E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët, hiqen provimet semestrale

SHKRUAN: Jonida Tashi 18-04-2011 13:04

Hiqet vlerësimi semestral për maturantët. Kjo do të ndodhë duke filluar nga viti i ardhshëm shkollor dhe gjimnazistët e viteve të fundit të shkollës së mesme në mbarë vendin do të testohen për dijet e tyre në fund të shkollës. Ky lajm bëhet i ditur zyrtarisht nga drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Vejsiu. Për rrjedhojë, ky do të jetë viti i fundit që maturantët do t’i nënshtrohen provimeve semestrale, pasi vlerësimi do të jetë vjetor. Specialistët e arsimit shpjegojnë se kjo risi vjen si pasojë e ndryshimeve të tjera që kanë ndodhur në Maturën Shtetërore, ku tashmë maturantëve u është hequr edhe e drejta e sezonit të vjeshtës. “Në shkollën e mesme nuk do të ketë më vlerësim semestral. Vlerësimi do të jetë vetëm vjetor. Për këtë ne kemi rivënë në zbatim udhëzimin e ministrit, numër 121, që flet për zhvillimin e konsultimeve sipas planeve të përcaktuara mirë”, - pohon Fatmir Vejsiu.

Sipas urdhrit të ministrit Tafaj, për organizimin e konsultimeve në shkolla, drejtoria e shkollës duhet të afishojë në këndin “Matura Shtetërore” grafikun e konsultimeve për secilën nga lëndët e provimeve të detyruara dhe lëndët e provimeve me zgjedhje, së bashku me emrin e mësuesit që i zhvillon. Lëndët e provimeve të detyruara do të zhvillohen në bazë klase, ndërsa lëndët me zgjedhje mbi bazën e grupit të formuar nga drejtoria e shkollës, duke marrë për bazë të dhënat e formularit A1. Ndërkaq, sipas urdhrit të ministrit Tafaj, grafiku i konsultimeve ka vlerë deri në përfundimin e shkollës, pastaj ai zëvendësohet me grafikun e ri të konsultimeve të ditëve përpara provimeve. Në grafikun e parë, përpara përfundimit të shkollës, me secilën klasë të zhvillohen dy orë konsultim në javë, një në Letërsi dhe një në Matematikë. Në grafikun e dytë, përpara ditëve të provimit me secilën klasë ose grup për provimet me zgjedhje, duhet të zhvillohen 5 orë konsultime në Letërsi, 8 orë konsultime në Matematikë dhe 8 orë konsultime në lëndët me zgjedhje. Përsa i përket maturantëve që do të futen këtë vit në provimet e Maturës, sipas udhëzimit nr.7, datë 01.02.2011 “Për përfundimin e vitit shkollor 2010-2011 dhe për zhvillimin e provimeve përfundimtare dhe provimeve të Maturës Shtetërore, në sistemin e arsimit parauniversitar”, çdo DAR/ZA do të dërgojë brenda datës 24 maj 2011 në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) emrat e nxënësve maturantë mbetës, në përfundim të vitit, për t’u hequr nga lista e provimeve të Maturës Shtetërore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›