Mazhoranca: Projektligji për statistikat zyrtare, çështje teknike

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi tha dje në Kuvend se projektligji i mazhorancës për “statistikat zyrtare” është një çështje teknike. Halimi theksoi se “nuk ka as edhe një nen në Kushtetutën e Shqipërisë, që të ketë institucione që varen nga Këshilli i Ministrave. Institucionet varen nga Kryeministri ose Ministri”. “Kjo dhe vetëm kjo është arsyeja e vetme që në Parlament është sjellë ky projektligj”- tha Halimi. Ministri Halimi i cilësoi si mashtrime, pretendimet e opozitës se kërkohet të vendoset INSTAT-i në varësi të Kryeministrit. Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, ministri Halimi tha se, “të gjithë jemi betuar që të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Prandaj mos kërkoni të mashtroni shqiptarët”. “Projektligji që vjen sot është përshtatja e legjislacionit me Kushtetutën e vendit”, tha Halimi. Deputeti i PS-së, Taulant Balla akuzoi mazhorancën se, po shkel rekomandimet e BE-së duke e vendosur INSTAT-i në varësi të kryeministrit.
Duke folur në seancën plenare ku po diskutohet projektligji “Për statistikat zyrtare”, Balla theksoi se projektligji mbi statistikat zyrtare që vjen në Kuvend e shndërron këtë institucion në zyrën e kryeministri Berisha. Opozita kundërshtoi ndryshimet në ligj. Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe tha se ky ndryshim bie ndesh me kërkesat që raport progreset e KE-së, i kanë adresuar në vijimësi Shqipërisë lidhur me pavarësinë e institucionit të statistikave.
INSTAT kalon në varësi të Kryeministrit/Kuvendi i Shqipërisë miratoi dje me 68 vota “pro” dhe 57 kundër një ndryshim në ligjin “Për statistikat zyrtare”, që përcakton varësinë e INSTAT-t nga Kryeministri. Opozita e kundërshtoi ashpër p/ligjin e propozuar nga qeveria, pasi, sipas saj, ky ndryshim bie ndesh me kërkesat e KE-së, lidhur me pavarësinë e institucionit të statistikave. Ndërkohë, p/ligji u cilësua nga përfaqësuesit e qeverisë në përputhje me detyrat dhe objektivat e veprimtarisë së INSTAT dhe që nuk cenon asnjë nga parimet e funksionimit të tij si paanshmëria, besueshmëria dhe pavarësia profesionale, të cilat janë të garantuara me ligj. P/ligji i qeverisë saktëson se tashmë INSTAT-i është në varësi të Kryeministrit dhe jo të Këshillit të Ministrave. Ky i fundit është një organ kolegjial, që nuk e mbulon dot dhe që nuk ka mundësi ta ndjekë atë si institucion varësie. Gjithashtu, gjatë seancës së djeshme Kuvendi miratoi me 68 vota pro dhe 59 vota kundër disa ndryshime në ligjin “Për prokurimin publik”, të cilat parashikojnë ndryshimin e varësisë së Komisionit të Prokurimit Publik nga Këshilli i Ministrave te Kryeministri