E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton Ardian Turkun ministër Kulture

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje emërimin në detyrë të ministrit të ri të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku. Zgjedhja e Turkut vjen pas shkarkimit të Ylli Pangos, të cilit iu publikua një video skandaloze nga emisioni "Fiks Fare", ku u pa qartë se ai i ofronte një vajze një vend pune në administratë, në këmbim të favoreve seksuale. Pas publikimit të kësaj videoje, Kryeministri Sali Berisha firmosi brenda katër minutave shkarkimin e tij nga detyra e ministrit. Po me të njëjtën shpejtësi, Presidenti Bamir Topi firmosi dekretin e shkarkimit sapo iu paraqit në tryezën e punës. Pa humbur shumë kohë dhe kur i gjithë opinioni publik dhe politika ishin përfshirë në një debat të madh rreth skandalit, kreu i qeverisë bëri publik emrin i cili do të zëvendësonte Pangon. Shefi i ekzekutivit, Berisha, zgjodhi një tjetër pedagog të psikologjisë, por këtë herë në Universitetin e Elbasanit, Ardian Turkun. Ai ka qenë ish-kryetar i bashkisë në qytetin e Elbasanit dhe njihet si një nga mbështetësit e PD-së që nga vitet ‘90. Tashmë, pasi Presidenti dekretoi emrin e Ardian Turkut si ministër të Kulturës, ai pritet të kalojë në seancën e ditës së enjte për votim. Në këtë seancë, deputetët do të votojnë edhe dekretin e shkarkimit të Pangos. Megjithëse ka kaluar një javë nga publikimi i videos ku u përfshi Ylli Pango, debati rreth saj vjen dhe thellohet më shumë. Diskutimet më të ashpra janë bërë në sallën e Kuvendit ku, kolegët e tij, i kërkuan Pangos të heqë dorë nga mandati i deputetit. Ata nuk u ndalën me kaq, duke kërkuar deri edhe ndjekje penale ndaj tij. Organi i akuzës bëri të ditur se nuk mund ta marrë Pangon në pyetje, pasi ai ka imunitet. Prokuroria i kërkoi një ditë më parë ish-ministrit që, nëse do të lehtësojë procesin dhe të zbardhë të vërtetën, duhet të paraqitet vetë në Prokurori. Deri më tani, Pango nuk ka bërë ndonjë deklaratë nëse do të paraqitet në dyert e organit të akuzës apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›