Ish-të përndjekurit: Takim me Topin, pastaj protesta
Në apelin e fundit, dy eksponentë të shtresës së ish-të përndjekurve politikë, Tomor Aliko dhe Agim Musta kërkojnë një takim të drejtpërdrejtë me kryetarin e Shtetit, në mënyrë që të marrin prej tij garancinë se ligji i dosjeve do të kalojë e se spekullimet për kthimin e tij nuk qendrojnë. Nëse institucioni i kryetarit të shtetit i nënshtrohet presionit të segmenteve të diktaturës, ish-të përndjekurit do ta shndërrojnë presidencën në adresë të protestave të tyre të pritshme
Shoqata Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve Politikë si dhe Shoqata e Intelektualëve “Musine Kokalari”, i bënë një apel të fundit kreut të shtetit Bamir Topi, që të mos vonojë deri në caqet e fundit të afatit, dekretimin e ligjit që dënon krimet e komunizmit gjatë 50 viteve regjimi në Shqipëri dhe çliron institucionet shtetërore nga metastazat e diktaturës komuniste. Përfaqësuesit e shtresës së ish-të burgosurve politikë Tomor Aliko e Agim Musta thanë dje në prononcime të posaçme televizive se parlamenti shqiptar mori një vendim të rëndësishëm, paçka se të vonuar, për miratimin e Ligjit të “Dosjeve”, porse të njëjtin vullnet për ndarjen nga e kaluara, duhet ta shprehë edhe Presidenti Topi. “Me anë të një letre të posaçme, i kërkojmë presidentit një takim të drejtpërdrejtë, për t’i shpjeguar edhe njëherë gjendjen shpirtërore të ish-të përndjekurve politikë pas votimit të ligjit të lustracionit, i cili parashikon edhe hapjen e dosjeve për zyrtarët e lartë shtetërorë, thotë Tomor Aliko. Kjo që po diskutohet tani është shumë me vonesë. Urojmë që, pas vendimit të parlamentit, ta dekretojë edhe Presidenti i Republikës, pra të aprovojë atë çka miratoi parlamenti. Ne ish-të përndjekurit politikë kemi vuajtur dhe duam që në institucionet shtetërore të mos i kemi më ata që na kanë marrë shpirtin për vite me radhë”, shprehen kryetari i Shoqatës së Ish-të përndjekurve politikë”, Tomor Aliko.
Shqetësimeve të ngritura nga opozita apo segmente të tjera se ky ligj prek disa normativa kushtetuese dhe se ka në themel të tij hakmarrjen ndaj disa prokurorëve e gjyqtarëve, përfaqësuesit e ish-të përndjekurve Politikë u përgjigjen me një përgjigje kategorikisht përjashtuese, por duke ritheksuar domosdoshmërinë e pastrimit të institucioneve shtetërore nga ata elementë që kanë dhënë vendime për të marrë jetë njerëzish. “Ne nuk kërkojmë hakmarrje, sepse ne nuk duhet të bëjmë ashtu siç bënë ata, se po të ishte kështu, ne mund ta kishim bërë në vitet ’91-’92, kur nuk na hynte asnjë “gjemb” në këmbë, por ne, si shqiptarë, kemi gjithmonë parasysh këshillat e të madhit Mit’hat Frashërit: “Mos i lyeni duart me gjak, jemi shqiptarë”, thotë Aliko. “Pas 18 vitesh sistemi demokratik të qëndrojnë nëpër institucione prokurorë, hetues e gjyqtarë të diktaturës komuniste, që kanë dhënë dënime me vdekje si dënimi i Havzi Nelës me varje në litar në vitin ‘88, poetëve Vilson Blloshmi, Genc Leka, Trifon Xhagjika e shumë e shumë të tjerëve, mua më duket një paradoks i jashtëzakonshëm, që po mbijeton vetëm në Shqipëri”, thotë kryetari i Shoqatës së Intelektualëve “Musine Kokalari”, ish-i burgosuri politik Agim Musta.
Letra dhe apeli për një takim të drejtpërdrejtë me kryetarin e Shtetit e dy nga shoqatat më të rëndësishme të ish-të përndjekurve politikë në Shqipëri, vjen një ditë pas letrës së hapur drejtuar presidentit nga shoqata panshqiptare “Varta” me seli në SHBA, si dhe apeleve publike të ish-të përndjekurve politikë në Shkodër, Mirditë e Fier, drejtuar presidentit, që ai të mos e vonojë më shumë firmën. Në radhët e ish-të përndjekurve, të cilët e mbështetën gjerësisht zgjedhjen e Bamir Topit në krye të shtetit, po shtohet tensioni, për shkak të spekullimeve të shtypit të majtë se tashmë vendimi ishte marrë e se kryetari i shtetit, për arsye ende të panjohura, kishte vendosur ta kthente për rishqyrtim ligjin e lustracionit. Apelet e djeshme kanë ardhur si një reagim i menjëhershëm ndaj këtyre spekulimeve, megjithatë mendohet se nëse kryetari i shtetit nuk do të pranojë një takim e apelin e drejtpërdrejtë, mesazhi i ish-të përndjekurve mund të jepet nëpërmjet tubimeve publike para institucionit të kryetarit të shtetit. Zotit Topi i kanë mbetur vetëm 3 ditë për të thënë fjalën e tij, që në gjuhën Kushtetuese do të thotë firmosje ose jo të dekretit. Kur ishte kryetar i Grupit Parlamentar, zoti Topi ka qenë në krye të përpjekjeve për kalimin e këtij ligji në parlament. Tre vjet më parë në cilësinë kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, dorëzoi në kuvend një draft ku përfshihej verifikimi i figurës edhe për gjykatësit e prokurorët, fakt që ka ngjallur vazhdimisht reagimin e opozitës së Edvin Ramës.