Brukseli është shumë i qartë në deklaratat e tij. Perëndimi është shumë i interesuar që zgjerimi të vazhdojë dhe ky zgjerim padyshim që do të fokusohet drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Është vetëm çështja e realizimit të detyrave nga forcat politike të vendeve. Unë jam i bindur se klasa politike në Shqipëri nuk do bëhet pengesë e procesit të integrimi. Mazhoranca dhe opozita deri këtu përdorën taktikat politike, pavarësisht se taktikat e opozitës kanë qenë të padrejta në zvarritjen dhe bllokimin e ligjeve, por sot ndodhemi përballë një realiteti që s’ka nevojë për taktika ekstreme, por ka nevojë për bashkëpunim konkret” - u shpreh Islami. Duke u ndalur te reforma zgjedhore, për deputetin Islami debatet do përqendrohen te formula e KQZ-së dhe sistemi zgjedhor. “Kjo është në dorë të palëve politike. Duke ruajtur konceptin bipartizan, nga anëtarë të partive politike dhe mbi këtë bazë nuk ka shumë zgjidhje: ka vetëm një zgjidhje që shumicën ta ketë ajo forcë politike që ka mazhorancën. Nuk ka formulë tjetër për këtë gjë. E dyta është që të kalohet në një komision të përbërë nga administrata, jo bipartizane. Kam përshtypjen që për momentin aktual nuk është se ka një rritje të besimit reciprok mes forcave politike”.
Sipas tij, problemeve të pikasura deri tani, do t’i shtohet edhe kompleksiteti i Partisë Socialiste në raport me aleatët e saj, pasi siç tha z.Islami, PS nuk është e sinqertë me aleatët e saj. Për të, edhe administrimi i votës është një pikë e rëndësishme që do marrë kohën e saj. Gjykata Administrative mbetet ligji i fundit në pritje të miratimit. Deputeti Islami tha se edhe ky draft duhet të kalojë në unanimitet. “Besoj se do të gjendet konsensusi dhe mendoj se përveç çështjeve parimore edhe kjo është një çështje politike. Nuk besoj se ndonjë forcë politike do marrë mbi supe përgjegjësinë e vonesave të integrimit apo bllokimit të procesit”. Zgjedhjen e Presidentit, z.Islami e cilëson si një proces të bazuar në Kushtetutë. Sipas tij, 3 raundet e para lënë hapësirë për konsensus. Nëse ky konsensus mungon, atëherë në raundin e katërt, shumica e thjeshtë zgjedh presidentin e ri. Ky është edhe rekomandimi i ndërkombëtarëve, që mazhoranca dhe opozita të shfrytëzojnë 3 raundet që japin mundësinë e konsensusit. Unë mendoj se është jo vetëm çështje e procesit, por edhe e emrave. Duhet të kemi parasysh që mazhoranca ka avantazhin që në raundin e 4 dhe të 5 të zgjedhë Presidentin me 71 vota. Prandaj konsultimet duhet të jenë atraktive. Retorika e dy forcave politike ka ngecur pikërisht në pikën e konsensusit. Faktori ndërkombëtar në fund të fundit kërkon të respektohet shteti ligjor, të respektohet Kushtetuta. Ambasadori amerikan është shprehur qartë dhe ka preferuar të thotë fjalën konsultime mes forcave politike, në kuadër të respektimit të Kushtetutës”- tha ai. Mbi të ardhmen e tij politike z.Islami tha se ende nuk ka vendosur se në cilin grup parlamentar do të aderojë.