E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ushtarakët, 267 pensionet e reja të parakohshme dhe të rillogaritura

SHKRUAN: Jonida Tashi 16-05-2011 11:12

Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon zyrtarisht listën e radhës me emrat e 267 ish-ushtarakëve që do të përfitojnë pensionet e reja të parakohshme dhe të rillogaritura sipas ligjit nr.10142, datë 15.05.2009, i ndryshuar. Bëhet fjalë për një listë të re përfituesish, në të cilën janë detajuar emrat e ish-ushtarakëve, për të cilët ka përfunduar procesi i caktimit dhe rillogaritjes së përfitimit, dhe që i përket harkut kohor nga data 5-13 maj 2011. Ndërkaq, në këtë listë ISSh ka përcaktuar edhe qendrat paguese ku ish-ushtarakët duhet të paraqiten për të tërhequr llojin e përfitimit që u takon. Me gjithë përfituesit e fundit, në total numri i ish-ushtarakëve për të cilët ka përfunduar procesi i llogaritjes dhe caktimit të pensionit shkon në 1114 përfitues, të cilët i përkasin dikastereve dhe rretheve të ndryshme të vendit. Përsa i përket llojit të përfitimeve, ashtu siç edhe ISSh ka bërë të ditur që në nisje të procesit se në fazën e parë të rillogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve, do të përfundojë sa më shpejt procedurën për të gjithë ata persona të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Sipas të dhënave nga ISSh, janë mbi 4 500 ish-ushtarakë që do të përfitojnë për herë të parë pensione suplementare, pensione të parakohshme, dhe rillogaritje të pensionit nga ligji nr.10142, i datës 15 maj 2009. Më konkretisht, në listën e emrave përfitues që është publikuar në nisje të këtij procesi është bërë një ndarje e numrit të përfituesve sipas kategorive. Së pari, janë 267 përfitues të cilëve u ka lindur e drejta që nga data 1 korrik e vitit 2009; më pas janë ish-ushtarakët e dalë në pension përpara korrikut të vitit 1991, që përfitojnë pensione suplementare dhe që në total shkojnë në 1 339 përfitues; dhe 2 937 përfitues të tjerë janë ata persona që kanë aplikuar për procesin e rillogaritjes. Por, përpos nisjes së procesit për ushtarakët që do të përfitojnë për herë të parë pensione të parakohshme, burime nga ISSh-ja bëjnë të ditur se tashmë ky institucion është gati të llogarisë dhe ndajë pensionet edhe për ushtarakët e tjerë që trajtohen jo vetëm me këtë lloj përfitimi, ndërkohë që pritet vetëm konfirmimi i të dhënave nga institucionet përkatëse, që janë vjetërsia në punën dhe paga referuese. Faza e dytë janë personat të pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme. Aktualisht ka nisur procesi edhe për këta të fundit, ndonëse përfituesit e deritanishëm janë të paktë në numër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›