KASH: Të miratohet ligji i mbetjeve
Shoqatat e biznesit u kërkojnë institucioneve shtetërore të miratojnë sa më parë ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Enver Ferizaj dhe presidenti i Konfindustrisë, Hajredin Fratari, u shprehën se miratimi i këtij ligji është në interes të zhvillimit të biznesit në vendin tonë, rritjes së punësimit dhe mbrojtjes së mjedisit. Sipas përfaqësuesve të këtyre shoqatave, qeveria duhet të akordojë fonde për ndërgjegjësimin e qytetarëve në seleksionimin e mbeturinave që në burim. I njohur tashmë si ligji i mbetjeve, ka hapur një debat jo vetëm në qarqet politike por edhe në ato të shoqërisë civile. Disa ditë më parë, Presidenti i Republikës ktheu për rishqyrtim në Kuvend këtë ligj, ndërsa shoqatat ambientaliste po përpiqen të lobojnë në Kuvend për të, duke kundërshtuar lejimin e importit të tyre. Ndërkohë është hedhur edhe ideja e një referendumi për këtë problem.