E Shtunë, 31 Tetor 2026

DY MIKE HISTORIKE: TURQIA DHE SHQIPËRIA



Midis Turqisë dhe Shqipërisë ka një miqësi të fuqishme, rrënjët e së cilës gjenden në thellësitë e historisë sonë të përbashkët. Kjo miqësi e ngushtë midis dy popujve mbështetet në lidhjet farefisnore që i hasim shpesh në të dyja vendet dhe që çojnë më tej marrëdhëniet tona politike.

Populli shqiptar, me plot pasion për nderin dhe pavarësinë e tij, simbolin e shqiponjës e ka vendosur edhe në flamurin kombëtar dhe atdheun e tij e quan Vendi i Shqiponjave. Kjo nuk i çudit aspak edhe ata që i shikojnë për herë të parë relievin e thyer, malet e mprehta dhe liqenet vezulluese të këtij vendi të bukur.

Shqiptarët, rrënjët e të cilëve zgjaten deri të ilirët që kanë jetuar në shekullin e 8-të para erës sonë, në të gjitha periudhat e historisë së tyre nuk kanë hequr dorë nga lufta për pavarësi. Megjithëse gjuhë indoeuropiane, gjuha shqipe duke pasur një karakter të veçantë ka qenë një faktor i rëndësishëm që ka lidhur shqiptarët me njëri-tjetrin gjatë historisë.

Ndoshta nën ndikimin e rolit që ka luajtur gjuha në historinë e Shqipërisë, disa nga veprat më të rëndësishme të historisë sonë të përbashkët i ka shkruar në shekullin e 19-të Shemsedin Sami Frashëri, i cili ka një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e gjuhës turke dhe është autori i Kamus-i Turkiye, fjalori i parë dhe një ndër më të mirët e gjuhës turke, dhe i Fjalorit të parë Frëngjisht-Turqisht. Intelektuali dhe shkrimtari Shemsedin Sami Frashëri me idetë e tij dha një kontribut të vyer për zhvillimin e ndërgjegjes shqiptare dhe për zhvillimin e ndjenjave kombëtare turke. Në të njëjtën kohë ai përgatiti alfabetin shqip me shkronja latine dhe themeloi Shoqatën Shqiptare të Kulturës në Stamboll në vitin 1864. Ka shumë shembuj me vlerë që vërtetojnë lidhjet tona të përbashkëta kulturore në të kaluarën tonë të përbashkët.

Gjurmët e historisë sonë të përbashkët shfaqen në letërsi dhe gjuhë, por edhe në konakët e gurtë të Gjirokastrës, në shtëpitë beratase dhe në arkitekturën e xhamisë “Ethem Bej” në qendër të Tiranës.

Si shtetas të besuar të shtetit osman, shqiptarët kishin detyra të rëndësishme shtetërore. Ata krijuan lidhje familjare me turqit dhe sot shumë kushërinj të tyre jetojnë të integruar me popullin turk duke kontribuar në jetën politike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore të vendit tonë.

Emigrimet e para të njohura drejt Anadollit kanë filluar në shekullin e 15-të. Emigrantët e parë shqiptarë bashkë me familjet e tyre erdhën në kohën Sulltan Mehmet Ngadhnjyesit dhe u ngarkuan me detyra të rëndësishme në pallatin osman.

Pjesa më e madhe e të emigruarve në Anadoll u vendosën në Arnavutkëj, e cila edhe sot është një ndër lagjet më të bukura të Stambollit. Supozohet se numri i shtetasve tanë me origjinë shqiptare që jetojnë në Turqi është i afërt me popullsinë e Shqipërisë.

Kjo lidhje midis popujve u shton përgjegjësinë personaliteteve shtetërore turke dhe shqiptare për të zhvilluar në çdo fushë solidaritetin dhe bashkëpunimin midis vendeve tona.

