E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhnin lokale dhe shtëpi, pranga 5 personave

Autori i Lajmit: Red.
Pesë persona kanë përfunduar në pranga dhe katër të tjerë do të ndiqen në gjendje të lirë nën akuzën e vjedhjes. Burime zyrtare nga uniformat blu të kryeqytetit, bënë të ditur se janë vënë në pranga 5 të rinj, ndërkohë që katër të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë, për shkak të moshës dhe mospasjes së provave.
Sipas të njëjtave burime, mësohet se nga efektivët e Seksionit kundër Vjedhjeve të Biznesit, në bashkëpunim me komisariatet e Policisë së Tiranës, pas një pune të mirëfilltë profesionale operative-hetimore, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Sharra”, operacion i cili mundësoi goditjen në kohë të një tjetër grupi kriminal me tendencë vjedhjet e biznesit, duke ndaluar L. Xh, 17 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, E. H, 15 vjeç, Klaus Shpëtim Sula, 19 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, K. Ç., 17 vjeç, ndërsa Bledar Hushi, 23 vjeç, ndiqet në gjendje të lirë. Burime zyrtare nga policia bënë të ditur se ata dyshohen të kenë realizuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vjedhjet e gjashtë dyqaneve në Tiranë, ngjarje të ndodhura në muajin nëntor 2008 dhe janar-shkurt 2009, vjedhjen e një farmacie në Tiranë, të ndodhur në muajin nëntor 2008, vjedhjen e tre lokaleve në Tiranë të ndodhura në muajin dhjetor 2008 dhe janar 2009. Gjithashtu, po dje, policia ka identifikuar autorët e vjedhjes së banesës, ndodhur më 2 shkurt 2009 në rrugën “Ali Demi”. Tre të mitur të moshës 14 vjeç janë vënë në akuzë për këtë vepër penale dhe do të hetohen në gjendje të lirë për shkak të moshës. Ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për ndjekje në gjendje të lire, për shkak të moshës së mitur të tyre për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim”. Ndërkohë në pranga është vënë edhe Endrit Avdia, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Ndalimi i tij u krye pasi dyshohet së është autor i vjedhjes së një banese, ndodhur më 6 shkurt 2009 në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, Kombinat.

Ky lajm është publikuar: 12/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›