E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, 207 përfituesit e rinj të pensioneve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon zyrtarisht listën më të fundit të përfituesve nga ish-ushtarakët, të cilëve u është caktuar dhe lidhur pensioni deri më 11 qershor. Në total bëhet fjalë për 207 emra të rinj përfituesish, pjesa më e madhe e të cilëve i përkasin kategorisë së pensioneve suplementare të pleqërisë dhe disa të tjerë asaj të pensioneve të parakohshme. Me gjithë përfituesit e fundit, në total numri i ish-ushtarakëve për të cilët ka përfunduar procesi i llogaritjes dhe caktimit të pensionit shkon në rreth 2 mijë, të cilët i përkasin dikastereve dhe rretheve të ndryshme të vendit. Pjesa më e madhe e ish-ushtarakëve që kanë përfituar deri më tani nga ligji nr.10142 janë kategoria e atyre të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Deri më tani nga kjo kategori kanë përfituar 1038 ish-ushtarakë, ndërkohë që, sipas të dhënave nga ISSh, janë mbi 4 500 ish-ushtarakë që do të përfitojnë për herë të parë pensione suplementare, pensione të parakohshme, dhe rillogaritje të pensionit nga ligji nr.10142, i datës 15 maj 2009. Kurse përsa i përket llojit të përfitimeve, ashtu siç edhe ISSh ka bërë të ditur që në nisje të procesit, se në fazën e parë të rillogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve do të përfundojë sa më shpejt procedurën për të gjithë ata persona të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Faza e dytë janë personat të pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme. Aktualisht ka nisur procesi edhe për këta të fundit, dhe në çdo listë të publikuar nga ISSh numri i tyre vjen duke u rritur.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›