Marrëdhëniet dypalëshe në çdo fushë po ecin pa pasur asnjë problem. Krahas lidhjeve me rrënjë të thella në histori, mbështetja e fuqishme që i dha Turqia Shqipërisë pas ndryshimit të regjimit përbën një bazë të rëndësishme për zhvillimin e marrëdhënieve midis të dy vendeve.

Përveç faktit se zhvillohen pa probleme, marrëdhëniet dypalëshe përparojnë çdo ditë në fushat politike, ushtarake dhe ekonomike. Qeveria turke dhe qeveria shqiptare mbështetin njëra-tjetrën edhe në fushën e diplomacisë ndërkombëtare.

Qëndrimet e të dy vendeve për çështje rajonale dhe ndërkombëtare përputhen në një masë të madhe. Për më tepër lidhjet farefisnore midis shoqërisë turke dhe asaj shqiptare forcojnë në shoqërinë shqiptare besimin ndaj vendit tonë.

Me Shqipërinë kemi lidhje kulturore, historike dhe njerëzore. Ne kemi marrëdhënie miqësore të mbështetura në besimin reciprok me Shqipërinë. Megjithëse me ulje dhe ngritje këto marrëdhënie kanë ekzistuar edhe në të kaluarën, por janë zhvilluar më shumë pas kalimit të Shqipërisë në sistemin parlamentar demokratik.

Shqipëria ka një pozitë strategjike në Ballkan dhe duke ruajtur e zhvilluar stabilitetin e brendshëm është bërë e rëndësishme edhe për vendin tonë. Pozita gjeografike e saj në mes të pikave potenciale për kriza në Ballkan e ka vendosur Shqipërinë midis aktorëve të rëndësishëm në rajon.

Duke marrë pjesë në Konferencën Ballkanike të vitit 1931 me cilësinë e Presidentit të parë të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturku, duke u shprehur se popujt ballkanikë kanë lidhje farefisnore me rrënjë që zgjaten deri në Azinë Qendrore, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe të qytetërimeve dhe nënvizoi nevojën për të pranuar historinë tonë të përbashkët si një pikë fillimi, edhe në qoftë se përmban disa kujtime të hidhura.

Në fjalën e tij, Ataturku, duke tërhequr vëmendjen për rëndësinë e bashkëpunimit dhe solidaritetit rajonal, tregoi se Republika e re e Turqisë nuk e shikonte Ballkanin nën ndikimin e humbjeve territoriale të shtetit osman dhe me një përqasje drejt së ardhmes pranonte identitetet e pavarura të vendeve ballkanike.

Gjatë shembjes së regjimeve komuniste në vitet ‘90 të shekullit të kaluar dhe krizave rajonale të mëvonshme, Turqia përsëri filloi të ushqejë një interes aktiv ndaj Ballkanit.

Ndryshimet dramatike në politikën ndërkombëtare pas vitit 1990 sollën përmasa krejt të reja edhe për konceptimin e sigurisë në nivel europian dhe atë global.

Në kuadrin e këtyre kushteve të reja duhet pranuar që shqetësimet për sigurinë e sotme të Ballkanit i kanë tejkaluar përmasat rajonale dhe i interesojnë gjithë botës. Shkaku më i rëndësishëm për këtë situatë është interesimi i shteteve kryesore të mëdha të botës për dinamikat politike në Ballkan dhe rritja e vazhdueshme e këtij interesimi.

Sot është e detyrueshme që siguria e Ballkanit të trajtohet në kuadrin e gjerë europian. Ky fakt tregon rëndësinë që ka integrimi në sistemin euroatlantik i Shqipërisë, e cila ndodhet në fokusin e sistemit të gjerë të sigurisë në Europë.

Në këtë këndvështrim, ruajtja e sigurisë dhe e stabilitetit në Ballkan është një ndër përparësitë e politikës së jashtme të Turqisë. Bashkë me anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar, Turqia, duke vlerësuar politikën paqësore dhe të ekuilibruar të Shqipërisë që i shërben stabilitetit në Ballkan, është krenare se është aleate në kuadrin e NATO-s me një vend të tillë mik dhe të besuar. Në të njëjtën kohë Turqia mbështet me gjithë zemër kërkesën për anëtarësim të Shqipërisë për në Bashkimin Europian dhe gjithë procesin e anëtarësimit.

