E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulet në 5% norma e interesit, pritet rritje e kreditimit

29/07/2010 Banka e Shqipërisë uli me 0.25% normën e interesit për lekun

Pas shkurtimeve të buxhetit të shtetit e për rrjedhojë edhe deficitit buxhetor, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli dje normën e interesit për lekun me 0.25 pikë përqindje, duke e çuar atë në 5 për qind. Kjo do të thotë se kostoja e parasë dhe transaksionet në monedhën vendase do të jenë më të lira. Në këtë mënyrë interesat e depozitave, por edhe të kredive në lekë do të pësojnë rënie. Gjatë konferencës për shtyp, guvernatori Ardian Fullani deklaroi dje se ky vendim është një stimul për të rritur konsumin në ekonomi. "Pasi u njoh me zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në vend, me projeksionet e tyre të së ardhmes, dhe pasi vlerësoi balancën e rreziqeve të pritshme në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendos të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje. Pas këtij vendimi norma e marrëveshjeve të riblerjes me afat maturimi një javor është 5 për qind krahasuar me nivelin e mëparshëm të saj prej 5.25 për qind", bëri të ditur dje Adrian Fullani, guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Afat maturimi një javor është 5 për qind krahasuar me nivelin e mëparshëm të saj prej 5.25 për qind", bëri të ditur Adrian Fullani, guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu ai theksoi se “konsumi privat ka shënuar rënie, shpenzimet konsumatore kanë qenë të përmbajtura për shkak të një pasigurie për të ardhmen. Nga ana tjetër edhe investimet private kanë shënuar rënie”. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, norma e kreditimit vijon të mbetet në nivele të ulëta, krahasuar me vitet e fundit, ndërsa normat e interesit dhe kredidhënia kanë mbetur me kushte të shtrënguara. Por institucioni më i lartë monetar shpreson se përcjellja e këtij vendimi nga bankat e nivelit të dytë tek konsumatori do të bëhet në mënyrë të shpejtë. Gjithashtu Fullani tha se 6-mujori i parë i këtij viti ka pasur një rritje pozitive ekonomike duke vënë theksin në rritjen e eksporteve, po ashtu dhe te investimet e huaja, të cilat kanë dhënë një qëndrueshmëri edhe në kursin e këmbimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›