E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ushtaraku: “Përse iu drejtova i vetëm Gjykatës së Tiranës”

Intervista Flet ish-majori, Kadri Muka

Jonida Tashi

Kadri Muka është një nga ish-ushtarakët që ka vendosur ta zgjidhë vetë problemin e pensionit, duke iu drejtuar kësaj radhe Drejtësisë. Pas shumë kohësh, duke protestuar në mënyrë kolektive, ish-majori tashmë e ka gjetur zgjidhjen për të marrë atë që i takon. Ish-majori i Ushtrisë Shqiptare, i dalë në lirim në vitin 1994, ka paditur në Gjykatën e Tiranës Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës për moszbatimin e ligjit për trajtimin me pension të parakohshëm. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Albania”, ish-majori Kadri Muka tregon se përse i është drejtuar i vetëm gjykatës. Ish-ushtaraku shpjegon se para trupit gjykues ka menduar të sjellë pesë arsyet që argumentojnë pretendimet e tij. Muka tregon gjithashtu se ai nuk është i vetmi që ka ndjekur këtë rrugë. “Si unë ka dhe shumë ish-ushtarakë të tjerë, të cilët kanë nisur proceset civile për të marrë pensionin që u takon sipas gradave që kanë pasur”, - tregon-ish majori.

Përse vendosët t’i drejtoheni gjykatës?
Vendosa t’i drejtohem gjykatës pasi pensioni i lidhur nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë nuk është bazuar në ligj dhe nuk ka zbatuar asnjë nga skemat e përcaktuara prej ligjit. Pensioni është dhënë amorfe, si puna e faturave të dritave. Në nenin 11 të ligjit “Për Sigurimet Shoqërore Suplementare të Ushtarakëve” përcaktohet si formulë se 50 për qind e pagës referuese për 15 vjet vjetërsi shërbimi dhe për çdo vit mbi këtë vjetërsi i shton 2 për qind të pagës referuese, por duke mos kaluar kjo shtesë pensionin maksimal të pleqërisë në shkallë vendi. Në kundërshtim me këtë i gjithë pensioni është kufizuar sa pensioni maksimal i pleqërisë, duke mohuar kështu vjetërsinë e shërbimit dhe pagën referuese. Për shkak të kësaj, nga 76 për qind e pagës referuese më është dhënë një pension në masën 41 për qind të saj. Një mohim i plotë ky i skemës që përcakton ligji, ndërkohë që minimumi është 50 për qind. Për këtë arsye, por edhe për shkak se në kërkesën drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të ISSH-së, konfirmohet se pensioni është lidhur në bazë të ligjit u detyrova që t’i drejtohem organeve të Drejtësisë.
Kur iu drejtuat gjykatës dhe si?
Në dhjetor të vitit 2007 iu drejtova Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pas hedhjes së shortit dhe përcaktimit të gjyqtarit janë zhvilluar seanca gjyqësore dhe çështja është ende në procedim në këtë gjykatë. Në kërkesë-padinë time kam parashtruar pesë kërkesa lidhur me trajtimin tim me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
Cila ishte kërkesa juaj e parë në Gjykatë?