Që prej shekullit të 16-të portet e Shqipërisë kanë qenë elemente ekuilibri në detet e rajonit. Qytete të rëndësishëm si Durrësi dhe Vlora kishin rëndësi strategjike për ruajtjen e sigurisë tregtare dhe ushtarake në detin Adriatik. Shqipëria, e cila sot është një portë e hapur drejt Mesdheut për vendet e rajonit, edhe në të ardhmen duhet të ruajë pozicionin historik ekuilibrues dhe strategjik në Mesdhe.
Shqipëria, e cila në fillim të viteve ‘90 kaloi në ekonominë e tregut të lirë, brenda më pak se 20 vitesh, që konsiderohen thjesht një çast në historinë e një vendi, ka realizuar një hop të ndjeshëm në nivelin e zhvillimit dhe të mirëqenies. Të gëzon fakti që populli dhe biznesmenët shqiptarë janë ndikuar më pak nga kriza ekonomike globale në krahasim me disa vende të tjerë.

Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit e nënshkruar me Bashkimin Europian në vitin 2006, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Europën Qendrore që hyri në fuqi në vitin 2007 dhe procesi i anëtarësimit të Bashkimin Europian, i cili mbështetet me gjithë zemër nga Turqia, që më në fund është një vend kandidat, fuqizojnë më tej zhvillimin e Shqipërisë.

Edhe sot vendet ballkanike kanë histori, fat dhe të ardhme të përbashkët. Gjithmonë Ballkani ka qenë një ndër qendrat e pasurisë kulturore të Europës. Po të shikohet prapa në historinë e Europës mund të vërehet se deri në shekullin e 16-të qytetet ballkanike jetonin në një nivel mirëqenie më të lartë se qytetet e Europës Perëndimore.

Është e vështirë të harrosh aspektet e dhimbshme të historisë së Ballkanit të ngulitura në kujtesë, por duke lënë mënjanë gjurmët e krizave që kanë përfunduar ngaqë struktura njerëzore nuk mund të jetojë mes dhimbjeve, duhet që vendet ballkanike të kenë një unitet force. Në këtë kuadër, integrimi dhe bashkëpunimi rajonal kanë një rëndësi të veçantë. Prandaj është e nevojshme edhe një përqasje e re në Ballkan.

Ndjenja e solidaritetit dhe dashuria që ushqejnë populli turk për popullin shqiptar dhe interesi i secilës palë për tjetrën në aspektin gjeografik, kulturor dhe tregtar përbëjnë potencialin e marrëdhënieve tona në zhvillim.

Me gjithë klimën zgjedhore në vendet tona gjatë vitit 2009, vazhdimi i vizitave të nivelit të lartë simbolizon këtë lidhje dhe respekt reciprok. Edhe vizita që Presidenti ynë Abdullah Gül parashikon të bëjë në Shqipëri gjatë dhjetorit të këtij viti do të jetë kuptimplote dhe e rëndësishme për të konfirmuar në nivelin më të lartë këtë realitet shembullor të marrëdhënieve tona.

Një përmasë tjetër gjatë kësaj vizite të Presidentit të Turqisë do të jetë takimi i Këshillit të Biznesit turko-shqiptar.

Gjatë 5 viteve të fundit vëllimi tregtar midis të dy vendeve është rritur 3 herë, ndërsa investimet turke në Shqipëri janë 8 herë më shumë. Me gjithë këtë është një realitet potenciali i madh që pret të shfrytëzohet në fushën ekonomike dhe tregtare. Në takimin e Këshillit e Biznesit biznesmenët turq dhe shqiptarë do të kenë rastin të trajtojnë mundësitë e reja për investime reciproke.
Ashtu si tani, edhe në të ardhmen populli turk do të vazhdojë të jetë përkrah popullit shqiptar.

19 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›