E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Të mos harrojmë plagët e Gërdecit

Vullnetarët e Bashkimit të Ri për Ndryshim ishin dje bashkë me kryetarin e PS, Edi Rama, në fshatin Marqinet, vetëm pak metra larg kraterit të Gërdecit, i cili mori jetën e 26 vetëve dhe plagosi qindra të tjerë. Në një nga shtëpitë e këtij fshati, Rama dëgjoi dëshminë e kryefamiljarit të saj, i cili kishte gruan me djegie të rënda nga shpërthimi: "Kisha shtëpi 120 m², të mobiluar me të gjitha. Tani ikën të gjitha, mbeta në zero. S‘po kërkoj asgjë, por të mos vuaj për ilaçe dhe bukën e gojës". Teksa ka hyrë në shtëpitë e fshatit Marqinet, Rama ka parë nga afër mure të shkatërruara dhe mjerim të këtyre banorëve, të cilët sot bënin apel për të mos i harruar. Kryeopozitari bëri thirrje që të gjithë të protestojnë ditën e përvjetorit të parë të kësaj tragjedie që tronditi gjithë Shqipërinë. "Në orën 12:20, në orën e shpërthimit vrastar të Gërdecit, do të bëjmë një ceremoni përkujtimore te vendi i tragjedisë. Të mblidhemi të gjithë, të kujtojmë ata që ikën dhe të mos harrojmë këto plagë që janë hapur, të cilat janë plagë në trup, në shpirt, në familje, të cilat do t‘i shërojmë bashkërisht", u shpreh Rama.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›