E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ok, hapjes së materialeve zgjedhore

Për fletët e votimit, arbitër Venecia

Hapja e kutive me materialet zgjedhore dhe çështja e fletëve të votimit ti lihet një arbitri të paanshëm, siç është Komisioni i Venecias. Sipas kryetarit të PS-së Edi Rama, zgjidhja për krizën politike është transparenca përmes hetimit, duke hapur kutitë. Kjo ishte deklarata e kreut të PS-së, Edi Rama, në lidhje me mundësinë e një zgjidhjeje të situatës politike. Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi dje se është gati të pranojë marrëveshjen e propozuar nga ndërkombëtarët dhe Presidenti për hapjen e kutive të materiale zgjedhore që do të çonte edhe në përfundim e grevës së urisë dhe rinisjen e jetës parlamentare dhe politike në vend. "Unë jam i gatshëm që të pranoj marrëveshjen për hapjen e materialeve zgjedhore, më pas nëse aty del e nevojshme të hetohem kutitë e votave le të vendosë Komisioni i Venecias", - tha z.Rama. Duke iu drejtuar Kryeministrit Berisha, ai tha se duhet të garantojë transparencë për të bërë qeverisjen më të mirë. Në një takim me gazetarët, Rama theksoi se Kushtetuta është pika e referimit e PS-së, e cila është gati për zgjidhjen, që kërkohet fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar. Duke iu referuar grevës së PS-së, Rama pohoi është më shumë se transparente. "Janë kartelat e të gjithë grevistëve në spital që flasin shumë qartë. Greva monitorohet nga mjekë të respektuar. Nëse qeveria kërkon të bëjë inspektime, le t'i bëjë kush të dojë, nuk e pengon askush", - shtoi ai. Rama falënderoi qytetarët që morën pardje pjesë në protestë. "Grevistët po kapërcejnë çdo sakrificë. I falënderoj të gjithë ata që u derdhën dje në grevë", - tha ai. Kreu i PS-së deklaroi se protesta e opozitës nuk ndalet. Duke iu referuar deklaratës së Kryeministrit Berisha për rritje ekonomike, Rama tha se qeveria ka 150 miliardë lekë borxh. Ai nënvizoi se nuk mund të rriten të ardhurat e shtetit duke gjobitur bizneset. Sipas Ramës, kreditimi nuk është rritur, ndërsa sot ka rënie të fuqisë blerëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›