Panairi i Armëve, nga topi e gjylja te snajperët high-tec
Një ditë në “sfondin” ushtarak të Muzeut, ku përkrah armëve të vjetra të Ushtrisë Shqiptare sfidojnë ato të modernizuarat. Vajzat foto me djemtë e RENEA-s, të moshuarit nostalgjikë pranë tankeve të rinj
Dy topa hijerëndë të tipit OBUZ, të vendosur në hyrjen para Muzeut Kombëtar, grishin kureshtjen e kalimtarëve për t’u bërë pjesë e një ngjarjeje të veçantë komerciale si panairi i armëve. Vizitorët janë të shumtë e, ndryshe nga ç’e pret, nuk gjen veç djem të rinj, mesoburra a pensionistë nostalgjikë, që dikur kanë punuar në strukturat e Ushtrisë. Vajza të reja, pa asnjë drojë nga armët, nxitojnë të bëjnë fotografi, duke marrë herë pozicionin e një luftarakeje, e herë të një modeleje pranë gjyleve, topave apo armëve të sofistikuara. Djemtë e RENEA-s ishin po kaq të preferuar prej tyre, që ndryshe nga sa i kemi parë në ndërhyrjet e shpejta, pozonin duke qeshur. Më të vjetrit shihnin nga afër tanket e rinj të ekspozuar në panair, duke kujtuar se me një të tillë, po ku e ku më të vjetër, kanë punuar dikur. Arsenali i Ushtrisë Shqiptare nga viti 1912 e deri më sot kishte zbritur në Muzeun Kombëtar. Klik Ekspo Group, anëtar i Organizatës Globale të Industrisë së Panaireve UFI, realizon edicionin e dytë të Panairit Ndërkombëtar për Mbrojtjen dhe Sigurinë, që do të mbahet për tri ditë radhazi në Tiranë. Edicioni i dytë i Panairit Ndërkombëtar ALMEX 2011 u çel në një atmosferë tejet festive, si ekspozita më e plotë e risive teknologjike, produkteve, sistemeve dhe zgjidhjeve “futuristike” në industrinë e mbrojtjes dhe sigurisë.
***
Sikurse ishin ndarë mjetet ushtarake, ashtu ishin edhe vizitorët, të rinjtë drejt armëve të reja e të sofistikuara, ndërsa më të vjetrit drejt armëve të përdorura dikur, që tashmë kanë ngelur thjesht si relikte në armatimet e ushtrisë, ose më e shumta përdoren për stërvitje. Të tilla armë të ekspozuara në Brigadën Logjistike janë: Topi 75 mm, model 56-2, Mortaja 82 m, model 63, Mitralozi Shvars, Mitralozi (K/A) 12.7 mm. Ndonëse jo shumë të konsumuara nga vitet, ushtaraku, që jep informacion rreth tyre në pjesën e Brigadës Logjistike, tregon sesi ato përdoren duke i lëvizur lehtësisht, veprim që të heq kuriozitetin se nuk janë ende të ndryshkura, por thjesht jashtë kohe. Ushtaraku tregon se Mitralozi 12.7 shërben për sulme ajrore dhe për ato tokësore, por në ditët e sotme, sipas tij, duke qenë se nuk ka më as luftëra, këto armë, një pjesë e të cilave janë organikë e Ushtrisë, përdoren vetëm për stërvitje. Brenda armëve të mëdha të Brigadës Logjistike të zë syri edhe beretat e vogla ngjyrë bakri, që kanë filluar të ndryshken, e të zëvendësohen me simotrat e tyre pis të zeza që janë pistoletat Beretë 9 mm, e ato automatike të së njëjtës markë. Por, edhe më befasues bëhet panairi kur shikon sesi makinat e vjetra ushtarake janë zëvendësuar me mjete gjigante tepër të sofistikuara, drejt të cilave rendnin të gjithë vizitorët për të bërë fotografi, duke mos e fshehur dot shpirtin luftarak që karakterizon shqiptarët. Kjo ekspozitë, që ka filluar të bëhet traditë edhe në Tiranë, nuk është thjesht një paradë produktesh, por në bashkëpunim me strukturat pjesëmarrëse do të ofrojë edhe demonstrime në kohë reale, ku përfshihen: qitje dhe stërvitje në terren; simulime të luftimit trup me trup; demonstrim i pajisjeve teknike të transportit dhe komunikimit dhe varietetit teknologjik në operacionet nga Forcat e Armatosura. Takimi ekskluziv përfshin një total prej 80 pjesëmarrësish, ndërmjet të cilëve gjenden kompani të profilit të lartë që operojnë në sektorin ndërkombëtar të sigurisë, mbrojtjes dhe inteligjencës. Duke dashur që panairi të flasë me fjalë, ai sjell në Tiranë, por edhe në Ballkanin Perëndimor, teknologjinë e përparuar të prodhimeve ushtarake, të cilat synojmë që të jenë prezente në modernizimin e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Gardës së Republikës, agjencive shtetërore dhe kompanive private të mbrojtjes dhe sigurisë. Ndër të tjera, ALMEX 2011 synon futjen e industrisë ushtarake ndërkombëtare në Shqipëri e më gjerë në një treg i cili është në fillesat e veta, por mjaft vital. Në këtë panair merrnin pjesë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami; ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo; ushtarakë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, përfaqësues të kompanive dhe institucioneve pjesëmarrëse, anëtarë të trupit diplomatik, si dhe të ftuar të shumtë. Sipas ministrit të Mbrojtjes, prezantimi publik i të gjitha llojeve të armatimeve dhe mjeteve të rënda luftarake, deri para pak kohësh elitë të ushtrisë shqiptare, është qëllimi kryesor i kësaj ekspozite, ku çdo qytetar i thjeshtë vendas apo i huaj do të ketë mundësi që për tri ditë me radhë të njihet nga afër me këto armatime. Ky armatim, deri dje i veshur me misterin e propagandës zyrtare dhe i ruajtur me fanatizëm nga syri i çdokujt, i ofrohet të gjitha shtresave të shoqërisë jo vetëm për t’u njohur drejtpërsëdrejti me to, por duke patur mundësinë edhe të përvetësojnë ndonjërën prej tyre. Industria e Mbrojtjes dhe Sigurisë ndryshon dhe formësohet për t’iu përshtatur kërkesave të profesionistëve të sektorit anekënd, ndaj dhe ALMEX do të jetë shtegu nëpër të cilin ekspozuesit do të njihen me nevojat e autoriteteve për mbrojtjen dhe sigurinë si në Shqipërinë anëtare të NATO-s, ashtu dhe më thellë në Ballkan, për të qenë kështu furnizuesit në “frontin” e parë. Me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë dhe bashkëpunimin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, ALMEX kthehet kështu në një gjenerator partnershipesh si për pjesëmarrësit ashtu dhe për vizitorët e motivuar.
