“Rama i verbuar nga interesat personale, përdori çadrat si bllokadë ndaj vizave”
Deklaron kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me banorët e Farkës
Kryeministri Sali Berisha është shprehur dje gjatë një takimi të realizuar me qytetarët e Farkës, pas inaugurimit të shkollës 9 vjeçare, një investim prej 60 milionë lekë, se qeveria e djathtë është e angazhuar për të realizuar me sukses aspiratat e integrimit, duke nisur nga zhvillimi ekonomik i Shqipërisë. Shefi i ekzekutivit shprehu zotimin e qeverisë së djathtë, për të konfirmuar me sukses aspiratat e integrimit të Shqipërisë. Berisha tha se rritja e investimeve dhe modernizimi i infrastrukturës mbetet jetike, për zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve shqiptarë. Duke u ndalur te zgjedhjet e 28 qershorit, kryeministri tha se ato plotësuan standardet dhe se shqiptarët i dëshmuan botës se dinë të zhvillojnë zgjedhje të lira e të ndershme. “Rruga juaj drejt Evropës është udhëtimi më fisnik dhe i ndershëm, më i mençur që ne kemi ndërmarrë ndonjëherë në tërë historinë tonë. Kjo rrugë është e pandalshme. Sot ju mblidheni në këtë shesh për të inauguruar një shkollë moderne; sot ju mblidheni në këtë shesh nëpër një rrugë të standardeve evropiane; sot ju mblidheni në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtarë të NATO-s; sot ju mblidheni në këtë shesh si qytetarë që me 28 qershor i dëshmuat mbarë botës se dini dhe jeni të vendosur të zhvilloni zgjedhje të lira dhe të ndershme, në Farkë dhe në mbarë Shqipërinë; sot ju mblidheni në këtë shesh pasi 27 ministra të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian vendosën nëntorin e kaluar që Shqipëria të kualifikohet për të hapur negociatat për statusin e kandidatit; sot ju mblidheni në këtë shesh pasi dy jave më parë Komisioni Evropian vendosi të rekomandojë heqjen e vizave për ju; sot ju mblidheni në këtë shesh si qytetarë të një vendi, natyrisht jo të pasur, por, në të cilin rrogat dhe pensionet rriten më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës dhe ndoshta të botës”, u shpreh kryeministri Berisha. Lidhur me rolin e opozitës dhe sjelljen e saj ndaj reformave dhe perspektivës së integrimit të Shqipërisë, kreu i qeverisë vërejti se u bënë përpjekje, që për hir të interesave personale të rrënohen interesat e shqiptarëve. Kryeministri tha se opozita u ngujua në çadra para selisë së Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit, për të bllokuar procesin e liberalizimit të vizave. Sipas Berishës, kampistët u stacionuan aty, me idenë se do të ndëshkojnë interesat e shqiptarëve në vend dhe atyre mbi 1 milionë emigrantëve, për t’i lënë jashtë listës së bardhë të “Shengenit”. “Më datën 30 prill, në periudhën kur do të vendosej fati kryesor për lëvizjen tuaj të lirë, kur do të vendosej që qindra dhe mijëra familje shqiptare të mund të bashkohen, të mund të shohin njëri-tjetrin, të mund të çmallen; në datën 30 prill, në periudhën kur do të vendosej për shqiptarët që 20-vjet më parë u dyndën, si asnjë popull tjetër në Evropë, për tu larguar nga vendi i tyre, ndërsa tani do të lëvizin me pasaportat më moderne biometrike, këta shokë apo zotërinj ngulën çadrat para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit në një akt të turpshëm, vetëm e vetëm për t’ju penguar ju, vetëm e vetëm që të mos jepeshin vizat për ju, vetëm e vetëm që të ndëshkoheshit ju, interesat tuaja, miliona shqiptarë, mbi 1 milionë emigrantë. Por ne duhet të jemi të qetë, të vendosur, të respektojmë njëri-tjetrin dhe tu themi këtyre zotërinjve, të cilët pasi bllokuan për 90 ditë Parlamentin, një ditë pasi u vendos heqja e vizave bëjnë letra dhe telegrame me kërkesën - na hiqni vizat; tu