“Ligji ‘Për faljen’ i rëndësishëm - dënimet e përjetshme nuk mund të përfshihen”

Deklaron Kryeministri në mbledhjen e grupit parlamentar
Mazhoranca kërkon bashkëpunimin e opozitës për sa i takon ndryshimeve që mund të bëhen në Kodin Penal shqiptar, lidhur me dënimin maksimal dhe sistemin e faljes të burgosurve. Drafti i cili po shqyrtohet në komisionin e ligjeve, sipas kryeministrit, është ligji më i rëndësishëm në rrafshin juridik dhe moral. Nisur nga eksperienca perëndimore e vendeve të Bashkimit Evropian, ku dënimi maksimal shkon nga 50 vjet në 100 vjet, edhe Shqipëria synon të vendosë një standard të ri, për të hequr dënimin e përjetshëm dhe aplikimin e dënimit maksimal, duke e rritur mbi 25 vjet. Në kushtet nevojshme të ndryshimit të Kodit Penal, kryeministri kërkoi bashkëpunimin e opozitës. “Në situatën aktuale të Kodit Penal shqiptar, i cili pas dënimit për jetë ka dënim të dytë maksimal 25 vjet, natyrisht kjo nuk mund të bëhet. Por, në rast se Partia Socialiste, deputetët e Partisë Socialiste, bien dakord që të ndryshoj Kodi Penal dhe afati i dënimit maksimal të jetë, jo 25 vjet, por të jetë, 61 e ka Britania e Madhe, 100 e ka Italia, 50 e kanë vende të tjera, atëherë ne mund të mos bëjmë përjashtime në sistemin e faljes por me kusht që të ndryshoj paraprakisht, sepse ata që janë dënuar për jetë, janë persona që kanë kryer krime ndër më të rëndat dhe më të rrezikshmet, dhe drejtësia shqiptare meriton vlerësimin më të madh për ato dënime që ka dhënë. Në asnjë rrethanë këta gjykatës dhe prokurorë që i janë përgjigjur ligjit nuk mund të lëndohen nga politika në kushtet ekzistuese. Ne qeveria dua t’ju them, ne e mbyllëm kapitullin siç erdhi te ju, që dënimet për jetë të mos përfshihen. Në doktrinën e së drejtës kjo është e diskutueshme ndaj dhe një do të doja që kryetari i komisionit të ligjeve, sekretari, të bëj një diskutim me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, në rast se ata bien dakord, që ne të ndryshojmë Kodin Penal, të çojmë një tavan tjetër, gjë e cila për hir të vërtetës mund të bëhet, sepse nuk është se kjo tradita diktatoriale, e cila ka qenë ose ekzekutim, ose 25 vjet, hapësirë tani ne nuk kemi ekzekutim, kemi dënim përjetë, e kemi hequr dënimin me vdekje, kemi bërë shumë mirë”, deklaroi kryeministri. Komisioni i ligjeve shqyrton projektligjin “Për faljen” - “Kritere të reja për të përfituar falje nga personat e dënuar”/Projektligji i qeverisë “Për faljen”, i cili përcakton kriteret e reja për të përfituar faljen e Presidentit të Republikës për të gjithë të dënuarit, u hodh dje në shqyrtim nga komisioni parlamentar i ligjeve. Fillimisht, komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me organizatat joqeveritare, si Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Grupin Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, Dhomën e Avokatisë dhe Avokatin e Popullit, ku merrte pjesë edhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Duke prezantuar projektligjin, ministri Nishani tha se përmes tij, synohet përcaktimi i kritereve dhe procedurave të dhënies së faljes për personat që vuajnë dënime me vendim gjyqësor. Sipas tij, një mjet i rëndësishëm në këtë drejtim janë instrumentet kushtetuese dhe ligjore të amnistisë dhe faljes së dënimeve penale, të cilat përfaqësojnë akte mëshire ndaj të dënuarve dhe si një mundësi për integrimin e tyre social. Në projektligj parashikohet një raport i posaçëm ndërmjet institucionit të Presidentit të Republikës dhe ministrit të Drejtësisë. Në këtë kontekst, ministri i Drejtësisë sqaroi se qëllimi kushtetues është i qartë dhe një dualitet i tillë kompetencash balancon pushtetet dhe i shërben më mirë ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe mbrojtjes së interesave të shtetasve nga pushteti. Në vijim, përfaqësues të palëve të interesuara, si Avokati i Popullit, Dhoma e Avokatisë, etj, e vlerësuan këtë nismë si të domosdoshme për përcaktimin e kritereve konkrete në dhënien e faljes, ndërsa dhanë dhe propozime lidhur me çështje teknike të p/ligjit. Pasi diskutimeve të të ftuarve për këtë projektligj, anëtarët e Komisionit të Ligjeve zhvilluan me ta një diskutim të hapur, ku shkëmbyen opinione mbi strukturën legjislative të këtij projektligji, rëndësinë të cilit e vlerësuan në kuadër të reformës në drejtësinë penale. Për hartimin e projektligjit “Për faljen” janë marrë parasysh një pjesë e madhe e vërejtjeve të bëra nga Misioni Euralius II dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
...