E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-zv/ministri Bala: Fadil Paçrami më internoi sepse i refuzova dramat

TIRANE-Mantho Bala. Kështu quhej zëvendësministri i Arsimit dhe i Kulturës së viteve '70-të, kur në krye të asaj ministrie ka qenë pikërisht ministri historik Thoma Deljana. Pikërisht këtu qëndron e përbashkëta e këtyre dy drejtuesve shumë të njohur të ministrisë më të rëndësishme të kohës, që ishin pikërisht Thoma Deljana dhe Mantho Bala, të cilët që të dy përfunduan të shkarkuar dhe të internuar. Mantho Bala, njeri me shumë energji dhe kompetencë në fushën e artit dhe të kulturës, guxoi të ndeshet dhe të thotë mendimin e tij konsekuent përballë njerëzve me më shumë pushtet, si Manush Myftiu dhe Fadil Paçrami, në lidhje me skenarët dhe premierat që duhet të shikonin dritën e shfaqjes apo jo. Mes materialeve që ai u thoshte "Stop", ishin dhe shumë skenarë dhe premiera të Paçramit, i cili ishte zv/sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Tiranës. Por Mantho Bala guxoi si zëvendësministër që jo vetëm të duartrokasë dramën "Njollat e Murrme" të Jeros, e vënë në skenë nga Mihal Luarasi, por edhe të urdhërojë komisionin e ministrisë që drejtonte, që ajo dramë të nderohej me flamurin e festivalit. Këto do të mjaftonin që të krijoheshin divergjenca të mëdha mes dikasterit të tij dhe Komitetit të Partisë, të cilat do të finalizoheshin nga shkarkimi i tij i menjëhershëm nga të gjitha funksionet shtetërore dhe politike dhe të përfundonte i internuar në Kosovë të Dumresë. Por kush është në të vërtetë jeta e Mantho Balës, i cili ishte ndër njerëzit e rëndësishëm të Shqipërisë së viteve '70-të? Si lindën divergjencat e tij me Manush Myftiun dhe Fadil Paçramin, të cilat krijuan përplasjen fatale që përfundoi me shembjen e figurës së zëvendësministrit të njohur. Gjithçka, lexuesi i Gazetës do ta ndjekë pikërisht në intervistën e mëposhtme të 85- vjeçarit Mantho Bala.

Zoti Mantho, le ta fillojmë këtë intervistë të zgjeruar me prezantimin e hollësishëm. Kush është e kaluara juaj e hershme?
Kam lindur në fshatin Vuno të bregdetit në vitin 1928.
Kam qenë pjesëmarrës i orëve të para të lëvizjes nacional-çlirimtare, ku që në fillim jam rreshtuar me armë në dorë në formacionet e rregullta të Brigadës së pestë sulmuese.
Për sa i përket arsimimit tim, po them se arsimin fillor e kam bërë në fshatin tim të lindjes, ndërsa arsimin e mesëm e kam përfunduar në gjimnazin e Tiranës.
Po ashtu, në Tiranë kam kryer edhe studimet e larta në degën Histori - Gjeografi. Pas marrjes së diplomës së shkollës së lartë, në vitin 1946 vazhdova shkollën njëvjeçare të Partisë. Këtu më shkëlqeu fati si të thuash, pasi duke parë notat e mia të shkëlqyera, më mbajtën direkt pedagog në këtë shkollë, pra shkollën e Partisë që mbante emrin "Vladimir Iliç Lenin".
Çfarë lënde jepnit?
Ajo dihej, ishte shkollë e mirëfilltë politike, por që për kohën kishte një rëndësi të jashtëzakonshme, që do të thotë se kur të mbanin në trupin pedagogjik të saj për të dhënë mësim ishte më shumë se vlerësim normal. Aty unë jepja lëndën e Historisë së Partisë. Njëkohësisht jepja mësim edhe në shkolla të tjera të mesme të Tiranës.
Për shembull?
Për shembull, jepja në shkollën pedagogjike apo në politeknikumin "7 Nëntori".
Sa vjet ndenjët pedagog?
Pedagog kam ndenjur plot tre vjet pasi pas kësaj, pra në vitin 1949, unë shkova Kryetar Lokaliteti në Himarë. Kjo detyrë ishte e atillë që më mbrapa u quajt Kryetar Komiteti. Ta thashë këtë krahasim të fundit, për të kuptuar pozicionin e detyrës që m'u ngarkua.
