E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, gati buxheti i rishikuar

06/06/2011  Ekspertët e Ministrsë së Financave konkretizojnë ndryshimet në arkën e shtetit

Si do të caktohet rritja e pagave dhe pensioneve që nis nga korriku 2011

Ministria e Financave pritet të konkretizojë këtë javë rishikimin e buxhetit 2011. Sipas burimeve nga ky dikaster, bëhet e ditur se po shqyrtohen ndryshimet me specialistë të ministrive të linjës për projektet e mundshme ku do të ndërhyhet. Më pas, këto ndryshime do të paraqiten në qeveri për miratim. Duke parë ecurinë e deritanishme në mbledhjen e të ardhurave, ky dikaster po analizon ecurinë e investimeve në projekte, në mënyrë që fondet e mbetura pezull në disa projekte ti kalojë në ato që po ecin më mirë. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Berisha është shprehur se do të ulen shpenzimet për çdo institucion, rishikohen me qëllim riorientimin e fondeve në strukturimin e tyre, në raport me realizimin. Nga përvoja e viteve të mëparshme, mendohet se kur të ardhurat janë më tepër se programi i përcaktuar, miratohet buxheti shtesë në korrik, kohë kur nis edhe rritja e pagave dhe pensioneve. Ndërsa, gjithnjë sipas përvojës, kur të ardhurat janë më të ulëta se programi, shkurtimet bëhen në ato pjesë të buxhetit që ka pasur një planifikim më të madh. Qëllimi në thelb është mbajtja nën kontroll e deficitit buxhetor.

Rritja e pagave dhe pensioneve

Qeveria ka premtuar se rritja e pagave dhe pensioneve do të realizohet edhe këtë vit. Pikërisht detajimi i kësaj politike të ndjekur nga qeveria do të bëhet në buxhetin e rishikuar të qershorit 2011. Ashtu siç është vepruar edhe vitet e fundit, në draftin e rishikuar do të ketë rishpërndarje të fondeve të përcaktuara për ministritë apo për sektorë të veçantë në buxhetin e miratuar të 2011-s. Sipas burimeve të Ministrisë së Financave, dy janë shkaqet që mund të sjellin një reduktim të fondeve dhe që do të pasqyrohen në draftin e rishikuar të buxhetit. Së pari, është niveli jo i mirë i mbledhjes së të ardhurave për pjesën e parë të vitit, si dhe rritja e shpenzimeve. Këto dy faktorë që do të sjellin shkurtime fondesh për disa sektorë. Por për të pasur një deficit buxhetor nën kontroll, mund të ndërhyhet në fondin e kontigjencës. Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Ministria e Financave, totali i të ardhurave për katër muajt e parë të vitit ishte 103.7 miliardë lekë, me një rënie prej 0.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010. Shpenzimet arritën vlerën e 119.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 13% krahasuar me një vit më parë.

Tendenca e të ardhurave

Tendenca në ulje e të ardhurave dhe shpenzimeve solli një rritje të fortë të deficitit buxhetor, që për katër muajt e parë të vitit preku vlerën e 15.8 miliardë lekëve, ose 13 herë më shumë krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2010. Deri në fund të muajit prill është përdorur rreth 333.6 milionë lekë në formën e subvencionit për kompensimin e vlerës së taksës së biznesit të vogël të përdorur për rimbursimin e pajisjeve fiskale tek njësitë e qeverisjes vendore, nga fondi i kontigjencës për ruajtjen e deficitit i planifikuar në rreth 3.6 miliardë lekë. Po kështu, nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, i planifikuar në 1.5 miliardë lekë për vitin 2011, janë ekzekutuar deri në fund të muajit prill 2011 rreth 992.5 milionë lekë, nga të cilat 205 milionë lekë për shpenzime për paga, 152.8 milionë lekë për shpenzime operative dhe mirëmbajtje dhe rreth 634.7 milionë lekë për investime.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›