Kërkesa e parë ka të bëjë me trajtimin tim me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi që në çastin e daljes në rezervë dhe jo pas trajtimit dyvjeçar me pagë kalimtare, siç ka vepruar Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë. Këtë e kërkoj sepse nga data e hyrjes në fuqi të Ligjit 9210, datë 23.03.2004 ”Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, e drejta për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bazohet në kushtet që cakton neni 35 i këtij statusi. Neni 35 i statusit kërkon plotësimin e dy kushteve, vjetërsinë e shërbimit 15 vjet dhe moshën 47 vjeç për ushtarakun mashkull. Këto dy kushte konfirmon edhe Ligji 9418, datë 20.05.2005 i dalë në zbatim të nenit 35 të statusit. Po të njëjtën bën edhe neni 1 i Ligjit 9481, datë 16.02.2007, i shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Ligji 9210, datë 23.03.2004 ”Për statusin e ushtarakut”, ka hyrë në fuqi më 24 maj 2004, kurse unë kam dalë në rezervë më 1 shtator 2004, pra 3 muaj e një javë pas hyrjes në fuqi të statusit të ushtarakut, në këtë kuadër edhe të nenit 35 të tij. Kushti tjetër i vendosur nga paragrafi 3 i nenit 11 i Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, të ndryshuar se; pensioni jepet kur përfituesit i ka përfunduar periudha 2-vjeçare e trajtimit me pagë kalimtare, me hyrjen në fuqi të statusit të ushtarakut e ka humbur fuqinë për shkak të shfuqizimit që neni 49 i statusit u bënë të gjitha akteve ligjore e nënligjore që janë në kundërshtim me kërkesat e statusit të ushtarakut. Paga kalimtare nga data e hyrjes në fuqi të statusit të ushtarakut, 24 maj 2004, nuk ekziston më. Neni 46 i tij e ka zëvendësuar atë me shpërblimin e menjëhershëm në aq paga sa vjetërsi shërbimi ka ushtarakut që del në rezervë apo lirim dhe nuk plotëson kushtet për pension të parakohshëm. Ai pra përjashton trajtimin me pagë kalimtare të të gjithë ushtarakëve që dalin në rezervë apo lirim. Rivendosja që i bëhet trajtimit me pagë kalimtare në Ligjin Nr.9418, datë 20.05.2005, është në kundërshtim dhe në shkelje të nenit 46 të statusit të ushtarakut. Të gjitha këto më japin të drejtën e trajtimit me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në çastin e daljes në rezervë, që nga data 1 shtator 2004, pasi plotësoja të dy kushtet vjetërsinë e kisha 27 vjet, 10 muaj e 15 ditë dhe moshën e kisha 53 vjeç. Për këtë shkak kërkoj që pensioni nga Drejtoria Rajonale e Sigurimit Shoqëror Tiranë të më lidhet nga data 1 shtator 2004 dhe jo nga data 1 shtator 2006.
Po kërkesë tjetër keni?
Kërkesa e dytë lidhet me trajtimin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi mbi bazën e skemës së vendosur prej nenit 35 dhe 49 të statusit të ushtarakut, pa kufizimin e masës së pensionit të vendosur nga germa ”b” e paragrafit të dytë të nenit 11 të Ligjit Nr.8087, datë 13.03.1996, të ndryshuar, pa kufizimin që vendoset në të. Këtë e kërkojë për këto arsye: Neni 48 i statusit të ushtarakut në pikën 2 ngarkon Këshillin e Ministrave që brenda 24 muajve të paraqesë ndryshimet përkatëse në Ligjin Nr.8087, datë 13.03.1996, të ndryshuar, në zbatim të neneve 35 dhe 36 të tij. Në këto kushte: Deri në kryerjen e hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Ligjin Nr. 8087, datë 13.03.1996, të ndryshuar, pra deri më datën 1 janar 2006, kur hyri në fuqi Ligji Nr.9418, datë 20.05.2005 që shfuqizoi Ligjin Nr.8087, datë 13.03.1996, të ndryshuar, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi do bëhej me Ligjin Nr.8087, datë 13.03.1996, të ndryshuar. Për shkak të përcaktimit që neni 49 i statusit të ushtarakut se: ”... shprehja ‘por jo më shumë sesa masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi’, në shkronjën ‘b’, të nenit 11, të Ligjit Nr.8087, datë 13.03.1996 …shfuqizohen”, masa e pensionit i bie që të jetë sipas skemës 50% të pagës referuese për 15 vjetërsi për mashkullin, plus 2% më shumë për çdo vit vjetërsie shërbimi mbi 15-vjetshin, pa asnjë lloj kufizimi. Shfuqizimi i