Domethënë se fati po ju ndihmonte sërish?
Po pra. Ishin vende të tilla që të bënin person publik dhe ku të mundësonin të rrisje aftësitë drejtuese dhe komunikuese me njerëzit. Por veçse ishte edhe një përgjegjësi e madhe, pasi në pozicione të tilla ishe në vëzhgimin e kujtdo. Atëherë kam qenë vetëm 21 vjeç, por ishte ai vrulli rinor që na ishte kalitur në luftë që na kishte përfshirë të tërëve. Kemi parasysh se në atë kohë nuk kishte ikur akoma era e barutit të luftës Nacional - Çlirimtare.
Më tej?
Tre vjet më vonë, pra në vitin 1951 transferohem në Shkodër, ku emërohem në detyrën e Shefit të Propagandës së Komitetit të Partisë së Qarkut. Pas dy vjetësh në atë detyrë, kalova Sekretar i Komitetit të Partisë së qarkut. Në këtë kohë u angazhova edhe si pedagog i jashtëm në institutin pedagogjik të Shkodrës.
Aty kam punuar shumë, por edhe kam përfituar shumë. Shkodra për mua ka qenë një shkollë e dytë në jetë. Unë i kam bredhur me këmbë të gjitha zonat, duke filluar në fshatrat përreth dhe deri në malësinë e Mbishkodrës, si në Vermosh, Dukagjin, Shllak, Lezhë, Mirditë etj.
Përse ka qenë një shkollë e dytë?
Këtë jua them, se unë kam bredhur gjithë Shqipërinë, pasi siç e dini më mbrapa kisha detyrën e zëvendësministrit të Arsimit dhe Kulturës. Por vend tjetër si Shkodra nuk kam gjetur, madje këtu do të veçoja malësinë e Mbishkodrës. Ç'të të them. Kishe të bëje me njerëz me kulturë të madhe. Mikpritës, njihnin dhe ruanin traditën, kishin cilësi të spikatura intelektuale.
Kur u kthyet në Tiranë?
Ishte viti 1967 kur u transferova nga Shkodra për në kryeqytet, ku u emërova instruktor në Komitetin Qendror të Partisë së Punës. Mbaj mend se kur erdha në Tiranë filloi revolucionarizimi i masave për të goditur kultet fetare, gjë që Shkodra i kishte të shenjta. Kështu që u gëzova shumë që u largova në këtë moment deçiziv, pasi nuk doja kurrsesi të isha unë ai që do të merrja përsipër mëkate të asaj natyre, të cilat Shkodra nuk i ka falur asnjëherë.
Sa kohë ndenjët në Komitetin Qendror? Mesa shikoj, të paktën deri në atë kohë paskeni qenë në sy shumë të mirë të nomenklaturës?
Është e vërtetë, se jo vetëm deri në ato vite, por edhe për shumë të tjera unë do të isha i vlerësuar për punën që bëja.
Pse thoni që ishit i vlerësuar?
Sepse edhe më mbrapa kam punuar me të njëjtin përkushtim, dhe ndërgjegje por ç'e do që më dërguan të flija në stallat e bagëtive të Dumresë.
Paskeni shkelur ndonjë kallo?
Patjetër, madje ta tregoj edhe se të kujt.
Të kujt?
Të Manush Myftiut. Ai ka qenë njeriu më i poshtër dhe më cinik që më kanë njohur sytë. Nga ai i kam të gjitha. Ishte një megaloman dhe një njeri që donte t'i përuleshin dhe t'i hapnin rrugën të gjithë.
Çfarë ishte Manush Myftiu në atë kohë?
Ishte sekretar i Parë i Partisë së Tiranës, nga e cila vareshin të gjitha organizatat e Partive të Tiranës, përfshi këtu edhe ato të kryeministrisë, ministrive etj. Pra, pavarësisht se një ministri nuk kishte lidhje me strukturat e Tiranës ashtu dhe me Komitetin e Partisë së saj, ndryshonte puna me organizatën bazë, pasi ajo ishte në vartësi të strukturave të partisë së kryeqytetit.
Kjo do të thoshte se të ishe çfarë të doje në detyrë, në radhë të parë bëje jetën e partisë në organizatë, e cila drejtohej nga Komiteti që kryesohej nga Manysh Myftiu, ndërsa zëvendëssekretar ishte Fadil Paçrami.
