Dita e 15-të, Arben Malaj lë pa barelë grevën e urisë
Ika nga greva, por mbështes grevistët
Çadrat e grevës së urisë i braktis një tjetër deputet i PS-së. Deputeti socialist Arben Malaj, i njohur ndryshe si mbështetës i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS, ka braktisur grevën e urisë gjatë mbrëmjes së të premtes. Arsyet, sipas tij, janë shëndetësore, gjë që e konfirmoi vetë zoti Malaj, i cili nëpërmjet një mesazhi të shpërndarë për mediat sqaroi se mbështet plotësisht grevën e urisë dhe kërkesën themelore të socialistëve, atë për hapjen e kutive të votimit. Deputeti socialist është vizituar në mbrëmje nga mjekët, të cilët i kanë këshilluar të ndërpresë grevën për shkak të problemeve me kolitin. Përmes deklaratës së tij, z. Malaj shprehet se problemet shëndetësore nuk e lejuan të vazhdonte protestën, por ai mbështet 6 kërkesat e grevistëve të urisë. Deputeti i PS-së bëri të qartë se ka lënë grevën për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore. Ai tha se ka lënë grevën në orën 02:00 të mëngjesit pas këshillave të mjekëve. "Nuk jam larguar nga greva. Kam mirënjohje për kolegët që bëjnë grevën. Mbështes grevën, mbështes kërkesën për transparencë. Ndiej keqardhje për mënyrën si mazhoranca shprehet për grevën", - tha ai. Lidhur me faktin nëse do të rikthehet në grevë, pasi shëndeti i tij të përmirësohet, Malaj tha se vendimi do të merret në konsultë me mjekët dhe kolegët e tij. Por largimi i socialistit Malaj sikundër hyrja e tij e beftë në grevën e urisë, në fakt erdhi në një kohë kur kolegët e tij të rreshtuar si kritikët më të mëdhenj të zotit Rama në Partinë Socialiste refuzuan të ishin pjesë e kësaj forme të protestuari dhe ku për më se 8 muaj, Blushi, Islami, Bello, Harasani e shumë të tjerë kundërshtuan ashpër bojkotin e Parlamentit dhe protestat në rrugë. Vetë socialisti Malaj bëri dje të ditur se ndryshe nga kolegët e tjerë të PS-së apo mbështetës të Partisë Socialiste të ngujuar në çadrat përballë Kryeministrisë, ai nuk ka pranuar të largohet me barelë, duke preferuar të shkojë në shtëpinë e tij vetë. Greva e urisë së deputetëve socialistë dhe mbështetësve të tyre ka hyrë në ditën e saj të 15-të. Deri ditën e djeshme numri i atyre që kanë shkuar në spital, që prej fillimit të grevës në 30 prill, shkon në 35. Një ditë më parë, në protestën e pasdites, kreu i socialistëve, Edi Rama tha se është afër fitorja e kauzës së tyre. Gjendja e protestuesve vazhdon të përkeqësohet, ku shenjat kryesore janë luhatje të tensionit e nervozizmi, ndërsa me kalimin e orëve dhe ditëve ata janë të detyruar ta kërkojnë me shpesh ndihmën e mjekut. Por kryesocialisti Edi Rama beson: Fitorja e kauzës sonë është shumë më afër se çishte 14 ditë më parë. Arritja e qëllimit tonë është shumë më pranë se çishte ditën kur u ngrit kjo çadër. Prandaj, motra dhe vëllezër, ashtu siç e kemi demonstruar gjatë gjithë këtyre ditëve kurajon për të rezistuar, duhet të vazhdojmë ta demonstrojmë të gjithë së bashku. Është koha për zgjidhje. Është koha për ti hapur rrugë transparencës, për tu hapur rrugë lirive dhe të drejtave. Është koha që veshët e pushtetit të hapen dhe që zgjidhja të bëhet realitet.