E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të përndjekurit dhe pronarët, dëmshpërblimi për 2009, qeveria gjen fondet

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e radhës shitjen e paketës së zotëruar nga shteti, 16.7683661 përqindësh, pranë shoqërisë së telefonisë fikse në vend Albtelekom. Nga privatizimet, 10 për qind e vlerës do të kalojë si fond për kompensimin e pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Kryeministri Berisha u shpreh se, pas privatizimit të ARMO-s dhe rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike OSSH-së, ky proces do të vazhdojë me shitjen e aksioneve të qeverisë në të gjitha sipërmarrjet, ku qeveria është aksionere. “Praktika tregon se është një mendësi tejet e tejkaluar aksionerizmi i qeverisë. Ndaj pas një procesi shumë të suksesshëm me AMC-në, duhet të presim një proces tjetër të suksesshëm me shitjen e aksioneve të qeverisë në Telekom. Privatizimi përbën një nga premtimet madhore të kësaj qeverie, si dhe mbajtja e tij të plotë. Faktikisht, u realizua me sukses privatizimi i Albtelekomit, ARMO-s, OSSH-së, është në negocim kontrata për INSIG-un, u shitën aksionet e qeverisë në AMC, do të shiten dhe aksionet e qeverisë në Telekom”, - u shpreh Kryeministri. Berisha tha se 10 për qind e vlerës së privatizimeve do të përdoren si fond shtesë për kompensimin e pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. “Në të gjitha ndërmarrjet, ku qeveria është aksionere, - u shpreh Kryeministri, - aksionet do të shiten dhe, siç është përcaktuar në ligjin e miratuar nga Parlamenti, 10 për qind e vlerës nga të gjitha këto privatizime do të kalojë për kompensim të pronarëve dhe dëmshpërblim të të përndjekurve politikë. Kështu që fondi, si i dëmshpërblimit, ashtu edhe i kompensimit, do të kenë rritje të ndjeshme progresive, përveç rritjes direkt edhe nga burime të tjera. Fondet e privatizimit janë fonde shtesë për këtë qëllim”.
Privatizimi i Albtelekom
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën vendimin për shitjen e transferimin e paketës së aksioneve të zotëruara nga shteti, prej 16.7683661 përqindësh, pranë shoqërisë së telefonisë fikse në vend, Albtelekom. Berisha deklaroi gjatë mbledhjes së qeverisë, se "praktika tregon se është një mendësi tejet e tejkaluar aksionerizimi i qeverisë. Ndaj, pas një procesi shumë të suksesshëm me AMC-në, duhet të presim një proces tjetër të suksesshëm me shitjen e aksioneve të qeverisë në Telekom". Albtelekom është licencuar nga Enti Rregullator i Telekomunikacioneve për ofrimin e shërbimeve të telefonisë fikse që prej vitit 1992, ndërsa më 16 shkurt 1999, kompania u emërtua "Albtelekom" me statusin e shoqërisë anonime. Albtelekom është operatori publik me veprimtarinë më të madhe në telefoninë fikse në vendin tonë që ofron shërbimet në të gjitha zonat urbane të vendit, ndërkohë që përmes marrëdhënieve të interkonjeksionit me operatorët e tjerë ruralë, shtrin shërbimet e telekomunikacionit pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Aktualisht, Albtelekom ka filialet e tij në qendrat kryesore të vendit, përmes të cilave mundëson të gjitha shërbimet e tij. Aktiviteti kryesor i kompanisë është i përqendruar në shitjen e shërbimeve të telekomunikacioneve, në trafikun telefonik, dhënien me qira të linjave dhe kapaciteteve të transmetimit si dhe në ofrimin e interkonjeksionit për të gjithë operatorët publikë të licencuar nga ERT. Kontrata për privatizimin e Albtelekom-it u ratifikua nga Parlamenti Shqiptar, ndërsa Çalik dhe Turk Telekom, u bënë pronare të 76 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë fikse, Albtelekom. ÇALIK ka planifikuar të kryejë një investim, i cili do ta shndërrojë Albtelekom-in në një kompani me teknologji moderne dhe shërbime cilësore ndaj klientëve. Për këtë qëllim konsorciumi turk, pak kohë më pare, ka marrë një kredi 100 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka e Detit të Zi për Tregti dhe Zhvillim (BTDB). Shuma e kredisë do të investohet në zhvillimin, shtimin dhe përmirësimin e rrjetit aktual me synim jo vetëm rritjen e kapaciteteve, por dhe shtimin e shërbimeve.
Miratohet paketa e aderimit në NATO
Qeveria miratoi po ashtu në mbledhjen e radhës edhe paketën e vendimeve për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Kryeministri tha se paketa e vendimeve përbën bazën ligjore dhe nënligjore për ta bërë Shqipërinë një vend të përshtatshëm, anëtar të NATO-s. Duke evidentuar faktin se procesi i ratifikimit nga vendet anëtare të NATO-s të Protokollit të anëtarësimit për Shqipërinë, kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për këto vende dhe shprehu bindjen se procesi i ratifikimit do të përfundojë së shpejti. “Procesi i ratifikimit të Protokollit po ecën me shpejtësinë më të madhe të mundshme dhe dua të shpreh një mirënjohje të thellë ndaj të gjitha vendeve anëtare që përparësuan ratifikimin e Protokollit në një kohë rekord. Ky proces do të kompletohet në afatin më optimal që do të përcaktojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”,- u shpreh Kryeministri. Protokolli i anëtarësimit të Shqipërisë në Traktatin e Aleancës së Atlantikut të Veriut është ratifikuar nga pjesa më e madhe e vendeve anëtare të NATO-s.