Po Paçrami si ishte?
Lëre mos e nga. Lërmë aman se s'i kujtoj dot.
E lamë fillin e subjektit në momentin që ishit Sekretar në Komitetin Qendror. Sa ndenjët aty?
Në Komitetin Qendror shkova në vitin 1967 dhe ika në vitin 1968, sepse pas kësaj u emërova zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës, ku mbuloja Artet.
Sa kohë qëndruat zëvendësministër?
Kam ndenjur prej vitit 1968 deri në vitin 1976, plot 8 vjet zëvendësministër.
Kush ishte ministër në ato vite?
Ministër ka qenë i jashtëzakonshmi Thoma Deljana.
Pse thoni për të se ishte njeri i jashtëzakonshëm, kaq respekt paske për të?
Ishte i veçantë, ishte intelektual, me kulturë të gjerë. Ishte në radhë të parë njeri i lartë, burrëror, me karakter. Ishte gjithçka prandaj edhe e hëngri. Nuk kaloi as dy muaj si u internova unë, kur u dërgua dhe Thomai i internuar në malësitë e Tepelenës. Mirë e kishe quajtur ti në një intervistë që i kishe bërë dikur, që thoje shprehjen "Ministri Historik". Ashtu ishte me të vërtetë "Historik", sepse në arsimin shqiptar ai burrë ka vënë një gur të rëndë, që nuk shkulet kollaj.
Pra, thatë që zëvendësministër ishe deri në vitin 1976?
(Qesh me ironi, i medituar, duke parë përtokë sikur diçka do të tregojë) Po. Deri në vitin 1976 se pastaj, pikërisht në 14 mars të atij viti, unë u përjashtova fare nga Partia dhe u shkarkova nga të gjitha funksionet, ku pak ditë më mbrapa më dhanë edhe vendimin për internim.
Ku ju internuan?
Më internuan në Kosovë të Dumresë, pikërisht aty ku është burgu i grave. Banorët e Kosovës përbëheshin nga 85 % të internuar.
Nga kishin ardhur të internuarit?
Nga të duash. Nga Kolonja kishte, nga Korça kishte, nga Pogradeci kishte. Nga të doje kishte. Madje kishte njerëz nga të gjitha shtresat, duke filluar që nga ata që kishin qenë bashkëpunëtor tepër të afërt të Enver Hoxhës dhe deri te ata që kishin qenë bashkëpunëtor të fashizmit.
Për shembull, kush ishin familjet që ndodheshin aty, se ishin identifikuar si bashkëpunëtor të fashizmit?
Mbaj mend familjen e Skënder Qytezës apo familjen e ish- kryeredaktorit të Gazetës "Bashkimi" të kohës së luftës, Hilmi Lekën etj. që dua kohë t'i kujtoj, se veçse kanë kaluar vite por edhe pleqëria siç e sheh ka bërë të sajën dhe është treguar e pamëshirshme.
Doja të dija se ku filluan divergjencat e tua me superstrukturën e atëhershme, që nga i përkëdhelur si mund ta quash, të përfundoje në një traumë të tillë siç ju ndodhi juve?
Të gjitha filluan dhe mbaruan në detyrën e zëvendësministrit. Ju thashë se ministër ishte Thoma Deljana, që nuk gjeje më të mirë. Por problematika në atë ministri ishte e ndezur.
Mund të më shpjegoheni më qartë ju lutem?
Divergjencat e mëdha lindën që në fillim të punës sime në ministri. Ato lindën me Manush Myftiun dhe Fadil Paçramin. E përmenda pak më lart, se Manush Myftiu ishte sekretar i Parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Tiranës, ndërsa Fadil Paçrami ishte zëvendëssekretar i Parë. Ata donin t'i kishin në vartësi të tyre të gjitha institucionet dhe nuk donin të pyesnin se detyrat dhe kompetencat ishin të ndara. Mua, me-gjithëse isha zëvendësministër, nuk donin të më përfillnin, por isha unë ai që nuk mund të lëshoja pe pas kësaj.
Dhe me Fadilin ju kanë lindur divergjenca?