themi këtyre zotërinjve se vërtetë në trashëgiminë më të keqe të baballarëve tuaj ju i mendoni këta qytetarë se mund t’i mashtroni, se mund t’i gënjeni, se mund tu thoni çdo gjë dhe ata tu duartrokasin, por shqiptarët ju dëshmuan ju qartë këto 8 muaj, cilitdo qofshin ata, të djathtë, të majtë, të paparti, se ju s’mund ti mashtroni kurrë ata më. Sepse ju zotërinj apo shokë mund të bindni njëri-tjetrin se fluturon, fluturon kryetari, kurse për shqiptarët nuk fluturon kurrë veshgjati. Ndaj, ne le të vazhdojmë në rrugën tonë. Ata me shpifje, ne me shkolla të reja; ata me mashtrime, ne me rrugë të reja; ata me trillime, ne me ujësjellës e kanalizime dhe me standarde. Të ftojmë çdo shqiptar, të djathtë, të majtë, të paparti, le të ecim së bashku drejt Shqipërisë evropiane. Ai është fati ynë, është e ardhmja jonë”, deklaroi kryeministri Sali Berisha. Për sa i takon zgjedhjeve të kaluara parlamentare, Berisha kujtoi se ato u njohën dhe vlerësuan si më të ndershmet në historinë politike të Shqipërisë. Në këtë aspekt, Berisha përmendi përmirësimin e të gjithë infrastrukturës moderne në të cilën u realizuan zgjedhjeve, pajisjen e shtetasve me karta identiteti, regjistri elektronik, fotografimi i votës etj., bënë që vendi të marrë certifikimin e institucioneve ndërkombëtare, për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. “Ju votuat më 28 qershor në zgjedhjet më të lira, më të ndershmet në historinë e vendit, në zgjedhje për të cilat juve ju përshëndeti e mbarë bota. Ndërsa këta shokë apo zotërinj, për shkak se nuk e fituan pushtetin që nuk meritonin, kërkuan t’ju fusin ju në kuti, njëlloj si etërit e tyre në bunkerë. Këta shokë apo zotërinj kanë tmerr nga vota juaj, kanë tmerr nga vullneti juaj dhe janë të gatshëm ta shkelmojnë në çdo rast, vetëm e vetëm të kërkojnë pushtetin e tyre. Këto kanë qenë kohërat e vendimeve të mëdha për secilin prej jush, por mbi të gjitha për këta vogëlushë, të cilët kanë fatin e madh të kenë një jetë në liri përpara. Gjatë këtyre muajve, në një kohë kur ata bridhnin shesheve apo rrugëve të Shqipërisë duke sharë apo bërtitur, Bashkimi Evropian vendoste që Shqipërisë t’i hapeshin negociatat për statusin e vendit kandidat. Këtë vendim nuk e merrnin kurrë në qoftë se do të ekzistonte dhe dyshimi apo fakti më i vogël se ishin cenuar zgjedhjet. Jo! E morën vendimin, sepse e kuptuan se ata të cilët bridhnin rrugëve kishin vetëm një qëllim: të shkelmonin interesat tuaja, të pengonin integrimin tuaj për pushtetin e tyre”- deklaroi ndër të tjera, kryeministri Sali Berisha. Më tej, kryeministri ka theksuar se Farka po zhvillohet sipas një masterplani i cili respekton të gjitha standardet e zhvillimit dhe do jetë një nga bizhutë e Shqipërisë në të gjitha aspektet. “Janë mbi 1100 shkolla që u ndërtuan nga e para apo u rindërtuan. Ne në 3 vitet e mandatit do përfundojmë rindërtimin e çdo shkolle në Shqipëri. Asgjë nuk do na ndalë që fëmijët tanë të ulen kudo që ndodhen në shkolla evropiane”, tha Berisha. “Komuna e Farkës ka asfaltuar 3 herë më shumë rrugë se bashkia e Tiranës”/Komuna periferike e Tiranës, Farka, njihet për zhvillimin e shpejtë vitet e fundit, ku spikasin investimet e shumta të njësisë vendore në infrastrukturë. Në këtë komunë janë investuar 4 vitet e fundit plot 8 milionë euro, kundrejt 400 mijë të investuara në 8 vite të qeverisë socialiste. Komuna e Farkës qëndron shumë më lart se Bashkia e Tiranës dhe për sa i takon infrastrukturës, ku në krahasim me bashkinë e Tiranës, ka ndërtuar 30 kilometra rrugë më shumë. Kryeministri Berisha ka premtuar dje se qeveria do vazhdojë të mbështesë projektet e komunës Farkë, për të arritur në një tjetër dimension investimesh dhe zhvillimi.
...