Shitja e aksioneve të shtetit tek AMC
Të përndjekurit dhe ish-pronarët përfitojnë 4 milionë euro

Kompania Cosmote Mobile Telecommunications SA ka blerë për 48.2 milionë euro 12.6 % të aksioneve që shteti shqiptar ka në kompaninë e telefonisë celulare AMC. Zv/ministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, e konsideroi mjaft të suksesshme shitjen e aksioneve shtetërore pranë AMC-së dhe një provë në besimin e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri. Duke e cilësuar situatën ekonomike të vendit si një moment mjaft të mirë, zv/ministri Bozdo theksoi se "e gjitha kjo merr vlerë të dyfishtë, ndërsa ekonomia evropiane, por edhe e disa vendeve të rajonit, po shfaq shenja të recesionit". Bozdo tha se në procedurat e garës u përfshinë kompanitë Nexus Private Equity Partner, Bedminster Capital Management, Axos Capital GmbH, Cosmote Mobile Telecommunications SA. Procesi i privatizimit për pjesën e mbetur të aksioneve shtetërore prej 12.6% pranë kompanisë celulare AMC, filloi në korrik të vitit 2008. Për këtë u miratuan aktet nënligjore përkatëse, në përputhje me të cilat u realizuan procedurat e transferimit të kësaj pakete. Ky proces u mbështet nga kompania konsulente UNICREDIT Zagreb Kroaci, në bashkëpunim me të cilën u realizua procesi i vlerësimit dhe shitjes së aksioneve të mbetura shtetërore në shoqërinë AMC. Kontrata e shitjes së aksioneve të AMC me kompaninë fituese (konsorcium) Cosmote/Telenor u nënshkrua në muajin korrik të vitit 2000. Në bazë të ligjit, u krye shitja me tender të hapur ndërkombëtar e paketës prej 85% të aksioneve kompanisë Cosmote/Telenor, me një vlerë prej 85,6 milionë dollarë amerikanë dhe më pas u transferua paketa prej 2,4% për qind për llogari të punonjësve të shoqërisë.
Ky lajm është publikuar: 12/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›