Ish të përndjekurit: Zgjedhjet 2009, duam vend në listat e PD-së
Ish të përndjekurit duket se këtë herë nuk do të mjaftohen vetëm me premtime boshe nga qeveria. Shoqatat e tyre, dje kanë kërkuar që në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të përfaqësohen me njerëzit e tyre dhe këtë kërkesë ia kanë bërë publike PD-së. Sipas ish të përndjekurve, deri më sot, kjo shtresë nuk ka qenë e përfaqësuar në sallën e Kuvendit ashtu siç duhet për të mbrojtur interesat e tyre. Kjo tregohet më së miri nga odiseja që kjo shtresë ka kaluar nga njëri vit në tjetrin, dhe që tashmë, sipas tyre, kuptohet qartë se nuk kanë arritur asgjë. Pjesa më e madhe nuk kanë marrë dëmshpërblimin që ju takon, pavarësisht se u është premtuar në mënyrë sistematike nga qeveritë. Ndaj për t‘i dhënë fund gjithë kësaj loje, ish të përndjekurit kanë kërkuar nga Kryeministri Berisha që të nisë shpërndarjen e kompensimit të parave për këtë shtresë. Sakaq, qeveria nuk ka dhënë ende një datë të saktë se kur do të nisë shpërndarja e dëmshpërblimit për ish të përndjekurit.