E Diel, 1 Nëntor 2026

Transfuzioni i gjakut, llojet e sëmundjeve që kanë varësi



Emanuela Sako

Mungesa e gjakut tashmë është kthyer në problem shqetësues në të gjitha spitalet e vendit. Për të shmangur këtë situatë Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut ka 29 banka në 26 rrethe në të gjithë vendin ku mund të dhurohet gjak. Por, autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur statistikat që shënojnë ulje të rasteve të dhuruesve. Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar kategoritë më në nevojë që kërkojnë transfuzionin e gjakut për trajtimin e personave të aksidentuar, pacientëve që vuajnë nga anemia e rëndë dhe kronike, pacientëve me kancer, pacientëve që do t’u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, grave që kanë hemorragji të madhe gjatë lindjes, talasemikëve, të sëmurëve me veshka.
Ligji
Pacientët janë lehtësuar disi nga pagesat e larta që kërkon analizat e gjakut. Tashmë pacientët nuk do të paguajnë për përpunimin e gjakut që duhet të marrin për të kuruar sëmundjet. Qeveria pak kohë më parë vendosi të bëjë një ndryshim në ligjin “Për shërbimin e transfuzionit të gjakut në Republikën e Shqipërisë”, pasi pacientët që marrin gjak në mënyrë të vazhdueshme e kanë të pamundur të mbulojnë shpenzimet. Në bazë të ligjit gjaku njerëzor nuk mund të përdoret në shërbimin shëndetësor për qëllime fitimi. Prandaj shpenzimet për procedurat e kontrollit, të përpunimit dhe të shpërndarjes së gjakut e të përbërësve të tij, në asnjë rast, nuk përballohen nga pacienti. Këto shpenzime i mbulohen Shërbimit Kombëtar të Transfuzionit të Gjakut nga institucionet shëndetësore, që e përfitojnë këtë shërbim. Ndërsa, kostoja për secilin nga shërbimet e përcaktuara vendoset me urdhër të ministrit të Shëndetësisë. Kështu, pacientët do të mund të marrin një shërbim të kualifikuar, por pa nxjerrë para nga xhepat e tyre për ekzaminimet e gjakut të dhuruar. Në bazë të vendimit të fundit, Ministri i Shëndetësisë përcakton kërkesat e bazës organizative e teknike të strukturave, si dhe të veprimtarive promovuese e edukative të shërbimit të transfuzionit. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut do të financojë, me fondet buxhetore, të dhëna për këtë qëllim, shpenzimet e promocionit të çdo organizate jofitimprurëse (OJF), që promovon dhurimin vullnetar të gjakut.
Mungesat
Një çështje e rëndësishme që përballen pacientët vazhdimisht është se në disa pavijone mungojnë laboratorët për kryerjen e analizave. Kjo rëndon edhe më tepër situatën për pacientët që kërkojnë transfuzionin e gjakut. Laboratorët për kryerjen e analizave për të sëmurët talasemikë në vendin tone nuk funksionojnë. Sipas specialistëve, numri i talasemikëve në vend ka ardhur duke u rritur dhe problemet për kurimin e tyre janë të mëdha. Specialistët bëjnë të ditur se ky është një çështje e rëndësishme sepse talasemikët dhe të sëmurët me veshka kërkojnë transufizon të vazhdueshëm për t’u mbajtur në jetë. Ndërkohë që rreth 80% e pacientëve që vuajnë nga talasemia janë nën moshën 20 vjeç. Ndërsa ky raport është i kundërt në vendet e rajonit dhe Europës, ku mosha e të prekurve është më e madhe. Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 300 pacientë të prekur që kurohen në spitalet e vendit.

Mënyrat se si mund të sigurohet gjaku

Mungesa e gjakut është evidente në të gjithë spitalet e vendit, për shkak se numri i dhuruesve është shumë i vogël, ndërsa kërkesat janë gjithmonë më të mëdha. Sigurimi i gjakut nga ana e autoriteteve shëndetësore është vështirësuar së tepërmi dhe këto të fundit shpeshherë kanë apeluar për të dhuruar sa më tepër gjak nga qytetarët. Kështu, ligji për marrjen e gjakut parashikon se gjaku mund të sigurohet nëpërmjet importit apo në mënyrë vullnetare, por asnjë nga këto procedura nuk i plotëson nevojat e spitaleve për gjak. Për më tepër që importimi i gjakut, i cili parashikohet në ligj, është një procedurë që nuk është kryer deri tani. Specialistët theksojnë se numri i dhuruesve të gjakut vullnetar apo me pagesë ka rënë së tepërmi kohët e fundit. Ministria e Shëndetësisë, pak muaj më parë deklaroi se në rast krize do të bënte gati dokumentacionin e duhur për sigurimin e flakoneve nga vendet e certifikuara të Bashkimit Evropian. Kështu, pacientët do të vuajnë nga sëmundjet për mosfurnizimin e trupit me gjak pa një afat të pacaktuar

Gripi A, vonesa në shpërndarjen e vaksinës

Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar vonesa në shpërndarjen e vaksinës për gripin e derrave, në një kohë kur vdekjet nga virusi A/H1N1 kanë kaluar nivelin e epidemisë. Vetëm 28-30 milionë doza do të jenë të gatshme brenda këtij muaji. Anne Schuchat, nga Qendra e SHBA-së për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve shprehet se vonesat janë bërë prezentë tashmë. Sipas burimit, gripi i derrit ka pasur një impakt të fortë tek fëmijët, 86 prej të cilëve kanë vdekur gjatë këtij viti. “Numri i fëmijëve të vdekur nga A/H1N1 është më i madh krahasuar me numrin e fëmijëve që vdesin në një sezon nga gripi normal”,- deklaroi Schuchat. Rreth 43 fëmijë raportohen të vdekur nga gripi i derrit që nga data 30 gusht, 38 prej të cilëve janë konfirmuar se kanë ardhur si pasojë e prekjes nga virusi A/H1N1. “Këto janë shifra shumë shqetësuese. Disa nga këta fëmijë kanë pasur shëndet të plotë”,- ka deklaruar zyrtarja amerikane. Ndërkohë që virusi ka marrë përmasa të mëdha në disa vende. Në Kinë është shënuar viktima e dytë nga virusi i gripit, ndërkohë që një shkollë është mbyllur.

19 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›