Armët e vjetra të Brigadës Logjistike
Topi 75 mm, model 56-2
Mortaja 82 m, model 63
Mitralozi Shvars
Mitralozi (K/A) 12.7 mm
Pistoletat e vogla bereta
Armë të rralla
Snajper Druganov
Aeroplan gjuajtës-bombardues MIG 19 dhe 21
Aeroplan Jank
Aeroplan An-2
Aeroplan H-14 Silur 2 tonësh
Tanke tip T-59, T-62, T-34
Mitraloza këmbësorie
Mortaja
Tob OBUZ
Luan Muhametaj: Bashkëveprimi me të huajt ka marrë udhë
ALMEX 2011, ose edicioni i dytë i Panairit për Sigurinë dhe Mbrojtjen, është ideuar si një ngjarje që krahas promovimit të modernizimit të Forcave të Armatosura, si pjesëtare dinjitoze mes shteteve anëtare të NATO-s, do të promovojë edhe institucione të tjera të sigurisë së vendit tonë. Kështu është shprehur presidenti i Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj, në fjalën e mbajtur dje në panair. Ai ka theksuar se tashmë bashkëpunimi me të huajt për këtë proces ka marrë udhë. Ai është shprehur: “Me anëtarësimin në Aleancë dhe përgatitjen për të kaluar pragun e BE-së, intensifikohen prirjet e Shqipërisë për t’u përfshirë me zë të plotë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë ndërkombëtare. Një proces i gjatë përditësimi ka përfshirë strukturat e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, ndërkohë që me partnerët e investitorët e huaj bashkëveprimi ka marrë tashmë udhë. Ministria e Mbrojtjes dhe Klik Ekspo Group, në bashkëpunim të ngushtë, do t’i përcjellin publikut shqiptar dhe ndërkombëtar arritjet kryesore të procesit të reformimit dhe transformimit të Forcave të Armatosura, perspektivat dhe programet e modernizimit të saj”.
Ministri Imami: Forcat e Armatosura, në shërbim të sigurisë globale
Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si dhe Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me Klik Ekspo Group, sjellin për të dytin vit radhazi në vendin tonë Ekspozitën Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë Rajonale. Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, e cila hapi siparin e saj ditën e enjte dhe do të qëndroj e hapur deri ditën e shtunë, ishte i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Në fjalën e tij përshëndetëse, të mbajtur gjatë hapjes së ekspozitës që mban vulën e “ALMEX”, duke e cilësuar panairin për Mbrojtjen dhe Sigurinë Rajonale mjaft të rëndësishëm, ministri Imami u shpreh: “Ky panair synon të prezantojë Forcat e Armatosura Shqiptare, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera të sigurisë në vend, nën dritën e këtyre proceseve modernizuese, të avancimit të teknologjisë dhe të pritshmërive, përsa i takon Forcave tona të Armatosura, në funksion të mbrojtjes dhe sigurisë sa territoriale aq edhe kolektive. Organizimi i këtij panairi, përveçse një tregues i arritjeve dhe synimeve të të gjitha këtyre institucioneve, është një tregues i interesit të përbashkët që të gjitha industritë e mbrojtjes kanë në shërbim të forcimit të sigurisë”. Ministri Imami ndër të tjera vlerësoi bashkëpunimin dhe rëndësinë për realizimin e kësaj iniciative të përbashkët ndërinstitucionale, e cila vjen në një kohë kur në NATO flitet për ‘Smart Defence’. Sipas kreut të Mbrojtjes, Forcat Armatosura në këto 20 vitet e fundit kanë ndërmarrë procese të konsolidueshme transformimi, siç është veçanërisht anëtarësimi në NATO, që e ka përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura në procese esenciale për sa i përket standardizimit dhe ndërveprueshmërisë. Por, ai ka bërë të ditur se synohet krijimi dhe fuqizimi i një force të vogël, por tërësisht profesioniste dhe të aftë për të vepruar në përmbushjen e misionit të saj kombëtar e ndërkombëtar brenda vitit 2018, ku një prej përparësive të zhvillimit të FA është rritja e aftësive ushtarake dhe ripërtëritja e mjeteve dhe pajisjeve luftarake.