Po po. Me atë të parin. Ishte megaloman i madh. E mbante veten të jashtëzakonshëm dhe çdo gjëje që lidhej me artin dhe kulturën donte t'i vinte ai vulën e fundit. Mirëpo këtu kishte problem të madh, sepse ai ishte dramaturg dhe donte s'donte ishte i detyruar para se të vinte në skenë një pjesë do të merrte patjetër aprovimin e komisionit të posaçëm të Ministrisë së Kulturës, i cili varej dhe krijohej nga unë.
Ku konsistonin divergjencat?
Ata të dy, Manushi dhe Fadili ishin partia në rreth dhe me këtë fakt donin të mbanin drejtimin e të gjitha institucioneve. Mirëpo nuk vareshin të gjitha nga ata. Për shembull, Lidhja e Shkrimtarëve apo Radio Televizioni vareshin nga Komiteti Qendror i Partisë. Kinostudio, Opera, Instituti i Arteve dhe shtëpitë botuese vareshin nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, gjë që si zëvendësministër i mbuloja unë. Ndërsa nga Komiteti i Partisë vareshin trupa e estradës, cirku, teatri popullor etj.
Ç'kuptojmë nga këto lloj vartësish për të krijuar ato lloj divergjencash, saqë juve ju kanë çuar deri në internim? Si ti kuptoj?
Kjo do të thoshte, që të gjithë skenarët e filmave apo të dramave që viheshin në skenë duhej të kalonin në filtrin e Komisionit të Ministrisë së Kulturës, i cili krijohej dhe varej nga unë. Jo vetëm kaq, por edhe pas përgatitjes së premierës së një drame apo filmi, shfaqja e tyre do të lejohej kur të jepte viston komisioni i ministrisë tonë. Këtu krijohej një ngërç i madhe me Fadil Paçramin, i cili përtej detyrës politike ishte dramaturg. Mirëpo këtu doli përplasja e madhe, ku më mbrapa u përfshi dhe Manush Myftiu dhe siç e dini, në fillim unë dhe dy muaj më mbrapa Thoma Deljana, përfunduam të internuar. Fadili, që e mbante veten si njeri të jashtëzakonshëm në fushën e artit, gjithnjë donte të thoshte fjalën e fundit.
Pra, ai ishte i detyruar që një dramë që do ta vendoste në skenë të merrte me patjetër viston e komisionit?
Patjetër.
Po ku ishte problemi?
Sepse ne bënim jetën e Partisë në organizatën bazë të ministrisë si çdo punonjës i dikastereve të tjera, përfshi dhe ministrat. Këto organizata vareshin nga komiteti i Partisë i rrethit të Tiranës, pra nga Manush Myftiu dhe Fadil Paçrami. Ata të dy kishin të drejtë të urdhëronin mbledhjen e organizatës sa herë të donin dhe të ngrinin çfarë problemi të donin. Pra siç shikohet, kishin mundësi hakmarrjeje në rast se ti nuk i certifikoje për shfaqje dramat e Fadilit. Nuk e di nëse më kuptoni apo jo.
Keni pasur raste që i keni anuluar drama Fadil Paçramit?
Sa të duash. Unë nuk doja të dija se kush ishte. Në rast se nuk e meritonte nuk mund të flitej për tërheqje vetëm se ai përfaqësonte Komitetin e Partisë. Kjo solli përditë e më shumë një situatë të padurueshme.
Unë nuk kuptoj se përse krijohej ajo situatë që ma diskutoni që prej fillimit të kësaj interviste?
Sepse këtë rënie dhe përballje të tij me një komision që ai e nënvleftësonte dhe kishte mendimin që sa të shkonte drama e tij në komision as që duhej të diskutohej, por të kalohej automatikisht, ai donte të mos të të falte. Nuk donte të të përfillte. Mirëpo edhe ne, në punën tonë nuk mund të bënim lëshime. Atëherë ai si njeri i ngushtë që ishte, duke pasur mbështetjen e Manush Myftiut lëshohej dita ditës mbi neve, gjithmonë në rrugë partie, duke na ngacmuar për çdo gjë që do të mund të gjente. Pra, kishte një vërsulje të paprecedentë. Dhe kjo vërsulje bëhej më e egër kur bashkohej në forcën e Manushit. Aq keq shkuan punët, sa që unë i kisha kërkuar ministrit Thoma Deljana të mbështeste dorëheqjen time, se nuk mund të vazhdoja gjatë. Por kjo ndodhi pas 8 vjetësh si zëvendësministër, kur akumulimet e zemëratave kishin arritur aty ku s'mbanin.
(Vijon nesër)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›