E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e naftës në pikiatë në Bursa, nuk reagon tregu vendës

Tregu vendës i karburanteve po i sheh me skepticizëm zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, ku një fuçi naftë në bursa ka rënë poshtë kufirit 100 dollarë. Madje në bursën e Nju-Jorkut, çmimi i naftës ra në fundjavë në kuotën 98 USD, ndërsa në bursën e Londrës në nivelin e 99 dollarëve për fuçi. Rënia drastike e çmimeve të naftës vetëm gjatë një jave, sipas të gjitha gjasave, pritet të vijojë edhe në periudhën në vazhdim, pasi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në një analizë të ditëve të fundit ka pohuar se kërkesa globale për karburante nuk do të rritet. Rënia e çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar ka tashmë rreth tri javë që kanë nisur, mirëpo tregu vendës nuk ka dhënë asnjë shenjë në këtë drejtim. Burime nga kompanitë importuese të naftës kanë pohuar se ende nuk janë mbaruar rezervat e brendshme të blera jashtë, kur çmimi ishte më shumë se 120 dollarë për fuçi. Mirëpo ka një praktikë të njohur në këtë drejtim, kur tregu vendës reagon në sinkron me tregun ndërkombëtar, kur çmimet rriten, por kjo nuk ndodh kur ato ulen. Dhe kjo vlen edhe për artikujt e tjerë, si gruri, orizi, dhe vaji, çmimi i të cilave është ulur ndjeshëm në bursa, ndërsa në vendin tonë ndryshimi i çmimit për këta artikuj mbetet i pareflektuar. Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga ky reagim i tregut vendës për çmimet e artikujve kryesorë të konsumit, ka nisur një hetim mbi tregun e ushqimeve. Hetimi është ende në proces dhe rezultatet e tij pritet të zbardhen brenda këtij viti. Rënia e çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar në fakt ka dhënë efekte zinxhir në të gjithë pjesën tjetër të artikujve kryesorë, duke nisur nga metalet e çmuara deri te çmimet e mineraleve, grurit etj. Në raportin e publikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë vlerësohet se konsumi në mesatare do të jetë 1.29 milionë fuçi në ditë dhe vlera është më e ulët nga parashikimi i mëparshëm për 1.43 milionë fuçi në ditë. Në këtë reduktim të konsumit ditor global agjencia përmendi vlerat e larta të çmimit të naftës bruto si dhe normën më të ulët të rritjes së ekonomive në zhvillim. Në raportin e përmuajshëm agjencia me bazë në Paris tha se, pavarësisht rritjes së kërkesës në raport me vitin e kaluar, tashmë vlerësohet se konsumi do të jetë shumë i lidhur me çmimin e naftës në pikat e shitjes me pakicë dhe kjo është e vlefshme në Amerikën e Veriut. Analistët thanë se shqetësimet për masën e rritjes së ekonomisë globale po ndikojnë në reduktimin e vlerave të metaleve të çmuara dhe të spektrit të gjerë të mineraleve. Çmimi i naftës më 2010: është shitur me 132 lekë duke pësuar një rritje graduale. Në muajin maj ky produkt ka shënuar një rritje të menjëhershme dhe çmimi shkoi 147 lekë për litër, kohë kjo kur çmimi në bursa iu afrua 90 dollarëve për fuçi. Ndërsa maji 2011 e gjen arin e zi në vend me një çmim më të shtrenjtin që është shënuar ndonjëherë me mbi 180 lekë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›