shprehjes “por jo më shumë sesa masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi” ka hyrë në fuqi me hyrjen në fuqi të statusit më 24 maj 2004. Prej kësaj datë Drejtoria Rajonale e ISSH-së Tiranë, pensionin ka qenë e detyruar ta lidhë pa këtë kufizim, ndërsa prej këtij institucioni është bërë e kundërta. Pensioni jo vetëm më është dhënë me kufizim, por kufizimi nuk ka qenë për shtesën mbi 15-vjetshin, ai është bërë për gjithë pensionin. Për rrjedhojë, nga 76% e pagës referuese që më takon sipas ligjit, më është dhënë një pension prej 42% e pagës referuese. Pension ky më i ulët se minimumi prej 50% që njeh germa ”a” e paragrafit të dytë e nenit 11 të Ligjit 8087, datë 13.03.1996, të ndryshuar, masë që e përfitojnë të gjithë ushtarakët që plotësojnë dy kushtet. Përsa kohë ligji i njeh të drejtën e 50% atij që ka 12 apo 15 vjet, nuk mund tu mohojë atë atyre që kanë mbi 12 a 15 vjet vjetërsi shërbimi. Edhe kufizimi i vendosur në pikën 3 të nenit 14 të Ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 dhe që lihet në fuqi edhe nga neni 2 i Ligjit Nr.9481, datë 16.02.2006, nuk e cenon masën e pensionit të përfituar pa kufizim për shkak se bie ndesh me parimin e së drejtës së fituar, sipas së cilës një e drejtë e fituar nuk mund të mohohet, kufizohet apo minimizohet. Po kështu ai bie ndesh edhe me parimin e sigurisë juridike. Ky parim përcakton se; Shteti duhet të synojë të ndryshojë një situatë të rregulluar më parë, vetëm nëse ndryshimi sjell pasoja pozitive dhe trajtim më të mirë financiar për përfituesit. E drejta për pension mua më ka lindur më 1 shtator 2004, kufizimi deri në katër pensione bazë pleqërie i vendosur nga pika 3 e nenit 14 të Ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 ka hyr në fuqi më 1 janar 2006. Duke qenë se ky kufizim ka hyr në fuqi pasi unë e kam përfituar pensionin pa kufizim, ai nuk ka fuqi prapavepruese. Për këtë shkak kufizimi për rastin tim nuk ushtron dot fuqinë e veprimit, pasi ato janë në kundërshtim me ligjin organik, statusin e ushtarakut dhe se unë pensionin e fitoj pa kufizim që një vit e katër muaj më parë se të hynte në fuqi kufizimi i pikës 3 të nenit 14 të Ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005.
Ju nuk jeni dakord edhe me mënyrën e rillogaritjes së masës së pensionit?
Kërkesa e tretë i përket rillogaritjes së masës së pensionit dhe dhënies së diferencave midis masës së dhëne dhe masës së pensionit që më takon sipas përcaktimit ligjor. Kjo kërkesë lidhet me faktin ekziston një diferencë e konsiderueshme midis pagesës që më është bërë sipas periudhave përkatëse dhe asaj që më ka takuar sipas ligjit. Ndërsa kërkesa e katërt ka të bëjë me trajtimin në vazhdim sipas nenit 13 dhe pikës 1 e 2 të nenit 14 të Ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 për sa kohë masa e pensionit të mos ketë pësuar rritje për shkak të ndryshimeve në këtë ligj. Një kërkesë e tillë bëhet si një domosdoshmëri për të mos abuzuar e spekuluar më tej për shkak të ndryshimeve që mund të bëhen në ligj, ndryshime të cilat nuk sjellin pasoja pozitive dhe trajtim më të mirë financiar nga ai që më ka garantuar nenet e mësipërme të ligjit dhe në respektim të parimit të së drejtës së fituar si dhe atij të sigurisë juridike. Kërkesa e pestë, që është edhe e fundit, është që në vijimësi të më jepen shtesat e përvitshme të pensionit të parakohshëm në masën e ndryshimit të pagës referuese, siç përcaktohet në nenin 27 pika 2 e Ligjit Nr.9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosua të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Këtë kërkesë e bëjë për ti dhënë fund shkeljes së këtij neni, por edhe për të mos më cenuar këtë të drejtë në rast se ndryshimet e mëvonshme në ligj në vend të pasojave pozitive dhe përfitimit financiar më të mirë, sjellin pasoja negative e përfitim financiar më të ulët, që buron nga parimi i së drejtës së fituar dhe parimi i sigurisë juridike.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›