Ish-të përndjekurit, Rama fajëson politikën për gjendjen e tyre

Lideri i së majtës, Edi Rama ka kthyer vështrimi nga ish-të burgosurit, sipas të cilit në 20 vite demokraci nuk kanë marrë atë që duhet. Kreu i PS-së, ka shprehur shqetësimin e tij për këtë klasë të shoqërisë shqiptare, gjatë prezantimit të librit “Tranzicion apo trashëgimni”, të Daut Gumenit, një njeri i cili në periudhën e komunizmit ka vuajtur 23 vite burg.
“Në rrugën e tij të stërmundishme, e cila nuk mbaroi fatkeqësisht me fundin e regjimt që i mori atij lirinë, por u stërgjat siç është stërgjatur për shumëkënd. Për ata që ishin të burgosurit e vërtetë, për ata që vuajtën në lëkurën e tyre dhe të familjarëve të tyre, torturat e pashembullta të cilat fatkeqësisht këto 20 vjet nuk i kanë harruar, përkundrazi kanë bërë për këta njerëz kalimin nga tragjedia në farsë të një historie, që në fakt është një histori që përsëritet në formën e saj komike”, u shpreh Rama.
E ndërsa historiani Pëllumb Xhufi, u shpreh se libri është një histori analitike e shoqërisë shqiptare. Në promovimin e librit ishin të pranishëm edhe disa deputetë të Partisë Socialiste. Autori, Daut Gumeni në librin e tij publicistik, është munduar të sjellë një portret të zhveshur të shoqërisë shqiptare të tranzicionit dhe të protagonistëve të saj.