E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: Po dëmshpërbleni kolaboracionistët

Deputetët e opozitës votuan dje në Komisionin e Ligjeve kundër draftit të paraqitur nga qeveria për amendimin e ligjit që synon dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Mazhoranca dhe opozita debatuan ashpër me njëra-tjetrën, por në fund nuk mundën të gjenin një emërues të përbashkët për nismën e propozuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Bushati. Si deputetët e PD-së, ashtu edhe ata të PS-së, nuk janë tërhequr nga qëndrimi i tyre. Ndryshimi që kërkon të bëjë mazhoranca është dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë, edhe në rastin kur ai nuk jeton më. Në këtë rast specifik, ligji parashikon që dëmshpërblimin ta marrin familjarët e të ndjerit, qofshin këta fëmijët e tij, motrat, vëllezërit apo prindërit. Në parim, opozita u shpreh pro projektligjit, por neni i cili i ka ndarë përfundimisht në fund të miratimit të tij ishte ai me numër katër. Aty kërkohej që pjesë e dëmshpërblimit të jenë dhe ata persona të ekzekutuar pa gjyq para vitit 1944. Ky formulim nuk është pranuar nga deputetët e opozitës, ndaj Pandeli Majko theksoi se një përfitim i tillë për këtë shtresë do të thotë një turp për kombin. Duke kundërshtuar këtë nen të projektligjit, Majko theksoi se "këta janë njerëz që kanë vrarë bashkëkombësit e tyre për interesa të okupatorit. Prandaj të nderuar miq, të mos i vendosim këta surretër mbi vuajtjet e të përndjekurve pas ‘44, se këta nuk e meritojnë. Këta janë në koshin e historisë, këta janë në plehrat e historisë. Prandaj këta nuk mund të mbivendosen mbi vuajtjet e atyre që provuan regjimin". Qëndrimi i deputetëve të Partisë Socialiste u kundërshtua nga përfaqësuesit e mazhorancës në këtë komision. Deputetët Ramiz Çobaj dhe Aldo Bumçi sqaruan se në këtë projektligj nuk bëhet fjalë për ata persona të cilët kanë bërë krime gjatë Luftës së Dytë Botërorë, por për atë kategori njerëzish të cilën pas vitit 1944 u ekzekutuan pa gjyq nga regjimi komunist. Po këtë sqarim ka bërë para deputetëve të Komisionit të Ligjeve edhe ekspertja e dërguar nga Ministria e Drejtësisë, Marsida Xhafellari. Relatori i draftit, deputeti i PD-së, Gjovalin Prenga, sqaroi para kolegëve të tij deputetë rëndësinë e projektligjit. Sipas tij, paketa e ndryshimeve që është propozuar nga Ministria e Drejtësisë synon të zgjidhë në mënyrë integrale problematikën e dalë nga zbatimi i ligjit dhe rivendosjen e së drejtës për kategori të përjashtuara nga përfitimi, sipas parimit të barazisë para ligjit. Ky projektligj theksoi relatori i jep zgjidhje pamundësisë për t‘u materializuar dëmshpërblimi për ish të dënuarit që nuk kanë lënë pasardhës në linjë të drejtpërdrejtë, duke e zgjeruar rrethin e përfituesve te vëllezërit dhe motrat, si dhe fëmijët e tyre. Me këtë ndryshim, krijohet mundësia e përfitimit edhe për familjarët e klerikëve. Tashmë kjo nismë ligjore e kaluar në komision vetëm me votat e mazhorancës, do të paraqitet për votim në sallën e Kuvendit. Sipas deputetëve të djathtë, qeveria i jep mundësi shtresës së ish të përndjekurve që deri në muajin korrik të paraqesin kërkesat e tyre për t‘u bërë pjesë e listës së përfituesve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›