Ish-të përndjekurit, Ramës: Kërko falje për krimet e Kristaqit
Instituti i Integrimit të të Përndjekurve dhe Persekutuarve Politikë dhe disa shoqata të kësaj shtrese e cilësojnë si një akt mediokër dhe të pamoralshëm vizitën e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në ekspozitën kushtuar intelektualëve dhe artistëve të pushkatuar e të burgosur në diktaturën komuniste, e hapur në Muzeun Historik Tiranë. Sipas deklaratës së institutit dhe të shoqatave të të përndjekurve, kryetari socialist dhe mbështetësit e tij brenda dhe jashtë çadrave të grevës duhet më parë të kërkojnë të falur për krimet e kryera nga baballarët dhe paraardhësit e socialistë të rinj, të cilët firmosën varjen me litar të poetëve Nela, pushkatimin e Blloshmit dhe Genc Lekës. Në deklaratë thuhet se të persekutuarit kërkojnë nga Edi Rama dhe deputetët e tij të shkëputen njëherë e mirë nga epoka më e errët e historisë së Shqipërisë, komunizmi 45-vjeçar dhe të mbështesin proceset integruese për në BE të Shqipërisë ëndërr dhe aspiratë e mijëra të pushkatuarve dhe të persekutuarve politikë. Reagimi i ish-të përndjekurve politikë erdhi pas vizitës së z. Rama në ekspozitën fotografike të ish-të përndjekurve politikë. Në këtë ekspozitë janë vendosur foto si dhe informacione të detajuara të intelektualëve të ekzekutuar nga regjimi komunist. Ai pohoi se duhet një institucion që të arkivojë historinë tragjike të një regjimi që torturoi, internoi familje dhe ndau shqiptarët nga njëri-tjetri. Në këtë ekspozitë të hapur nga ish-të përndjekurit politikë, kreu i PS-së ka qenë i shoqëruar edhe me deputetët Fatmir Toçi si dhe Eglantina Gjermeni.