Ish-ushtarakët, emrat e 184 përfituesve të rinj sipas dikastereve
Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon emrat e 184 ish-ushtarakëve, për të cilët procesi i caktimit dhe lidhjes së pensioneve ka përfunduar brenda 15-ditëshit të parë të këtij muaji. Në listën e publikuar nga ISSH pjesa më e madhe e përfituesve i përkasin pensionit të parakohshëm, kategoria e të cilëve do të futeshin të parët në procesin e përllogaritjes dhe caktimit të përfitimeve. Por në këtë listë janë përfshirë edhe emrat e disa ushtarakëve të cilët do të përfitojnë pension suplementar para vitit 1991, pension pleqërie, rillogaritje etj. Përsa i përket vendbanimit të përfituesve, pjesa më e madhe e tyre i përkasin Tiranës, ndërkohë që ka edhe disa të tjerë nga rrethe të ndryshme të vendit, si Berati, Dibra, Kukësi etj. Me gjithë numrin e përfituesve të fundit, në total, deri më tani, numri i ish-ushtarakëve që kanë përfituar nga ligji ri 10142, datë 15.5.2009 ka arritur në 600. Ndërkaq, ISSH vazhdon të jetë në pritje të dokumenteve nga ministritë e linjës për të vijuar me përllogaritjen e pensioneve për përfituesit e mbetur sipas kategorive. Megjithëse numri i përfituesve ka ardhur në progres rritjeje, sipas ish-ushtarakëve, ky proces po ecën me ritme të ngadalta, dhe për këtë ata fajësojnë institucionet përgjegjëse që nuk përcjellin në ISSH dy dokumentet kryesore që kërkohen, që janë vjetërsia në punën dhe paga referuese. Përpos nisjes së procesit për ushtarakët, që do të përfitojnë për herë të parë pensione të parakohshme, burime nga ISSh-ja bëjnë të ditur se tashmë ky institucion është gati të llogarisë dhe ndajë pensionet edhe për ushtarakët e tjerë që trajtohen me këtë lloj përfitimi, por pritet vetëm konfirmimi i të dhënave nga institucionet përkatëse. Në fazën e parë të rillogaritjes së pensioneve të ish-ushtarakëve, ISSh-ja ka parashikuar të përfundojë sa më shpejt procedurën për të gjithë ata persona të cilëve u ka lindur e drejta qysh prej datës 1.7.2009, por nuk kanë përfituar të drejtën e pagesës. Këta janë për pension të parakohshëm për lehtësi shërbimi. Faza e dytë janë personat të pensioneve suplementare të ish-ushtarakëve para 30 qershorit 1991, të cilët kanë dalë në rezervë. Kryesisht, këta janë kategoria e personave të cilët kanë dalë që të gjithë në pension, por nuk kanë përfituar nga ligjet e mëparshme.